Mijëra Euro Qira Aeroportit për “Strehimin” e Vaksinave

Kontingjente të tëra barnash e vaksinash, të blera me paratë e buxhetit të shtetit, qëndrojnë me muaj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës vetëm për shkak se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës (MSH) nuk i tërheqin ato.

Kjo i kushton taksapaguesve edhe më shumë sesa çmimi i fillimit për import, pasi Qeveria detyrohet t’i paguaj qira edhe Aeroportit, tashmë nën menaxhimin e kompanisë turke “Limak”, për mbajtjen e tyre. 

Gazeta Jeta në Kosovë mund të vërtetojë se Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka paguar ose  duhet të paguaj rreth 7,500 euro për tri kontingjente vaksinash.

Njëri nga kontingjentet qëndroi në aeroport prej datës 12 mars deri më 19 prill 2012 dhe Aeroporti ka lëshuar një faturë me të cilën MSH’ja obligohet 5,978.76 euro, kontingjenti tjetër qëndroi aty nga 11 marsi deri më 19 prill 2012 dhe fatura e lëshuar ka vlerën e 247.49 eurosh, ndërsa një tjetër faturë i ishte lëshuar MSH’së më 31 mars 2012 në vlerë prej 1,206.99 eurosh dhe ajo obligohej të paguante atë deri më 15 prill 2012. (Shih dokumentin 1, 2, 3).

Të enjten, më 19 prill, po ashtu, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka sjellë vaksina të reja për të cilat doganat kanë lëshuar urdhërpagesë prej 1,816.13 eurosh. Nëse ato nuk tërhiqen me kohë, MSH prapë do të duhet të paguaj ANP’në për qira. 

Ndoshta hulumtimi i gazetës ka shpëtuar mijëra euro të tjera buxhetit të vendit, për faktin se menjëherë pas interesimit të saj, ministria është mobilizuar dhe ka tërhequr, të enjten më 19 prill, pra brenda një ditë të vetme, të gjitha vaksinat të cilat prisnin mbi një muaj në ANP.

“Përveç taksës doganore që është dashur të paguhet, kanë mundur të shpëtohen afër 8,000 euro të tjera të cilat duhet t’i paguhen aeroportit”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, Nexhmije Kllokoqi, menaxhere e agjencisë doganore “Forca” e cila kryen shërbime ndërmjetësimi mes doganës dhe operatorëve.

Sipas saj, MSH’ja është duke dëmtuar buxhetin e vendit, pasi operatorët privatë këto formalitete tërheqje i kryejnë me shumë shpejtësi – ndonëse procedurat burokratike janë të njëjta.  

Kllokoqi thotë se ka pasur dërgesa që kanë pritur edhe mbi pesë muaj në aeroport. 

“Më duket neglizhencë dhe e qëllimshme kjo zvarritje në tërheqjen e mallit”, thotë Kllokoqi. “Përderisa operatorët privatë që importojnë barna për farmacitë e tyre mund t’i tërheqin ato maksimumi për shtatë ditë, si ka mundësi të vonojë institucioni i shtetit i cili i pajisë operatorët privatë me dokumentacion e licenca?”.

Kllokoqi ka thënë se ka pasur dërgesa që kanë pritur mbi 3 muaj në aeroport. “Imagjino të presin kaq kohë në aeroport e vaksinat të mos shkojnë atje ku duhet – për shëndetin e fëmijëve dhe popullatës”.

Sipas saj, njëra nga tri kontingjentet e përmendura më lartë, që kishin pritur rreth shtatë javë për tërheqje, kishte pasur vaksina në vlerë prej 240 mijë eurosh.

Zyrtarëve të MSH-së, së pari, kjo humbje nuk u duket se meriton vëmendjen e mediave.

Drejtori i Divizionit të Shëndetit Publik në MSH, Pashk Buzhala, pastaj thotë se vonesat janë bërë shkak të ndryshimeve që janë bërë brenda departamenteve të ministrisë. “Kjo ka ndodhur thjesht për shkak se këta individë nuk janë familjarizuar ende me natyrën e punës”, tha ai.

Buzhala thotë se vaksinat qëndrojnë për një kohë në aeroport , “por jo edhe aq gjatë”.

Ai ka hedhur supozimin se vonesat mund të vijnë edhe nga doganat, por këto të fundit e kanë hedhur poshtë këtë mundësi.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk bëjnë asnjë vonesë për askënd që paguan obligimet doganore, e më së paku për mallrat që vijnë në emër të MSH-së dhe institucioneve tjera të shtetit.

“Përkundrazi për institucionet aplikohet procedurë e përshpejtuar. Veç kësaj, lirohen edhe nga TVSH’ja, por paguajnë vetëm 10 për qind të taksës doganore, çka do të thotë se një zhdoganim ne e bëjmë për 30 minuta”, thotë Stavileci.

Kështu, për shkak të neglizhencës në MSH, duket se barnat rrezikohen nga skadenca dhe paguhet ekstra Aeroporti nga buxheti.

As Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si adresa ku vaksinat duhet të shkojnë, nuk ka një përgjigje. Shefi i epidemiologjisë pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, profesor Isuf Dedushaj, në interesimin e gazetës është përgjigjur se do të shikojë për problemin urgjentisht. 

Pas dy ditësh, ai ka treguar se ka biseduar drejtpërdrejt me Ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe problemi është zgjidhur. “Jemi marrë vesh me ministrin dhe ai ka premtuar se probleme të tilla më nuk do të përsëriten”, ka deklaruar Dedushaj.

foto  
Foto: Korab Basha  

 

Vakisant duhet mbajtur në temperaturë të ftohtë

Transporti i vaksinave prej prodhimit e deri tek pacienti do një tretman specifik, përndryshe dëmtohet cilësia e produktit, sipas ekspertëve.

Farmacisti Adnan Mustafa thotë se duhet të ekzistojë dhe të aplikohet rigorozisht “zinxhiri i ftohtë”, siç njihet në terminologjinë farmaceutike.

“Zinxhiri i ftohtë nënkupton mbajtjen në kushte të veçanta klimatike dhe në frigorifer prej daljes nga prodhimi e deri tek pacienti. Temperaturat që preferohet të mbahen janë prej +2 deri në +8 gradë celsiusë. Nëse zinxhiri i ftohtë këputet gjatë rrugës deri te pacienti, atëherë ajo vaksinë nuk guxon të përdoret”, ka thënë Mustafa.

Aeroporti i Prishtinës nuk është përgjigjur në interesimet e Gazetës Jeta në Kosovë se në ç’gjendje i mban vaksinat në depot e veta derisa të tërhiqen nga Ministria e Shëndetësisë.