TAXI për Dubravë

Shumë taksistë që punojnë në disa qytete të Kosovës, të cilët dënohen për shkelje të rregullave të komunikacionit, në pamundësi të pagimit të këtyre gjobave, zgjedhin të shkojnë dhe ta kryejnë dënimin me qëndrim në qendrat korrektuese të vendit. 

Kur një taksist i cili ka një dënim prej 15 eurosh vendosë të shkojë në burg, buxhetin e Kosovës e dëmton për 44 euro, pasi që një qëndrim njëditor në burgun e Dubravës dhe burgjet tjera, për një person, kushton 29 euro. 

Ata zgjedhin këtë rrugë shpesh në pamundësi të pagimit të gjobave të shumta. Rrinë varësisht sa gjoba kanë për të shlyer. Tre nga taksistët e intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë – Ekrem Fazliu, Isuf Xhemaili dhe Izet Bejtullahu – kanë treguar se ata kanë qëndruar edhe nga dhjetë ditë në burg. 

Esat Jonuzi, 40 vjeçar, nga komuna e Vushtrrisë, i cili bartë udhëtarë nga ky qytet në Mitrovicë dhe anasjelltas, thotë se deri më tash ka pasur më shumë se dhjetë gjoba të komunikacionit. Ai ka punuar taksist qe 18 vjet.   

“Shumicën i kam paguar me pare, një pjesë e kam paguar me burg në Lipjan. Veç vet kam shku. Kam taku edhe kolegë që kanë qenë para meje”.

“Shumicën i kam paguar me pare, një pjesë e kam paguar me burg në Lipjan”. Esat Jonuzi

Jonuzi dhe kolegët e tij po gjobiten nga policia e Kosovës, konkretisht nga ajo e Mitrovicës, për arsye se me rregullat e komunikacionit taksistët nga qyteti i Vushtrrisë nuk kanë të drejtë të marrin udhëtarë nga Mitrovica dhe t’i dërgojnë në Vushtrri.

“Me rregulla të komunikacionit, te tregu nuk kemi të drejtë të ndalemi. Është një parkim i vogël ku taksistët e Vushtrrisë vetëm duhet t’i bartin udhëtarët dhe të kthehen. Para luftës kemi pas të drejtë të ndalemi, t’i marrim pasagjerët edhe të vazhdojmë, ndërsa tani jo”.

Jonuzi tregon se i paguan të gjitha tatimet  të cilat janë përcaktuar nga institucionet qendrore dhe ato lokale.

“Përkrahje nuk kemi nga askush. Kemi taksitë në komunën e Vushtrrisë pa letra. Ne i kryejmë obligimet, pas 5-6 ditësh merren masa nga Inspekcioni”.

Emnaku i tij, Esat Zymeri, një tjetër taksist nga Vushtrria, thotë se ka marrë aq shumë dënime, sa që nuk e din numrin e tyre.

“Na punojmë veç për naftë. E policia kur i kryejnë dënimet në Mitrovicë thonë: hajde dalim t’i plaçkitim taksistët e Vushtrrisë”.

Ai përveç  gjobave të shumta, ankohet se është dërguar në burgun e Dubravës pa të drejtë. “Kemi qenë në burg ku njerëzit janë të burgosur me nga 20 vjet”.

“Na kanë futë në dhoma me drogirashë” Esat Zymeri

Kur ai dhe kolegët e tij qenë lajmëruar për ta vuajtur dënimin, ishin dërguar në burgun e Dubravës. Ata tregojnë tmerrin e kaluar në këtë burg në mesin e të dënuarve me 20 vjet e më shumë burgim.

Ekrem Fazliu rrëfen tregimin e tij nga nata e kaluar në burgun e Dubravës. “Na kanë futë në dhoma me drogirashë”, shprehet ai ndërsa kujton momentet kur 7 gardianë e kanë rrahur një të burgosur para syve të tij. 

Shoku i tij, Isuf Xhemaili, i cili ishte po ashtu në Dubravë, flet i pakënaqur për kushtet në të cilat ndodheshin ata, edhe pse kishin për të larë dënimin prej vetëm 35 eurosh. “Kushtet në Dubravë janë shumë të këqija, një herë në javë laheshim”. 

I shkurtër me trup, Ekremi ndërpret Xhemailin për të vazhduar tregimin e tij të frikshëm. “Më patën fut me një muxhahedin, i cili e kish pas vra gruan e vet dhe me disa të tjerë që i shihja shumë të rrezikshëm”. 

“Unë isha i mërzitur që i kisha lanë fëmijët, e ulsha kryet edhe s’folsha hiç, po veç kur m’thirrke njani: ‘Taksi, Qehre!’, e o dashke me ju dhanë qehre”.

