Mjekët Gjumashë Kujdestarë

Në korridorin e errët të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, familjarët e Albanë Tallës po prisnin tash sa minuta.

Të afërmen e kishin sjellë me urgjencë, në pikë të natës, por në QKMF nuk po i priste askush. E sëmura ishte ulur në një karrige në korridorin e ftohtë, ndërsa trupi i dridhej.

Dhoma e mjekut ishte e zbrazët. As thirrjet për ndihmë nuk ua prishte gjumin stafit të QKMF-së në Llap. “Kur e ke dikë të afërm të sëmurë rëndë, minutat të duken shumë të gjatë”, thotë Talla.

Ajo ka treguar për Gazetën Jeta në Kosovë se pas disa minutash “kërkimesh”, në një kthinë që shfrytëzohet si bufe e gjetën një teknik mjekësor që po flinte në karrige. Një filxhan kafeje, tashmë i zbrazur, nuk i kishte ndalur dot gjumin djalit të ri që kishte veshur kostumet ngjyrë të gjelbër, të punuara enkas për teknikët medicinalë. I trembur kur i kishin kërcitur në tavolinë, ai ishte zgjuar. “Iu deshën disa çaste me marrë vesh ku ishte dhe çka po i thoshim”.

Tekniku shkoi dhe i trokiti në derën e mjekut. “Tak-tak, tak–tak…Dy herë radhazi, si me kod. Dyshemesë i ra një vijë drite, nga hapësira nën derë. Tek atëherë kuptuam se mjeku u zgjua nga gjumi dhe aktivizoi poçin. Për një çast, një çelës u rrotullua në dhomën e pushimit. Mjeku doli në korridor. E kishe përshtypjen se mund t’ia shihje bllombat në dhëmbë, nga hapja e gojës, si pasojë e gjumit të rëndë që e kishte pllakosur”, tregon studentja e Filologjikut.

Albanë Talla

 

Ajo thotë se stafi i përgjumur, u desh ta përsëris disa herë vënien e gjilpërës, derisa më në fund e qëlluan venën që e pranonte infuzionin. Të nesërmen, pacientes dora i kishte marrë ngjyrë të kaltër të mbyllur, si pasojë e shpimeve të njëpasnjëshme për vetëm një infuzion.

E gjumi natën nuk pllakos vetëm stafin e QKMF-së në Podujevë. Ekipi i “Jetës në Kosovë”, ka bërë disa vizita në gjashtë qendra të Kosovës, për të parë se si funksionon kujdestaria gjatë ndërrimit të natës. Ferizaj, Vitia dhe Gjilani janë vizituar më 11 janar dhe 6 mars të këtij viti. Në Ferizaj, një orë pas mesnatës së 11 janarit, ekipi i BIRN-it ka gjetur mjekun kujdestar Shukri Salihu në gjendje gatishmërie. Ai sapo i kishte dhënë ndihmë mjekësore një pacienteje.

 

Kur e ke dikë të afërm të sëmurë rëndë, minutat të duken shumë të gjatë”, thotë Albanë Talla.

Por, të njëjtën datë, një orë e gjysmë më vonë, në QKMF-në e Vitisë, heshtja kishte pllakosur qendrën e vetme shëndetësore në këtë qytezë. Dyert e ambulancës ishin të hapura, kurse në emergjencë nuk kishte asnjë njeri. Një nxehëse punonte vazhdimisht në korridor, kurse shtretërit e emergjencës ishin bosh.

Pas disa minutash, në korridor doli doktori Sabedin Maliqi. Tek atëherë, ai zgjoi nga gjumi stafin tjetër mjekësor, por ai e kishte lënë në “harresë” shoferin e auto-ambulancës, Ramadan Pirën, i cili para kamerave, i hutuar dhe i përgjumur, po mbathte këpucët.

Edhe në Gjilan, mjekët ishin në gjumë, pak para se të zbardhë agu në këtë qytet.

Doktoresha Luftime Rexhepi arriti të dalë më shpejt në korridor të ambulancës së vetme që ofron shërbime shëndetësore parësore gjatë natës në Gjilan. Ndërkohë, shoferi i autoambulancës, Bejtush Xhaviti, u ngrit i hutuar nga gjumi. Ai madje kishte problem të orientohej. “A është zgju prej gjumit doktoresha, kqyrne”, ishte reagimi i tij.

Ndërkohë doktoresha tjetër, Arbëresha Berisha, nuk ngrihej dot nga vendi i saj. Një jastëk ngjyrë qielli ishte në krahun e saj të majtë. Doktoresha nuk këndellej edhe lehtë. Tha se kishte problem me tensionin. Dy fletore me kopertina të trasha, i kishte hedhur shkujdesshëm njërën mbi tjetrën.

A është zgju prej gjumit doktoresha, kqyrne”, pyeste shoferi i autoambulancës, Bejtush Xhaviti.

Një nate më vonë, ekipi i “Jeta në Kosovë” ka vizituar QKMF-në në Istog. Sabaudin Sijariqi, teknik medicinal, kujdestaronte bashkë me doktorin Xhafer Ibrahimaj. Të dy ishin duke bërë gjumë në dhomat e tyre, derisa ekipi televiziv u fut brenda. Disa minuta u desh që ata të dalin në korridor. Doktor Ibrahimaj tha se janë duke pushuar, sepse ai si 60-vjeçar nganjëherë ka nevojë për pushim.

