Drogë, Telefona e Fli në Burgun e Prizrenit

Qendra e Paraburgimit në Prizren po përballet me parregullsi dhe keqpërdorime si rastet e futjes së drogës, fshehjes së rasteve nga stafi i drejtorisë së burgut, përdorimi i telefonave mobilë  brenda në burg nga vetë të burgosurit, hyrja e gjësendeve tjera siç janë kartela e bankës dhe gjërave ushqimore etj.

Informacionet kanë dalë nga disa oficerë korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Prizren të cilët, duke mos u pajtuar me këtë gjendje, kanë pranuar të intervistohen nga Gazeta Jeta në Kosovë. 

Për shkaqe sigurie, të intervistuarve u mbrohet identiteti (që është i njohur për redaksinë).

Rasti i drogës – 1

Oficerët korrektues njoftuan se në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në vitin 2006, ka hyrë sasi e drogës e llojit marijuana tek të burgosurit të cilëve ajo u ofrohej nga vetë stafi i qendrës.

Për këtë rast, njëri nga të burgosurit e ka njoftuar mbikëqyrësin e lartë Osman Hoxhaj se i burgosuri (A.R.) është duke përdorur drogë, mirëpo të vetmen masë që ai e ka ndërmarrë ka qenë ndërrimi i dhomës për të burgosurin i cili ishte ankuar ndërsa ndaj personit që ka përdorur drogën nuk është ndërmarrë asgjë.

 

 

Një javë më vonë, të burgosurit (A.R.) i është gjetur kartela e telefonisë fikse dhe është intervistuar, si pasojë, nga zv.drejtori Miftar Ziba (tani drejtor në Q.P.- Prizren). Sipas kësaj interviste, me drogë dhe me kartelë i burgosuri ishte furnizuar nga oficeri Bekim Kryeziu.

“Kartelën mbushëse të telefonisë fikse dhe drogën ma ka ofruar oficeri korrektues Bekim Kryeziu”, thuhet në transkriptin e intervistës së të burgosurit, të datës 18 dhjetor 2006, që e ka siguruar gazeta. 

Kjo deklaratë është e shkruar në kompjuter dhe është e nënshkruar nga ana e të burgosurit.

Por në një deklaratë tjetër, të datës 24 gusht 2007, dërguar nga burgu i Dubravës, i burgosuri A.R. mohon “pohimet se gjoja, gjatë qëndrimit në burgun e Prizrenit është furnizuar me narkotikë apo me ndonjë send tjetër antiligjor nga ana e oficerit Bekim Kryeziu”.

“Janë plotësisht të pavërteta, të qëllimshme dhe mirë të qëndisura, krejt për arsye për mua të panjohura, që i njëjti të përjashtohet nga puna. E vërtetë është vetëm fakti se unë ja kam imponuar marrjen nga unë të parave në vlerë prej 10 euro, me qëllim që t’mi blejë dy kartela të 5 eurove të telefonisë fikse. Njërën ma ka pru, kurse tjetrën ka pas me ma pru më vonë”, thotë i burgosuri në deklaratën e tij. 

“Kjo ka ndodhur më datën 18.12.2006, diku ka ora 13’00 pasdite, pasi e kam përbe në fëmijë të vëllait të tij që e ka dëshmor. Kështu që për këtë rast, unë garantoj se oficeri Bekim Kryeziu, paratë e marra nga unë, i ka marrë pa qëllim përfitimi. Jam i gatshëm që në çdo kohë dhe kudo para organeve të drejtësisë edhe gojarisht të dëshmoj”, vazhdon deklarata.

Oficeri tashmë i suspenduar Bekim Kryeziun thotë se e tëra ka qenë kurth e disa personave që vet e kanë kryer këtë vepër “duke u munduar që veten ta nxjerrin të pastër”.

“Me presion e kanë detyruar të burgosurin që të dëshmojë kundër meje”, është shprehur Kryeziu.