Ka edhe nga ata që burgun e shohin si pushim nga puna e lodhshme e përditshme. Izet Bejtuallu tregon se si me shokët e tij shkon në burg dhe aty gjejnë mënyra edhe për tu argëtuar.  

“Atje luhet dëgërgjiku me pasul dhe misër, por edhe loja me letra më së shumti”, thotë ai. Ndërsa “ka pasë raste kur kemi njoftuar njerëz që falen, dhe ju kemi bashkëngjitë edhe ne”.

Resmi Hoxha, drejtor i shërbimit korrektues të Kosovës pranon se ka raste kur të dënuar të cilët kanë përsëritur vuajtjen e dënimit më shumë se 2-3 herë, edhe nëse ato kanë qenë dënime të vogla, dërgohen në burgun e Dubravës. 

“Ata janë recidivistë dhe janë të dënuar me 2-3 herë. Këta persona që kanë shkuar më shumë se dy-tri herë për të kryer dënime s’mund të shkojnë në qendrat korrektuese në Lipjan dhe Smrekovcinë.”

Nga institucioni i cili gjykon këto raste thonë se duhet të ndërrohet politika ndëshkimore.

“Qëllimi i dënimit nuk është me e mbush buxhetin e Kosovës me mjete, qëllimi i dënimit është që të ndikohet pozitivisht në personin që dënohet që në të ardhmen mos të kryej vepra të tilla”, thotë Biljana Rexhiq, kryetare e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje.

“Qëllimi i dënimit nuk është me e mbush buxhetin e Kosovës me mjete, qëllimi i dënimit është që të ndikohet pozitivisht në personin që dënohet.” Resmi Hoxha

“Është e vërtetë që i kushton (buxhetit të Kosovës), por më e rëndësishme është që ne si gjykata të ndikojmë pozitivisht që në të ardhmen që mos të kryhen vepra të tilla”, shton ajo. 

Për Rexhiq mënyrë më efektive për kryerjen e dënimit do të ishte puna në dobi të përgjithshme siç është e përcaktuar me Kodin Penal të Kosovës. 

“Dënimi me burg deri në 3 muaj, me pëlqimin e palës mund të zëvendësohet me punë në dobi të përgjithshme. Deri më sot ka qenë e pamundur të bëhet zëvendësimi me punë në dobi të përgjithshme, shpresoj që kjo në të ardhmen të ndodhë”.

Ndërsa kryetari i sindikatës së sektorit privat Jusuf Azemi, fajin për gjobat e shumta që pranojnë taksistët e Vushtrrisë dhe Mitrovicës ua hedh kuvendeve komunale të këtyre qyteteve. 

“Kuvendet Komunale të Vushtrrisë dhe Mitrovicës kanë mundur të gjejnë një zgjidhje shumë më të hershme që këta persona mos gjobiten dhe të mos jenë në këtë gjendje ku krijohen konflikte ndërkomunale”.

“Kuvendet Komunale të Vushtrrisë dhe Mitrovicës kanë mundur të gjejnë një zgjidhje shumë më të hershme që këta persona mos gjobiten.” Jusuf Azemi

Për të, kjo është një neglizhencë dhe një pakujdesi e tyre që po e dëmton shoqërinë. 

Mirëpo ai premton se do ta zgjidhë këtë problem të taksistëve në mënyrë që këta mos t’i kalojnë fundjavat nëpër burgjet e Kosovës.

“Në rastin konkret të gjithë autotaksit duhet të jenë anëtarë të sindikatës, dhe ne do të bëjmë presion tek kuvendet komunale që të bëhet kjo marrëveshje.”

Këta taksistë, ndihen të tradhtuar edhe ngai pari i kësaj komune Bajram Mulaku, i cili para se ta merrte pushtetin atyre u kishte premtuar zgjidhje.

“Premtimet jo që nuk i ka mbajt por ka thanë që po më dhembin sytë kur po ju shoh”, thotë taksisti Esat Jonuzi.

Kryetari Bajram Mulaku vazhdon t’u premtojë atyre se do ta zgjidhë këtë problem. 

“Mund të bisedoj me kryetarin e Mitrovicës për ta gjetur një zgjidhje, sepse këta janë njerëzit tanë”, ka thënë Mulaku. 

Por Policia po ka gjithnjë e më shumë punë me gjobat në komunikacion. 

Brahim Sadriu, zyrtar per informim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, thotë se në vitin 2011 ishin bërë 276,897 gjoba, më shumë se sa në vitin 2010 kur ishin bërë 254,849.