Në QKMF në Pejë, ekipi i “Jetës” e ka pasur të vështirë të gjejë hyrjen. Dritat ishin të fikura, kurse sigurimi i QKMF-së, ishte i vetmi person i zgjuar, natën e 13 janarit. Doktori Belkija Vokshi ishte në dhomën e pushimit, drita e së cilës ishte e fikur.

“Ne s’po kemi problem me gjumin. Problem me gjumin kanë pacientët të cilët vijnë pastaj te ne”, thotë ai, duke qeshur.
 
Doktori tregon se hyrja e QKMF-së nuk është ndërtuar siç duhet.

Sado që punëtori i sigurimit të QKMF-së në Pejë ishte i zgjuar, ai vetëm në fund të vizitës, mbase me instruksione të mjekut, i ra në mend që të kërkoj nga gazetarët t’i tregonin ID-të e tyre.

Ora shënonte 3 e 45 minuta, kur ekipi u fut në QKMF-në “Nënë Tereza”, në Klinë. Një muzikë e lehtë dëgjohej në korridorin e kësaj qendre. Ishte shenjë kjo, që të krijonte përshtypjen se aty dikush ishte afër. Por, askush nuk ishte zgjuar. Madje, stafi i QKMF-së në Klinë, natën e 13 janarit, mund të konsiderohet si stafi më gjumash. Për rreth 10 minuta, megjithë “alo”-t e gazetarit, nuk është zgjuar askush.

Pas rreth 10 minutash, në korridor doli shoferi i QKMF-së. Tek pastaj, u paraqit mjeku Kushtrim Maloku, që po flinte në zyrën e tij.

 

Ardita Baraku

 

Kryeinspektorja  e shëndetësisë, Ardita Baraku, për emisionin “Jeta në Kosovë”, ka thënë në muajin janar se nuk është me rëndësi a fle, apo jo doktori. “Me rëndësi është që atë sekondë që pacienti të paraqitet tek mjeku, të marrë ndihmën mjekësore”. Ajo ka premtuar se do të shqyrtojnë çështjen e kujdestarive, pikërisht në këto komuna ku ekipi i “Jetës në Kosovë” i ka gjetur mjekët në gjumë.

Dy muaj më vonë, më 6 mars, “Jeta në Kosovë” ka përsëritur vizitat natën në QKMF-të në Ferizaj, Viti dhe Gjilan.

Në qytetin e Ferizajt, doktoresha Emine Kupina ishte zgjuar në pritje të pacientëve. Bashkë me të ishte edhe stafi i infermiereve. Kjo, rreth orës 1 e 30, pas mesnatës. Në Ferizaj, stafi ishte ndarë në dysh. Burrat pushonin, kurse gratë flinin.

“Doktor, doktor, e ke një pacient…Quu më shpejt”, ishte reagimi i një infermiereje, e cila trokiste në derën e mjekut ferizajas, Shemsedin Avdiu.

Ai tha se nuk ishte edhe aq mirë me shëndet dhe se kjo ishte arsyeja që kishte shkuar “të pushojë pak”.

Në Viti, gjendja ishte përmirësuar krahasuar me vizitën e parë. Doktori Alban Abdyli ishte në gatishmëri. Stafi tjetër mjekësor, kishin përcjellë një pacient për në Spitalin e Gjilanit.

E në Gjilan, në dhomën e doktorit Hasidin Bunjaku, e ndezi dritën punëtori i sigurimit të QKMF-së “Dardania”, qendër kjo e vetmja që ofron ndihmë mjekësore ambulantore natën.

“Këtu nuk ndodhë me pritë pacienti”, tha doktori. I pyetur se sa është koha e artë e pritjes së një pacienti, ai e pranon se shpesh “minuti është i madh shumë”.

Më 7 mars, ekipi i BIRN-it ka qëndruar sërish në Klinë. Sërish ishte kujdestar doktori Kushtrim Maloku. Ai kësaj radhe ishte zgjuar. “Mua më vjen mirë që keni ardhë sërish për ta riverifikuar situatën”, tha doktori Maloku.

 Diçka dera ishte prishë…Mezi që dolëm”, tha mjeku Belkija Vokshi.

Në Istog, asgjë nuk ishte më mirë se herën e parë. Stafi i atyshëm, dukej vetëm sa kishin thelluar gjumin. Tekniku Sabaudin Sijariq mezi i hapte sytë kur doli në korridorin e QKMF-së. Mjeku Xhafer Ibrahimaj kishte lënë bosh vendin e punës. Ai kishte shkuar në dhomën e pushimit. Thotë se pagjumësia shkakton probleme në shëndet, e që mund të lidhen me aspektin psikik!

Por, tha se nuk ishte duke fjetur, por vetëm se ishte “kotur”. Në Pejë ndërkaq, natën e dytë të vizitës “rrufe”, doktori Belkija Vokshi e kishte të vështirë të dalë nga dhoma ku pushonte. “Diçka dera ishte prishë…Mezi që dolëm”, tha doktori pejan.

Kryeinspektorja shëndetësore, Ardita Baraku, dy muaj më vonë, thotë se ndryshe nga ekipi i “Jeta në Kosovë”, inspektorati nuk ka gjetur parregullsi në terren. Por, ajo saktëson se inspektorët kanë shkuar në vizita në institucionet shëndetësore gjatë ditës.

Inspektorët e saj nuk kanë vërejtur parregullsi në terren, por mjekët “gjumashë”, mund t’i shohin në këtë video.

http://www.jetanekosove.com/shikovideo/1014/Alb