Mirëpo, drejtori aktual i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Miftar Ziba, thotë se është në dijeni të shkresës së dytë të të burgosurit dërguar nga Dubrava por se ai nuk i beson asaj. 

Miftar Ziba

 

“(A.R.) ka mundur të gënjejë”, tha Zhiba. “Ne kemi zhvilluar hetimet dhe për këtë rast është suspenduar një oficer dhe kanë qenë të akuzuar edhe tre të tjerë, mirëpo këta janë kthyer në punë pas 72 orëve”, tha Ziba, për Gazetën JnK.

Megjithatë, disa oficerë të qendrës të cilët kanë folur për Gazetën Jeta në Kosovë, kanë sugjeruar se ka qenë i çuditshëm fakti se i burgosuri A.R., edhe pasi që është kapur me narkotikë, nuk është transferuar në ndonjë qendër tjetër të paraburgimit. Edhe ata thonë se, si rezultat i kësaj, tek i njëjti i burgosur është ushtruar presion për të deklaruar kundër oficerit Bekim Kryeziu.

Oficerët e dyshuar për këtë rast kanë qenë: Bekim Kryeziu, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare ose autorizimit, Alush Bakaj, Osman Hoxhaj dhe  Xhemajli Kurtaj, për veprat penale si bashkëkryerës në moslajmërimin e veprave penale apo moslajmërimi i kryerësit të saj.

Kjo lëndë, tani është kthyer në rigjykim, siç duket për shkak të dëshmisë së të burgosurit. 

Rasti i drogës- 2

Ky nuk është rasti i vetëm kur droga ka depërtuar në burgun e qarkut në Prizren. 

Më 2 maj 2008, i dënuari (R. I.), derisa ka qenë kinse duke pastruar sallën e drejtorisë, pas marrëveshjeve paraprake që kishte bërë me një të dënuar tjetër përmes telefonit, nga dritarja e sallës, e ka marrë drogën dhe të njëjtën e ka futur në dhomën e të burgosurve, ku pastaj së bashku me të burgosurit tjerë e kanë përdorur.

Sipas oficerëve korrektues, për këtë rast, ndaj askujt nuk janë ndërmarrë masa dhe kjo lëndë ka mbetur në sirtarët e drejtorisë, pa u njoftuar fare organet hetuese të policisë dhe prokurorisë.

Gazeta JnK ka arritur që të sigurojë shkresat e kësaj lënde, mirëpo drejtori i qendrës së paraburgimit në Prizren, Miftar Ziba, thotë se për këtë rast nuk është fare i njoftuar.

Ai tha se ka mundësi që nga vetë stafi i tij kjo lëndë është fshehur.

Përdorimi i telefonave mobil nga të burgosurit

Përveç drogës, njëri nga problemet më të mëdha në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është edhe përdorimi i telefonave mobilë në mënyrë ilegale nga të burgosurit.

Siç kuptuam më lartë, përmes telefonave, janë bërë planet edhe për hyrje të drogës, përkundër faktit se ka pasur shumë raste që nga oficerët e burgut janë kapur telefona mobilë. Madje oficerët thonë se vetëm brenda dy viteve të fundit janë kapë mbi 50 telefona mobilë.

“Telefonat jo që hyjnë, por ata i fut dikush. Ne kemi gjetur shumë herë telefona, por kjo ka ndodhur deri më datë 26.03.2009. Nga ajo datë është bërë renovimi i burgut dhe asnjëherë më nuk ka ndodhur që të kapim telefona mobilë nga të burgosurit, për këtë ju garantoj”, tha drejtori Ziba.

Gazeta JnK ka arritur të sigurojë disa dokumente zyrtare ku shihet se më datën 26.02.10 dhe 29.09.10, janë kapur telefona në këtë qendër të paraburgimit dhe të njëjtat i janë prezantuar drejtorit Ziba.

“Paskan hy edhe më 2010, mirëpo në vitin e fundit nuk ka pasur asnjë rast”, tha pastaj Ziba.

Oficerët korrektues na treguan se edhe në vitin e fundit ka pasur raste dhe na thanë se vazhdimisht telefonat hyjnë në këtë qendër të paraburgimit. 

