Pushtetarët Uzurpojnë Prona në Vushtrri

Dhjetëra prona të ndërmarrjes shoqërore “Elan” nga Vushtrria për vite me radhë po mbahen të uzurpuara nga shfrytëzues ilegalë të cilët kanë ndërtuar edhe shtëpi në pronat e saj. 

Përfaqësuesit ndërmarrjes bujqësore, që ende nuk është privatizuar, thonë se kanë evidentuar 46 uzurpatorë, në mesin e të cilëve ka edhe zyrtarë të komunës dhe zyrtarë të policisë. 

Sipas drejtorit ekonomik të ndërmarrjes, Tahir Tahiri, rreth 50 hektarë toka të kësaj ndërmarrje, nga 600 sa ka në përgjithësi, po mbahen të uzurpuara. 

Tahiri tregon se në këto prona tashmë janë ndërtuar edhe shtëpi.

Tahir Tahiri

“Disa prej ndërtuesve të shtëpive janë qytetarë të thjeshtë por fatkeqësisht kemi edhe deputetë të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë të cilët kanë ndërtuar objekte, siç është shembulli i deputetit Gani Imeri si dhe zyrtarit të policisë Ahmat Hasani”, thotë Tahiri. 

Ai thotë se nga institucionet kompetente kanë kërkuar t’i pengojnë uzurpatorët, prej vitit 2001 e këndej, por masa preventive nuk janë marrë asnjëherë, as nga ana e komunës e as nga ajo e gjykatës kompetente.

Ndërtuesit e shtëpive e pranojnë se toka nuk është pronë e tyre. Naser Imeri, vëllai i deputetit të komunës Gani Imeri, pranon se toka ku ai ka ndërtuar tri shtëpitë është pronë shoqërore. Shtëpitë e mëdha i kishte ndërtuar më 2010, dhe ato gjenden në hyrje të Vushtrrisë. 

“Disa prej ndërtuesve të shtëpive janë qytetarë të thjeshtë por fatkeqësisht kemi edhe deputetë të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, siç është deputeti Gani Imeri dhe zyrtari i policisë Ahmat Hasani” Tahir Tahiri

Naser Imeri shfajësohet me faktin se ka pasur një kontratë për ta shfrytëzuar me qira këtë tokë. Thotë se e kupton që nuk ka pasur të drejtë të ndërtojë në pronë shoqërore, mirëpo këtë e ka bërë pasi që edhe fqinjët e tij kishin vepruar njëjtë. 

Ai mohon se në këtë pronë ka të ndërtuar shtëpi edhe vëllai i tij, deputeti në komunë dhe ish-komandanti i njohur i rajonit nga lufta e UÇK’së Gani Imeri. “Dy shtëpitë janë të vëllezërve që jetojnë në Austri ndërsa e treta është e imja”, thotë Naseri.

Ahmat Hasani, zyrtari i policisë, shtëpia e të cilit gjendet afër shtëpive të Imerëve, s’ka pranuar të flasë kur është kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Komuna jep mbi gjashtë hektarë tokë në shfrytëzim pa konkurs 

Nuk janë vetëm uzurpatorët privatë ata të cilët janë duke i shfrytëzuar pronat shoqërore të ndërmarrjes “Elan”. Drejtuesit e ndërmarrjes kanë probleme edhe me vet komunën e Vushtrrisë, pasi ajo i ka dhënë në shfrytëzim disa prona për të cilat drejtuesit e ndërmarrjes pretendojnë se janë të tyre.

“E di që nuk kam pasur të drejtë të ndërtojë në pronë shoqërore, mirëpo këtë e kam bërë pasi që edhe fqinjët kanë vepruar njëjtë.” Naser Imeri

Bëhet fjalë për 60 ari në fshatin Nadakovc dhe 5.5 hektarë në fshatin Stanovc i Poshtëm të cilat në vitin 2008 ishin dhënë në shfrytëzim për 20 vjet nga komuna për disa biznese si qumështore, autoservisë, fabrika mobiliesh etj. 

“Prona jonë në fshatin Nadakovc me vendim të komunës i është dhënë me koncesion një biznesmeni e po ashtu pronat tona në fshatin Stanovc i Poshtëm i janë dhënë në shfrytëzim disa biznesmenëve nga Vushtrria”, thotë Tahir Tahiri, zyrtar i ndërmarrjes “Elan”. 

Ai potencon se komuna në mënyrë të kundërligjshme e ka shndërruar pronën shoqërore në pronë komunale, për t’i hapur rrugë dhënies së saj me koncesion. Tahiri shfaq dyshimet e tij për mënyrën se si është dhënë prona në shfrytëzim.

“Komuna u ka dhënë këtë pronë në shfrytëzim disa bizneseve pa tenderë dhe pas asnjë procedurë konkurrimi”, thotë Tahiri.

