Si e Ndërtoi Dan Imeri Perëndimin e Ri

Deri ditën kur e takoi Dan Imerin, Zhivojin (Kuzman) Lekiq, pronari 78 vjeçar, e përdorte tokën e tij për aktivitete bujqësore. 

Lekiqit, i cili jeton me familjen e pesë anëtarëve në Çagllavicë, iu ofrua blerja e tokës dhe ai e shiti atë më 2008 i shtrënguar mesa duket nga rrethanat në terren dhe nevojat financiare të shtëpisë. 

Dan Imeri, pronar i një shitoreje të mbathjeve dhe artikujve të lëkurës në qendrën tregtare Grand Store, në Veternik, bleu dy parcela tokë prej tij – njëra arë dhe tjetra kullosë. E para me një sipërfaqe 11,161 metra katrorë dhe tjetra 7,212 metra katrorë. Sipas fletë-posedimit të lëshuar në mesin e vitit 2008 nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, gjatë periudhës së UNMIK-ut, qartë precizoheshin sipërfaqet dhe vendndodhjet e pronave të Lekiqit. (Shih dokumentin).

Sllavoljub Lekiq, djali i Zhivojinit, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, se në kohën kur atyre iu ishte ofruar blerja e tokës nga ana e Dan Imerit, nuk kishin qenë aspak të interesuar për ta shitur atë tokë, pasi që e përdornin për jetesë nga prodhimet bujqësore.

“Mirëpo kah fundi i vitit 2007, fqinjët e tokave përreth filluan të na vendosin pengesa në rrugën e cila shpinte deri te toka jonë”, tha Lekiq, i riu. “Çdo ditë që kalonte, kjo vështirësohej edhe më shumë deri sa njëri nga fqinjët më tha ‘përdore edhe pak tokën tënde, deri sa nuk e kam vendosur një mur dhe nuk do të mundesh më të arrish te toka jote’”.

Sllavoljub Lekiq

“Andaj”, tha Lekiq, “u detyruam ta pranojmë ofertën e Dan Imerit për t’ia shitur tokën”.

Dhe duket se doli të ishte një biznes i mirë për Dan Imerin pasi ai i shiti më vonë parcelat për ndërtim dukshëm më shtrenjtë nga sa i kishte blerë. Në shumicën e rasteve, gati trefish më shumë. 

Parcelat 415 dhe 416, që ndodhen në zonën kadastrale të Çagllavicës, me numër të zonës kadastrale 71914073, pas blerjes, Imeri i shndërroi në 20 parcela të reja që pastaj ia shiti disa nga njerëzve më të fuqishëm në vend.

Tani ato parcela janë kthyer në një lagje të re të Prishtinës që quhet “Prishtina e Re-Perëndimi”. E “Perëndimi” duket se është bërë nxitës për emrat e njohur pasi aty, disa muaj që kur Imeri mori në pronësi parcelat, tokë bleu Kryeministri Hashim Thaçi, ish-Ministri i Punëve të Brendshme e deputeti aktual Zenun Pajaziti, vetë Dan Imeri si dhe disa biznesmenë të Prishtinës.

Lejet e ndërtimit lëshohen brenda një muaji

Pas parcelizimit, komunës së Prishtinës, Departamentit të Urbanizmit, i ishte kërkuar pëlqim të lokacionit si lagje e organizuar për t’u pajisur me leje urbanistike. 

Kërkesa ishte deponuar nga vet Dan Imeri, si përfaqësues ligjor me autorizim të gjykatës komunale, më 17 qershor 2009. Pak më shumë se një muaj më vonë, më 20 korrik 2009, të gjithë aplikuesit ishin pajisur me leje urbanistike ndërsa procedurat për leje ndërtimi i kanë vazhduar si të veçanta.

