Vëllai i Kryetarit Furnizon Komunën e Deçanit

Fahri Selmanaj, i vëllai i kryetarit të Deçanit Rasim Selmanaj, furnizon rregullisht komunën me material administrativ përmes shtypshkronjës “Agimi De” e cila ndodhet rreth 50 metra larg prej ndërtesës së qeverisë lokale.

Që nga viti 2004, kur ky biznes ishte regjistruar, “Agimi De” ka fituar të gjithë tenderët përkatës të komunës së vogël ndërsa vetëm një herë e ka pasur për konkurrencë në tender një kompani tjetër nga Deçani.

Më 31 korrik 2009, “Agimit De” i ishte dhënë një kontratë “kornizë” për furnizim me material administrativ për kuvendin komunal, shkollat, mirëqenien sociale dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) “A. Ukëhaxhaj”. Me kontratën kornizë, porositë kryhen në bazë të nevojave të autoritetit kontraktues. Kontrata kishte skaduar në tetor të vitit 2010 dhe zyra e prokurimit komunal pa tender e vazhdoi atë edhe për 12 muaj.

Sipas ligjit të prokurimit publik, kontrata kornizë nuk mund të vazhdohet ose ripërtërihet. Më saktë neni 38 i këtij ligji, pika 2 thotë: “Asnjë kontratë publike kornizë nuk do të ketë kohëzgjatje më shumë se tridhjetegjashtë (36) muaj. Kontrata publike kornizë nuk mund të zgjatet apo të ri-përtërihet dhe kushtet e saj nuk mund të ndryshohen”.

Këtu kontrata ishte njëvjeçare, por ajo ishte zgjatur.

Në atë kohë, Rasim Selmanaj, i vëllai i dytë i Fahriut që vjen në krye të komunës, ishte Kryetar i qytetit, i zgjedhur nga votimet lokale të vitit 2009.

Në tetor të vitit 2011 sërish kompania “Agimi DE” shpallet fituese edhe për dy vitet e ardhshme për tenderin e njëjtë.

Sipas ritmit të shpenzimeve të komunës, bazuar në raportet vjetore të saj, “Agimi De” duhet të ketë fituar rreth 300 mijë euro dhe kjo do të shkojë deri në 320 mijë nëse kontrata aktuale zbatohet deri në fund. Në vitin 2010 ajo kishte sjell material prej 46,088.76 eurosh për komunën, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2011’ës, 27,771.91 euro.

E gjithë kjo mund të jetë në kundërshtim me ligjin kundër konfliktit të interesit sipas së cilit zyrtari publik ndalohet të “të ndërmarrë veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten interesit personal të tij apo interesit të personave të afërt”.  

Por kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili ka qenë edhe deputet i Parlamentit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mohon që ai mund të ketë ndikuar në fitimin e këtyre tenderëve nga “Agimi de”.

“Tenderi është dhënë para se të bëhesha unë kryetar”, thotë Rasim Selmanaj për Gazetën JnK, duke hedhur poshtë çdo ndikim që ai mund të ketë pasur në vazhdimin e saj më 2010. “Kjo është punë e prokurimit, unë nuk i di detajet. Unë në asnjë formë nuk kam ndikuar. Jo vetëm në këtë rast, por në asnjë tjetër”. 

“Kjo është punë e prokurimit, unë nuk i di detajet. Unë në asnjë formë nuk kam ndikuar. Jo vetëm në këtë rast, por në asnjë tjetër” Rasim Selmanaj

Fahri Selmanaj, i cili ka nënshkruar kontratën e tetorit 2011, thotë se ai nuk është pronar i kompanisë.

“Pronare dhe themeluese e kësaj kompanie është gruaja ime. Unë këtu (te shtypshkronja e ‘Agimi De’) jam punëtor. Punëtor me rrogë”, thotë ai, derisa tregon një listë të pagave ku ai është paguar me 200 euro. “Unë e kam kompaninë ‘Te Agimi””. Kjo e fundit vepron në Pejë.

Edhe sipas regjistrimit në Ministrinë e Tregtisë, kompania “Agimi De”, e themeluar në vitin 2004 është e regjistruar në emër të Hajrie Selmanajt ndërsa “Te Agimi” në Pejë në emër të Fahri Selmanajt.

Por në faqen zyrtare të “Agimi de” në facebook.com si themelues figuron vetëm emri i Fahri Selmanajt. Po aty, kompania e llogarit komunën e Deçanit si partnere.

Gjithashtu, edhe dokumentet e siguruara nga komuna e Deçanit, tregojnë se në vazhdimësi – më 2009, 2010 dhe 2011 – tenderët janë nënshkruar nga Fahri Selmanaj dhe menaxheri i prokurimit në këtë komunë, Xhevdet Ramosaj. 

“Pronare dhe themeluese e kësaj kompanie është gruaja ime. Unë këtu jam punëtor me rrogë” Fahri Selmanaj

Ramosaj mohon të jetë ndikuar nga kryetari në prokurimet që ai ka nënshkruar.