Zyrtarët e komunës së Vushtrrisë janë të mendimit se pronat në fjalë janë komunale, kurse pranojnë se ato i kanë dhënë në shfrytëzim pa asnjë procedurë konkurrimi.

Kreu i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku thotë se këto prona janë komunale dhe se ata të cilët kanë pretendime tjera mund t’i drejtohen gjykatës.

Bajram Mulaku

Mulaku pranon se gjatë procedurës së dhënies në shfrytëzim të këtyre pronave, komuna nuk ka hapur tender, e as nuk ka pasur ndonjë shpallje publike, mirëpo pronat ua ka dhënë disa bizneseve të cilat janë interesuar me vetiniciativë në komunë.

Një procedurë e tillë, ku komuna i ofron në shfrytëzim pronat komunale pa tender dhe pa shpallje publike, nuk është në përputhje me ligjin, pasi që kërkohet që procedurat të jenë të hapura dhe konkurruese. 

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Pushtetit Lokal, komuna, me rastin e dhënies në shfrytëzim, është dashur të kujdeset që të gjithë qytetarët dhe palët të njoftohen.

Gjatë dhënies në shfrytëzim të pronave, komuna nuk ka hapur tender, e as nuk ka pasur ndonjë shpallje publike, mirëpo pronat u janë dhënë disa bizneseve të cilat janë interesuar me vetiniciativë në komunë. Bajram Mulaku

“Secila dhënie e tokës në shfrytëzim duhet të jetë e drejtë dhe duhet të ketë oferta prej aplikantëve të cilët pretendojnë ta marrin një pronë komunale me qëllim që t’iu garantohet gjithë qytetarëve e drejta të konkurrojnë për marrjen e një prone të caktuar në shfrytëzim”, thotë Agron Maxhuni, zyrtar ligjor në këtë ministri.

Komuna kërkon ndërrimin e 5 hektarëve për të ndërtuar park 

Zyrtarët e ndërmarrjes “Elan” kanë filluar të shqetësohen edhe për një pronë tjetër të cilën komuna po tenton ta kthejë në pronë komunale.

Prona e Kontestuar

Komuna i ka kërkuar Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP) që pronën me sipërfaqe prej 5 hektarësh në fshatin Stanovc i Epërm ta kthejë nga prona shoqërore në pronë komunale. Sipas drejtuesve të ndërmarrjes “Elan” këto ndërrime po kërkohen në mënyrë që t’i hapet rrugë dhënies së kësaj prone në shfrytëzim tek biznese të caktuara.

“Ne kemi informacione se dikush planifikon të ndërtojë një hotel ose një qendër rekreative me restorante në atë pronë”, thotë Tahir Tahiri, drejtor ekonomik në “Elan”. 

Mirëpo kryetari  i komunës Bajram Mulaku mohon këtë duke shpalosur një projekt tjetër për atë pjesë. Sipas Mulakut, pasi që në atë parcelë janë të vendosura varrezat e dëshmorëve, komuna planifikon ta ndërtojë një park.

Hulumtimi ynë tregon se ideja e kryetarit për të ndërtuar një park në këtë vend nuk është përmendur fare në kërkesën të cilën komuna ia ka drejtuar AKP-së. Në kërkesën të cilën e kemi siguruar shkruan se komuna në atë pjesë do ndërtojë shkolla dhe objekte kulturore. Një arsyetim i tillë i kërkesës pranohet edhe nga zyrtarët e AKP-së.

Sipas Ylli Kaloshit, zyrtar për informim në AKP, komuna e ka kërkuar ndërrimin e kësaj prone me arsyetimin se i nevojiten hapësira për të ndërtuar objekte kulturore dhe arsimore.

Ideja se aty do të ndërtohen shkolla ose objekte kulturore mohohet nga kryetari i komunës Bajram Mulaku. “Aty do ndërtohet vetëm një park dhe asgjë tjetër”, thotë Mulaku. 

EULEX’i heton Gani Imerin

Uzurpimet e pronave dhe dyshimet për keqpërdorime në komunën e Vushtrrisë nuk kanë mbetur pa u vërejtur nga policia dhe misioni BE’së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX. 

Katër zyrtarët janë arrestuar më 5 mars nën dyshimet se kanë bërë shkelje penale, përfshirë okupimin e paligjshëm të pronës së paluajtshme, shpërdorimin e detyrës zyrtare ose të autorizimit, ushtrim të ndikimit dhe krim të organizuar.

Zyra Kadastrale, Vushtrri

Ata janë Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Beqiri, ai i Urbanizmit, Idriz Ismajli, drejtori i Shërbimeve Publike, Sami Istrefi dhe deputeti komunal, Gani Imeri. 

Zyrtarët në fjalë një ditë pas arrestimit janë liruar nga masa e arrestit, mirëpo sipas zyrtarëve të EULEX-it hetimet e prokurorisë së këtij misioni për katër zyrtarët do vazhdojnë.