Dyshime për Keqpërdorim të 500 Mijë Eurove nga Muzeu

Dyshimet për keqpërdorimin e rreth 500 mijë eurove në Muzeun e Kosovës kanë aktivizuar Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve (MKRS) dyshon se në pesë projekte që janë realizuar nga Muzeu e janë financuar prej saj, gjatë vitit 2010, janë bërë keqpërdorime.

Drejtori i muzeut Arbër Hadri kritikohet për mosraportim të rregullt në Ministrinë e Kulturës, ndërsa kritikat më serioze kanë të bëjnë me faktin se muzeu dështoi të dërgonte fatura për shpenzime, kishte bërë kontrata të dyshimta për shërbime dhe kishte ndërruar destinacionin e mjeteve të ndara për investime kapitale për t’i përdorë si subvencione.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, se në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, ka një lëndë për Muzeun e vendit.

“Në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë ekziston një lëndë që ka të bëjë me Muzeun e Republikës së Kosovës e cila është në fazën e procedurës paraprake, respektivisht grumbullimit të provave”, thotë Kozmaqi.

Ministria: Ndëshkimet pas raportit

Në vitin 2010, muzeu kishte pranuar transfere të mjeteve nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në shumë prej rreth gjysmë milionë euro, për projektet “Kosova gjatë shekujve”, “Digjitalizimi i materialit muzikor”, “Muzeu i Isë Boletinit faza II”, “Shtëpia e At Shtjefën Gjeqovit” dhe “Shenjëzimi i monumenteve”.

Këshilltari i ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Shasivar Haxhijaj, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se paratë për pesë projektet, nga ministria në muze, kanë kaluar në bazë të memorandumeve të nënshkruara më herët mes këtyre dy institucioneve.

Ministria dyshon se në krejt këto projekte ka pasur keqpërdorime.

“Realisht ne kemi pasur dyshimet tona që këto mjete nuk janë shfrytëzuar në mënyrë të duhur, për çka edhe kanë qenë të destinuara”, ka thënë Haxhijaj.

Ai ka shtuar se Ministria ka kërkuar një auditim nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës dhe janë duke pritur përfundimin e tij me gjetjet për muzeun dhe institucionet tjera në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. 

“Ministria është duke pritur përfundimin e auditimit nga Auditori i Përgjitshëm” Shasivar Haxhijaj 

Sipas tij, masa përkatëse do të ndërmerren varësisht prej përfundimit të raportit.

Këshilltari i ministrisë thotë se ndërkohë raportet mes Ministrisë dhe drejtorit të Muzeut janë duke u normalizuar, pasi tani ky i fundit raporton herë pas here për aktivitetet e Muzeut, por jo edhe sipas memorandumeve të nënshkruara për raportim.

“Raportimi për shumën e mjeteve prej rreth 500 mijë euro nuk ka qenë si duhet”, tha Haxhijaj.

Memo e Auditorit gjen parregullsi. Pritjen e Ministrisë, Auditori e quan keqkuptim

Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage-Olofsson, thotë për Gazetën JnK se është përgjegjësi e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që të ketë një menaxhim të mirë financiar.

“Ata duhet të kenë marrëveshje me institucionet e kulturës se çfarë duhet të bëhet, si duhet të raportohet. Ministria duhet të kontrollojnë shfrytëzimin e subvencioneve dhe duhet të ndihmojë institucionet përmes auditimit të brendshëm”, thotë Olofsson.

“Nëse puna nuk bëhet siç kërkohet, ata mund të marrin hapa administrativë. Nëse mendojnë se ka masa joligjore ata mund të shkojnë tek prokurori. Jo vetëm që mund të shkojnë, por edhe e kanë obligim ta bëjnë këtë”.

foto  
Lars Lage Olofsson  

 

Suedezi thotë se Ministria nuk ka të drejtë të thotë se nuk ka çka të bëjë dhe se veprimi është obligimi i tyre.

