Dështimi i Tenderit Bllokon Zhvarrimin

Zyrtarët e misionit të BE-së në Kosovë EULEX i kanë thënë Gazetës JnK se gjatë këtij viti nuk kanë bërë gërmime për gjetjen e personave të pagjetur, për shkak se nuk kanë pasur mbështetje teknike. “Ne kemi qenë në terren tashmë disa herë këtë vit, megjithatë, ne nuk kemi bërë gërmime, sepse nuk ka asnjë kompani që merret me gërmime për të na ndihmuar me makinat që janë të nevojshme” i ka thënë gazetës Alan Robinson, bashkëkryesuesi Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Robinson ka shtuar se tenderi për kompaninë e gërmimit është shpallur katër herë, por ende nuk është angazhuar asnjë kompani.
 
“Shqetësimi ynë kryesor është që Departamenti i Mjekësisë Ligjore nuk do të jetë në pozitë për të dhënë rezultate apo të ndjekin planin e punës, të cilën e kemi shpallur në raportin vjetor 2011 të EULEX-it dhe Departamentit të Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Robinson. Sipas tij, tani në pritje janë 17 urdhra të gjykatës për zhvarrosje dhe autopsi.
 
Robinson ka shtuar se në mungesë të kompanisë edhe rastet të cilat kanë qenë të hapura që nga viti i kaluar, nuk mund të vazhdojnë për shkak të mungesës së mbështetjes logjistike. “Punët në terren nuk mund të shkojnë përpara, në qoftë se ne nuk mund të llogarisim në mbështetjen e një kompanie me përvojë që merret me gërmime, prandaj në këtë moment, nuk ka ndonjë gërmim. Nëse ne nuk mund të gërmojmë atëherë ne nuk mund të kemi rezultate në gjetjen personave të zhdukur, është aq e thjeshtë” ka thënë Robinson.

Sipas tij, ky është një shqetësim i madh për Departamentin e Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, e sipas tij, problem i madh është edhe dorëzimi i kufomave të identifikuara te familjet. “Ne kemi të paktën 15 raste të cilat janë gati për dorëzim, por ende nuk ka një kompani të kontraktuar për të kryer transportin dhe rivarrimin e këtyre kufomave. Kjo situatë krijon ankth të panevojshëm për familjet në fjalë”.

Nga ana tjetër, Prenkë Gjetaj, nga Komisioni qeveritar për Persona të Pagjetur, i ka thënë gazetës se çështja e tenderit është punë e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas tij, procesi nuk është bllokuar për shkak se aktivitetet hulumtuese është paraparë të fillojnë në fillim të majit, pasi që në kohën kur ka të reshura atmosferike, punët për gërmim nuk mund te zhvillohen. Kompetent për zhvillimin e procedurave tenderuese për nënkontraktorë të Departamentit të Mjekësisë Ligjore është Zyra e Prokurimit në Ministrinë e Drejtësisë.
 
Gazeta JnK ka parë shpalljet publike dhe njoftimet për anulim të tenderit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas dosjes se tenderit, kompania e cila do duhej ta fitonte tenderin për këtë çështje është dashur të ofrojë dy deri në katër automjete për bartjen e kufomave, listën e punëtorëve, së paku një kamion si dhe një ekskavator për zhvarrimin.

Mirëpo, sipas njoftimeve publike, tenderi i parë për këtë çështje ishte shpallur më 1 nëntor 2011 për t’u anuluar më 24 nëntor, me arsyetimin se ofertuesit kishin qenë të papërgjegjshëm.

Tenderi tjetër për këtë çështje ishte shpallur më 1 dhjetor 2011, për t’u rishpallur sërish më 9 dhjetor 2011, edhe këtë herë pa sukses. I njëjti tender është shpallur për të katërtën herë me datë 24 janar 2012, për t’u anuluar më 13 shkurt. Ndërsa së fundmi, sipas njoftimeve publike, Departamenti i Prokurimit të kësaj ministrie ka hapur procedurën për të negociuar një kontratë të tillë.
 
Sipas Departamentit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, rreth 1,790 persona vazhdojnë të llogariten si persona të zhdukur.

Gjatë vitit të kaluar, janë identifikuar 51 persona të zhdukur dhe familjeve përkatëse u janë kthyer 79 mbetjet mortore. Për vitin 2012, janë identifikuar mbi 30 raste me lokacione potenciale për operacione fushore.