“Kryetari nuk ka pasur kurrë ndikim në ndonjë proces prokurimi e aq më pak në këtë rast”, thotë ai për Gazetën JnK. “Prokurimi është i pavarur. Tash, fakti që (Fahri Selmanaj) është vëllai i kryetarit nuk do të thotë se duhet të bëhet rast social e të mos punojë”.

Shefi i prokurimit thotë se tenderin e njëjtë e fiton kjo kompani prej që ekziston. “Gjithmonë ka ofertuar çmimin më të ultë i cili ka qenë edhe kriteri kryesor i tenderit”, shpjegon Ramosaj.

Sipas tij, vetëm një herë, “Agimi De” kishte pasur një kompani konkurrente nga Deçani në këtë tender. “Një herë, në tenderin e parë, ka qenë edhe një kompani e Deçanit në konkurrencë. Më nuk ka konkurruar asnjë se këtu të gjitha janë kompani dhe librari të vogla dhe si të tilla e kanë të pamundur të jenë konkurrente në ofrimin e çmimit”.

Në faqen zyrtare të kësaj komune nuk është i publikuar asnjë njoftim lidhur me tenderët e komunës siç janë të obliguar me ligjin e prokurimit publik.

Asambleisti i Deçanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Jeton Mushkolaj, tenderin e quan “familjar”.

I vëllai i madh. Tjetri.

Historia e konfliktit të mundshëm të interesit është më e gjatë. Në periudhën 2005-2007, duke e përfaqësuar AAK’në, me Deçanin kryesonte Nazmi Selmanaj, vëlla i Rasimit dhe Fariut.

Ai do të vinte në këtë pozitë që të zëvendësonte Ibrahim Selmanajn i cili u emërua ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës nën Kryeministrin Ramush Haradinaj.

Nazmi Selmanaj aktualisht është asambleist nga radhët e AAK’së në kuvendin komunal në Deçan si dhe është drejtor i ndërmarrjes publike rajonale të ujësjellësit “Ujësjellësi”, Deçan.

Zyrat e shtypshkronjës në objekte publike

Në pallatin e Kulturës “Jusuf Gërvalla” të Deçanit ka shumë pak aktivitete kulturore. Më së shumti njerëz frekuentojnë në katër bizneset që janë me qira në këtë objekt.

Aty, një hapësirë prej 92 metrash katrorë e zë edhe shtypshkronja “Agimi De”. 

Drejtori i pallatit Ali Gecaj tregon se qiraja aktualisht dhe për vitin 2011 ka kushtuar 142 euro për muaj për kompaninë “Agimi De”. Por ai nuk tregon nëse e njëjtë ka paguar qira më herët ose jo.

“Shtypshkronja e ‘Agimi de’ nuk e ka paguar asnjë cent deri në janar të 2011-ës.” Jeton Mushkolaj

“Unë nuk e di për më herët dhe nuk dua të flas për atë periudhë sa unë nuk kam qenë në këtë pozitë. Për vitin 2011 nuk ka asnjë borxh të papaguar”, tha Gecaj.

Deputeti Jeton Mushkolaj i LDK’së thotë se prej vitit 2000 e deri në fillim të 2011’tës asnjë prej bizneseve nuk kanë paguar ndonjë shumë qiraje për shfrytëzimin e pallatit të kulturës.

“Shtypshkronja e ‘Agimi de’ nuk e ka paguar asnjë cent deri në janar të 2011-ës. Shkelja më e madhe është se duke shfrytëzuar objektin e komunës, shtypshkronja shfrytëzon edhe energjinë elektrike të cilën e paguan komuna e këtu shtypshkronja është shfrytëzuesi më i madh”, thotë Mushkolaj.

Sipas tij, shpenzimet e rrymës për 10 vjet, për këtë objekt, shkojnë në 28 mijë euro. Kurse për 10 vjet në emër të qirasë, sipas tij, janë inkasuar vetëm 620 euro. Prej tyre 600 prej tri partive LDK, LDD, PSD për shfrytëzimin e hapësirës gjatë fushatës zgjedhore.

foto  
Ilustrimi: SXC  

 

Përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” janë po ashtu kritikë lidhur me mënyrën e shfrytëzimit të objektit të pallatit.

“Neve nuk na lejojnë as të mbajmë një ekspozitë qoftë për disa orë, kurse ata pronën publike e kanë shndërruar në zyre biznesi, partie e familjare për vjet të tëra”, thotë për gazetën, Bilall Hadërgjonaj, deputet në asamblenë komunale të Deçanit.
Faik Deda, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, nën menaxhimin e së cilës është pallati i Kulturës, refuzon të shpejgojë nëse paguar kjo qira apo jo.

“Asambleja komunale e ka caktuar një komision të posaçëm shumëpartiak që të ridefinojë veprimtarinë e shfrytëzuesve të pallatit të kulturës. Nuk e di se çfarë është vendosur për të kaluarën, por ata kanë vendosur një tarifë që duhet të paguajnë shfrytëzuesit komercialë”, ka thënë Deda.