Një nga vilat në lagjen e re

Disa nga aplikuesit u pajisen me leje ndërtimi: Dan Imeri, Hashim Thaçi (dy shtëpi individuale), Resmije Ahma, Hedvig Kadriu, Kastriot Lumi, Gonxhe Brovina, Albert Munipi, Nakije Hyseni, Burim Mehmeti. Në procedurë për tu pajisur me leje ndërtimi është Almira Limani, ndërsa të tjerët që ende nuk kanë leje ndërtimi janë: Zenun Pajaziti, Nazmi Mehmedaliu, Bujar Xerxa, Nevzat Jerliu, Resmije Ahma, Sherif Gashi, Visar Binishi, Dardan Latifi, Milaim Cakiqi, dhe Hesat Kastrat. (Shih dokumentin). 

Doktori i cili garoi nga radhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit parlamentare Hedvig Kadriu ka thënë se tokën nuk e ka blerë nga Dan Imeri, por e ka pasur nën pronësi që nga viti 1972.

Gazeta Jeta në Kosovë u përpoq të kontaktonte me drejtorin e departamentit të urbanizmit në atë kohë, Shiqeri Spahiun i cili sot është në krye të Kadastrit në Komunën e Prishtinës, në lidhje me atë se a i ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u pajisur me leje urbanistike Dan Imeri dhe si kishte ndodhur që nëntë nga lejet e ndërtimit të merreshin brenda pak më shumë se një muaji. Spahiu nuk ka pranuar të flasë. 

Drejtoresha që zëvendësoi Spahiun në krye të urbanizimit, Luljeta Sokoli, e cila po ashtu nuk është më në krye të këtij departamenti, ka thënë për gazetën se Kuvendi Komunal është kompetent për t’i aprovuar të gjitha kërkesat për lagje të re dhe për pajisje me leje urbanistike. Por edhe kryesuesi i kuvendit komunal, Sami Hamiti, nuk është përgjigjur në interesimet e gazetës në lidhje me urbanizimin e “Perëndimit të Ri”.

Banorët ankohen se plani i lagjes nuk zbatohet

Ndërkohë, disa nga banorët e ri të kësaj lagje po e akuzojnë Dan Imerin se i ka mashtruar me planin urbanistik. Ata kërkuan që të ngelin anonimë për shkaqe sigurie, por i thanë gazetës se për dy vjet premtimi i Dan Imerit për ta asfaltuar lagjen nuk është realizuar. 

Gjithashtu edhe trafoja e rrymës është vendosur në këtë lagje vetëm disa javë më parë, pasi që këta pronarë të rinj i janë kërcënuar Dan Imerit se do ta padisin atë për mosrespektimin e kontratave të tyre dhe planin e lagjes.

Disa nga banorët u shprehën të dëshpëruar pasi që plani i lagjes nuk është përfunduar ashtu siç ka qenë i cekur në letër. Në planet që ata posedonin, në fund të lagjes ishte paraparë të figurojë një gjysmë-rreth ku do të mund të ktheheshin automjetet, dhe sugjeruan se në atë hapësirë është shtuar edhe një parcelë ku Behxhet Shala është duke ndërtuar një shtëpi individuale. Mirëpo Shala ka thënë për Gazetën JnK se ai e ka shtëpinë “jo në unazë, por në vijë të drejtë”.

Emri i Shalës nuk figuron në listën e Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, të personave me leje ndërtimi ose me kërkesa për to, që e posedon gazeta.

Por, Shala ka qenë në gjendje t’i ofrojë gazetës kopjet e lejes urbanistike, të planit të shtëpisë si dhe të pagesës prej 6,816 euro për lejen e ndërtimit – të gjitha të vulosura nga komuna e Prishtinës. Leja e tij e ndërtimit mban datën 2 prill 2010.    

Edhe Lulzim Mehmeti, të cilin komuna nuk e kishte përfshirë në listën me emrat e banorëve të pajisur me leje ndërtimi, thotë se e posedon atë dhe se iu kishte aprovuar më 27 korrik 2009, disa muaj pas blerjes së tokës nga Dan Imeri. Mehmeti për lejen e ndërtimit kishte paguar pak më shumë se 6,000 euro.