“Përgjegjësia ime është të auditoj Ministrinë dhe atë se si sistemi i tyre financiar funksionon në praktikë. Këtë e kemi filluar në shtator dhe do të mbarojë në qershor, si çdo vit”, ka nënvizuar ai.

Olofsson ka treguar se aktualisht auditori gjendet në një fazë të auditimit që e quan “auditim të ndërmjetëm”, pas së cilës drejtori përgjegjës i auditimit përkatës i jep këshilla institucioneve në një memo.

“Ato janë këshilla të drejtorit tim,dhe nuk janë rekomandime formale të auditorit të përgjithshëm. Këto i janë dhënë Ministrisë në mesin e muajit Janar të këtij viti”, ka thënë ai. 

Gjatë auditimit të ndërmjetëm, ka vazhduar Olofsson, është parë se kishte një problem në Ministri, se ata nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si Muzeu kishte raportuar një vit më parë, se nuk kishin dhënë projekte të reja zëvendësuese për 2011’tën dhe se kishin bërë një auditim të brendshëm.

“Ata na kanë kërkuar neve të bëjmë një auditim të posaçëm në muze dhe përgjigja jonë në atë pyetje ishte jo. ‘Është përgjegjësi e juaja të bëni atë dhe të merrni masa adekuate’. Ne do të shikojmë rastin e Muzeut si pjesë e auditimit tonë dhe do të shohim se si funksionon menaxhimi juaj financiar”, tregon Olofsson, se çfarë i kishte thënë Ministrisë.

Auditori ka treguar se tentimet për të përmirësuar menaxhimin e financave në këtë ministri kanë histori edhe më të gjatë. 

“Në vitin 2010, i kam prezantuar një memo Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Ministrisë së Financave dhe kemi pasur një diskutim së bashku në lidhje me nevojën që të kemi marrëdhënie më të shëndosha mes Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve kulturore”, ka thënë Olofsson.

“Gjithë struktura e sektorëve kulturorë bazohet në një kornizë ligjore që është inkonsistente, e pa freskuar, dhe ka kontradikta të qarta mes nxjerrjes së ligjeve për institucionet kulturore, ligjit të përgjithshëm për institucionet e kulturës dhe ligjit për menaxhimin e financave publike. Kështu që e gjithë situatë është goxha e errët”.

Auditori i Përgjithshëm ka thënë se kishte bërë disa propozime dhe i kishte diskutuar ato me ish-ministrat dhe ish-sekretarin e përhershëm të Kulturës për të ngritur një program për të adresuar këto dobësi, por se “asgjë nuk është bërë dhe ende ekzistojnë këto hapësira të paqëndrueshme”.

Vetëm ligji për Muzeun është i vitit 1948, ka nënvizuar ai, kështu që “e tërë situata duhet të konsiderohet”. 

Ndërkohë, edhe memoja e këtij janari kishte nxjerrë disa konkluzione për Muzeun.

Së pari, aty ishte nënvizuar sërish mungesa e vazhdimësisë dhe tema e ripërtëritjes së të gjitha strukturave kulturore. “Është adresuar puna e rrogave dhe tani punëtorët paguhen si punëtorë të Ministrisë. Por mbeten disa çështje tjera të ngjashme”.

“Kur kemi shikuar në rastin e Muzeut, kemi vërejtur se kishte disa mangësi, se si Ministria i trajtonte këto gjëra, kemi vërejtur procedura në lidhje me atë se si subvencionet ishin përdorur dhe shpenzuar, se ishin të paqarta, kemi parë se ishin bërë transfere mes kategorive të ndryshme brenda ministrisë që shkonin përtej përgjegjësive normale, mangësi në vazhdim dhe monitorim të projekteve, ridestinim të subvencioneve të përdorura në kategori dhe shpenzime dhe jo si ishin dedikuar në fillim”, ka numëruar Olofsson.

