Posti i Drejtorit Kushton 2 Mijë Euro

Profesori nga qyteti i Prizrenit kishte menduar se ka dhënë mjaft në edukimin e brezave të rinj, andaj për të kishte ardhur koha që ta menaxhonte një shkollë. Profesori Muhamet Kacabashi ka konkurruar për drejtor të shkollës “Dardania” në Prizren, por nuk është zgjedhur në këtë post. Është i bindur se i plotësonte të gjitha kushtet, por nuk u përzgjodh vetëm pse nuk dha mito.

“Unë kam ngritur kallëzim penal ndaj Drejtorinë komunale të Arsimit në Prizren”, nis rrëfimin e tij profesori Kacabashi. “Kam qenë kandidat potencial për t’u zgjedhur drejtor… Por m’i kanë kërkuar 2000 euro që të zgjidhem”, deklaron Kacabashi.

Ai përmend me emër e mbiemër, zyrtarin e arsimit, Reshit Kushaj, t’i ketë kërkuar ryshfet. “Më tha nëse don të bëhesh drejtor, jepi 2 mijë euro”.

“E kam dëshmitarin e gjallë, i cili po ashtu është një punonjës i Drejtorisë së Arsimit në Prizren”, i tha Kacabashi, Gazetës Jeta në Kosovë.

Muhamet Kacabashi

 

Por edhe dëshmitar, sipas tij, tashmë është i suspenduar nga puna, për shkak se do të dëshmojë në gjykatë për punën e 2 mijë eurove. “Nuk më janë kërkuar një herë këto para, por së paku tre herë”.

Ndërsa Reshit Kushaj i cili po akuzohet nga Kacabashi, nuk ka dashur të flasë duke thënë se njeh fare pak këtë profesor.

Ndërsa, i pari i arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, “nuk e beson se janë kërkuar ato para”.

Çoçaj thotë se profesor Muhamet Kacabashi dhe zyrtari i arsimit, Reshit Kushaj, kanë qenë shokë mes vete. “Ndoshta edhe në ndonjë bisedë të rëndomtë, i ka thënë në shaka”, shprehet ai.

Çoçaj paditet në gjykatë

Drejtori komunal i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, aktualisht është duke u përballur me një gjykim për shpërdorim të detyrës zyrtare. Por ai, së shpejti do të përballet në gjyq edhe me një padi të cilën e ka ngritur një ish-mësimdhënës i këtij qyteti.

Emir Berisha, ish-mësimdhënës i Gjeografisë në shkollën “Emin Duraku” në Prizren thotë se e ka paditur drejtorin e Arsimit, pasi i ka shkelur të gjitha ligjet me rastin e pranimit në punë të mësimdhënësve. “Unë kam qenë mësimdhënës në këtë shkollë me normë të plotë dhe më është shpallur i lirë vendi i punës”, thotë Berisha.

Berisha fillimisht e kishte zëvendësuar babain e tij, i cili po ashtu kishte qenë mësimdhënës në këtë shkollë. Ai ishte pensionuar dhe vendin e tij e kishte zënë i biri. Thotë se një kohë kishte punuar edhe pa pagë.

“Babai im pasi doli në pension unë shkova në këtë shkollë dhe pata normën e plotë, por u largova”, thotë Berisha.

Mirëpo, version tjetër ka drejtori komunal i Arsimit, Nexhat Çoçaj. Ai thotë se procesi i pranimit të punëtorëve arsimorë ka shkuar në rregull. “Nuk mundemi na krejt fëmijët e ish-mësimdhënësve me i marrë në punë”, thotë Çoçaj, i cili nuk e ka problem që të paraqitet në gjykatë.

Probleme edhe në fshatrat shqiptare të Leposaviqit

Ankesat me rastin e pranimit të mësimdhënësve tashmë janë bërë dukuri, e kjo nuk ka lënë pa prekur as tri fshatrat e fundit të banuara me popullatë shqiptare të komunës së Leposaviqit.

Banorët e fshatit Bistricë, përveç situatës së sigurisë, me të cilën ballafaqohen çdo ditë, përballen edhe me probleme në arsim.

Edhe pse në këtë fshat mësojnë vetëm 28 fëmijë, për një muaj në këtë shkollë kanë munguar gjysma e nxënësve, për shkak të problemeve me punësim të mësimdhënësve.

Driton Hetemi, ishte mësimdhënës në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë të Leposaviqit, mirëpo gushtin e shkuar atij nuk iu vazhdua kontrata. “Unë kam qenë mësimdhënës këtu, dhe për çudi ma shpallën të lirë vendin e punës. E çka është më e keqja, as në intervistë nuk më kanë ftuar”, tregon Hetemi.

Ai është ankuar në institucionet që gjenden në jug të Mitrovicës. “Inspektorati i Arsimit i ka rekomanduar drejtorisë së shkollës që të anulojë vendimet e punësimit, por drejtoresha nuk i ka marrë parasysh”, thotë Driton Hetemi.

Muharrem Peci, i cili është shef i Inspektoratit të Arsimit për rajonin e Mitrovicës, thotë se me rastin e pranimit në punë mësimdhënësve të rinj, në këtë shkollë janë gjetur shumë shkelje ligjore. Madje, thotë se ka thënë se ka pasur edhe falsifikim të nënshkrimeve.

Mirëpo, drejtoresha e shkollës, Ferdane Shabani, thotë se “këtu gjithçka ka shkuar në rregull”.

Por ajo e pranon se nuk po i respekton vendimet e Inspektoratit të Arsimit. “Nuk kam pse t’i respektojë këto vendime, sepse këtu është shumë mirë”, ka thënë Shabani.

E për Driton Hetemin, kjo drejtoreshë po bën krim në arsimin e Kosovës. “Po pranon njerëz në mënyrë të jashtëligjshme, njerëz familjarë të saj, fëmijë të shoqeve të saj, edhe ky është krimi më i madh”, tha Hetemi.

Derisa, Inspektorati i Arsimit në Mitrovicë insiston se këto vendime duhet të respektohen, drejtoresha është shumë e sigurt që ajo po bënë shumë punë të ndershme.

“Unë vij çdo ditë këtu, e rrezikoj vetveten, vetëm që këta fëmijë të kësaj pjese të arsimohen”, tha Shabani.