Madje të njëjtit na njoftuan se në një rast nga vetë pastruesja është gjetur telefoni mobil i një të burgosuri i cili është privilegjuar duke punuar në pjesën ku është i vendosur stafi i drejtorisë.

Gjetja e kartelës së bankës e të burgosurit, gjatë vuajtjes së dënimit

Njëri nga oficerët korrektues na tregon se në këtë qendër, të burgosurit (N.B.), gjatë bastisjes, i është gjetur edhe kartela e bankës të cilën ia ka ofruar mbikëqyrësi i lartë Osman Hoxhaj – zyrtari i njëjtë i cili ka qenë i akuzuar edhe për rastin e drogës. 

Askush nuk është ndëshkuar. 

“Kartela e bankës është nxjerrë nga depoziti, aty ku ruhen gjësendet e të burgosurve dhe ku askush nuk guxon të prekë asgjë pa lejen e drejtorit”, tregoi oficeri për gazetën. “Me këtë rast mbikëqyrësi Hoxha ka mundur të përfitojë nga kjo kartelë e bankës, pasi që nuk dihet se sa kohë e ka mbajtur të njëjtën duke i ofruar shërbime të burgosurit dhe njëkohësisht duke tërhequr para edhe për vete”.

Drejtori Ziba na tha se nuk është i njoftuar, edhe pse Gazeta JnK ia prezantoi dokumentin zyrtar i cili është kopjuar nga sirtarët e drejtorisë.

Hyrja e flisë te i burgosuri

 

 

Në një rast tjetër, siç kanë treguar oficerët e qendrës, zëvendësdrejtori Shaban Kamberaj, në kohën kur nuk ka qenë prezent drejtori Ziba, e ka futur flinë te një i burgosur, gjë që me rregullore të brendshme të burgut, nuk është e lejuar.

Sipas tyre, ka ndodhur që për futje të gjësendeve tjera si cigare etj., oficerët e qendrës të janë suspenduar, mirëpo në këtë rast asnjë masë nuk ishte marrë. 

Gazeta JnK ka arritur që të sigurojë kopjen e librit zyrtar të aktiviteteve ditore të të burgosurve dhe ka hasur në faktin të cilin e sugjeruan oficerët korrektues të qendrës së paraburgimit në Prizren.

Ja se çfarë thuhet në të: “Datë 21 maj 2011: Me urdhër të zv.drejtorit Shaban Kamberaj, të dënuarit Nagip Morina i lejohet (i sillet) një fli dhe një tas marmelatë, nga vëllai i tij të cilën ia sjellë në krahë gjegjësisht në dhomë, mbikëqyrësi i lartë Osman Hoxhaj”.

Drejtori Ziba tha se ishte i njoftuar me këtë rast. 

“Meqë nuk është e lejuar që të futet ushqim dhe asgjë tjetër te të burgosurit, unë kam suspenduar oficerë pasi janë kapë duke futur cigare. Për këtë rast, gojarisht zv.drejtorit Kamberaj, ia kam tërhequr vërejtjen”.

Në pyetjen se përse nuk janë ndërmarrë masa më të ashpra ndaj zv.drejtorit, drejtori Ziba tha se “ka mjaftuar që ia ka tërhequr vërejtjen”. 

Në lidhje me gjithë këto parregullsi ne kemi kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Resmi Hoxha, që të intervistojmë këta zyrtarë të drejtorisë në burgun e Prizrenit: Miftar Ziba- drejtor,  Shaban Kamberaj-zv.drejtor,  Hyrjet Selaj- udhëheqës për siguri,  Xhemali Kurtaj-mbikëqyrës i lartë, Osman Hoxhaj- mbikëqyrës,  Alush Bakaj- mbikëqyrës dhe Xheladin Haxhillari- menaxher i kuzhinës. Pas tri javë pritje, kemi marrë përgjigje që mund të intervistojmë vetëm drejtorin e burgut në Prizren.