Biznes fitimprurës. Më së liri kaloi Kryeministri 

Gjithashtu edhe çmimi për një ari tokë ka qenë i ndryshëm për secilin banor të kësaj lagje gjë që i ka bërë disa prej tyre të mos ndjehen mirë. 

Toka nga familja Lekiq ishte blerë nga Dan Imeri për 5,000 euro ari. Gjithsej, Lekiqët ishin paguar rreth 900,000 euro për 18,373 metra katrorë për gjithë parcelën e lagjes së sotme.

Por Imeri u ka shitur disa nga blerësve parcelat në vlerën 14,000 euro për 1 ari, disa nga 16,000, dhe disa të tjerë deri më 18,000 euro për ari. 

Edhe pse në listën e urbanizmit, Kryeministri Hashim Thaçi figuron me dy parcela për dy shtëpi individuale dhe sipas planit që disa nga pronarët e kishin, ato duhej të ishin 2 nga 5 ari, në formularin për deklarimin e pasurisë nga Agjencia Kundër-Korrupsion (AKK) për vitin 2011 Thaçi ka deklaruar se posedon 15.75 ari me vlerë prej 157,000 eurosh. Që i bie ai ka paguar rreth 10 mijë euro për ari.

Shtëpia e re e Kryeministrit

Në po të njëjtin formular, Kryeministri ka deklaruar se për ta blerë tokën, për ndërtimin e shtëpisë, ai e ka shitur shtëpinë e tij në Arbëri, gjatë vitit 2008, në vlerë 260,000 eurosh. Shtëpia në Arbëri gjendet në rrugën “Metush Krasniqi”, numër 22. Agjencia Kadastrale e Kosovës thotë se prona e paluajtshme, në hapësirën e të cilës ndodhet edhe shtëpia që e shiti Kryeministri, është pasuri shoqërore që shfrytëzohet nga Kuvendi Komunal.   

Behxhet Shala tokën e ka blerë nga Dan Imeri për 18,000 euro ari, ndërsa ka blerë 6.88 ari. 

Zenun Pajaziti, ish-Ministri i Punëve të Brendshme, siç duket ka qenë një ndër të parët që kanë blerë tokë në këtë lagje të re të Prishtinës. 

Në formularin deklarimit të pasurisë të vitit 2011, ai ka deklaruar se tokën e ka blerë në vitin 2007, me sipërfaqe prej 6.5 ari, por emri i tij nuk figuron se posedon leje ndërtimi pasi që nuk është duke ndërtuar shtëpi. 

Kur gazeta e pyeti Pajazitin për vlerën e tokës kur e ka blerë, ai tha se ka paguar diku prej 12,000 deri në 13,000 euro për ari.

Edhe afaristi Milaim Cakiqi figuron të jetë banor i kësaj lagjeje të re të kryeqytetit dhe është fqinji i parë i Kryeministrit të vendit. 

Cakiqi është ortak biznesi me vëllain e Kryeministrit, Blerim Thaçi, në “Iliria Building”, që është kompani ndërtimi. Cakiqi nuk ishte në disponim të na tregojë se si dhe sa e kishte blerë tokën nga Dan Imeri.

Po ashtu, sipas planit që banorët e kësaj lagjeje e kanë, secila parcelë ishte paraparë të kishte një hapësirë prej 5 ari, por edhe ky kusht nuk ishte respektuar.

Dan Imeri, pronar i dyqanit që shet tesha nga firma e njohur “Armani”, për javë të tëra hezitoi të takohej me Gazetën Jeta në Kosovë. Javën e kaluar, në bisedën e fundit telefonike, ai tha se asnjëherë nuk do të jetë në dispozicion për t’u takuar dhe për të biseduar për këtë lagje pasi është “shumë i zënë me punë”.