Po ashtu, ai ka shtuar se raportimi i Muzeut duhet të përmirësohet që të krijojë besim.

“Kemi parë një numër të mospërputhjeve në lidhje me evidencat e pagesave, kemi parë se kontratat e shërbimeve mund të vihen në pikëpyetje se paraja shkon tek pala e tretë, paqartësi në raportim, mungesë se si ishin dokumentuar kartelat dhe se si ishin bërë pagesat”, ka thënë ai. “Të gjitha këto janë raportuar tek Ministri dhe ne kemi thënë se këshilla jonë është adresoni të gjitha këto gjëra dhe pastaj ne do t’i vazhdojmë gjatë raportit të auditimit”.

“Të thuhet, siç ka bërë këshilltari, se nuk mund të bëhet asgjë pasi po presin një lloj raporti, është keqkuptim total” Lars Lage Olofsson

Olfosson ka shtuar se është përgjegjësi e Ministrisë të adresojë rekomandimet e Auditorit. “Të thuhet, siç ka bërë këshilltari, se nuk mund të bëhet asgjë pasi po presin një lloj raporti, është keqkuptim total”.

Pa fatura dhe dëshmi për shpenzime

Edhe në një raport të auditimit të brendshëm të Ministrisë, për investimet kapitale në Muzeun e Kosovës, për vitin 2010, të cilin e ka siguruar Gazeta JnK, tregohen shkelje që mund të kenë bërë udhëheqësit e Muzeut të Kosovës gjatë realizimit të pesë projekteve.

“Nga raportet financiare, Muzeu për këto pesë projekte veç e veç i paraqet ministrisë shumën e projektit dhe shumën e shpenzuar në total. Ky raport i dorëzuar nuk përmban fatura dhe dëshmi tjera për shpenzime”, thuhet në raportin e auditimit të brendshëm.

Nga buxheti i Kosovës, muzeu për pesë projekte kishte pranuar 497.932.40 euro përderisa ka shpenzuar 478.992 euro. Muzeut i kanë mbetur 18.940.40 euro.

Sipas gjetjeve të raportit, mjetet janë përdorur sipas nevojës, e jo sipas linjës që kanë qenë të destinuara për t’u përdorur.

“Mjetet e destinuara për investime kapitale u ndërrohet destinimi dhe përdoren në formë të subvencioneve si puna kërkimore në terren, Parku Arkeologjik i Kosovës, Produksioni multimedial i pjesëve të Etnomuzikologjisë së Kosovës”, thuhet në raportin e brendshëm të auditimit në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Po ashtu raporti flet për raportimin jo të rregullt të drejtorit të Muzeut në bazë të memorandumeve të nënshkruara.

Por drejtori i Muzeut Arbër Hadri thotë se kjo çështje është mbyllur para tetë muajve. “Kur të del raporti i auditorit (të përgjithshëm) mund të flasim për ketë çështje”, ka thënë ai, i kontaktuar nga Gazeta JnK.

Hadri insiston se edhe raportet mes tij dhe Ministrinë “janë të mira”.

Më herët ai pati thënë se interesimet e Ministrisë së Kulturës për këto shpenzime ishin vetëm çështje politike që kishin për qëllim largimin e tij nga Muzeu. 

Por këshilltari Haxhijaj, i Ministrisë, thotë se auditimi i shpenzimeve në muze nuk ka të bëjë asgjë me politikë. “Këto janë çështje parimore, e jo politike”.

Prej që ka ardhur në postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në vitin 2011, Memli Krasniqi ka shkarkuar Fahredin Spahinë nga posti i drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës dhe Zeqir Hamitin drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, nuk i ka vazhduar kontratën Jeton Nezirajt si drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka ndërruar këshillat drejtues të teatrit, galerisë dhe QKK’së si dhe ia ka ndërruar pozitën ish-drejtorit të departamentit të kulturës në Ministri, Sami Pirajt.