Ndeshja Me Tanksin e NATO’s Iu Bë Fobi

Të gjithë i shihnin me simpati kur erdhën, por jo të gjithë kanë mbetur me kujtime të mira nga KFOR’i. Veçanërisht jo Agim Shala.

Në dimrin e vitit 2000, ai po udhëtonte me veturën e tij në rrugën Podujevë – Kërpimeh.

“Diçka po ecte midis rrugës”, kujton Shala. “Për kureshtje i ndeza dritat e gjata për të parë se çfarë po ndodhte. Një tanke po ecte midis rrugës dhe fillova t’ia liroj rrugën”.

“Në momentin që jemi barazuar, tanku më ka goditur në derën e parë duke e futur veturën time nën zinxhir dhe duke e ndarë në dysh”, shtoi ai. “Goditja më gjuajti në ulësen tjetër, mirëpo këmbët dhe beli më mbetën dhe mi shtypi tanku”. 

“Tanku më ka goditur në derën e parë duke e futur veturën time nën zinxhir dhe duke e ndarë në dysh” Agim Shala

Agimit i kujtohet se udhëtarët duhej të kishin qenë anglezë dhe se si ata as nuk i kishin ndihmuar vet as nuk e kishin lajmëruar dikë për t’i dalë në ndihmë.

Prej aksidentit, ai ishte dërguar në emergjencë në Podujevë dhe më pas në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë.

Ortopedi-Traumatologu, Uc Gjonbalaj, e kishte kontrolluar pacientin dhe kishte nënshkruar një raport më 8 janar 2000 ku thoshte se ai kishte ardhur me “lëndime të rënda”.

Pasi e kishte marrë veten, Agimi i ishte drejtuar stacionit policor të UNMIK’ut për të kërkuar kompensim. Ata ia kishin dhënë adresën e KFOR’it në ‘Film City’. Kur kishte shkuar atje, tregon ai, askush nuk kishte dalë ta takoj.

Shala vendos të gjejë avokat. Xhevat Rama e kishte marrë përsipër të kërkojë drejtësi përmes ligjit për të. “KFOR’i ishte i mbrojtur dhe nuk ka mundur ta padis askush”, tregon Rama. Prandaj edhe ai ishte tërhequr.

Agim Shala kishte kërkuar avokatë të tjerë, por të gjithë i ishin përgjigjur njësoj. Kështu ai vendos të mos i drejtohet për ndihmë asnjë institucioni për një kohë.

Tani që e ka rimarrë veten, ai po kërkon të ngjallë rastin e tij sërish.

Ndërkohë, ka një problem në rrugë. Policia e UNMIK’ut e kishte shkruar një raport për aksidentin dhe kishte vizatuar një skicë.

“Ajo është krejt ndryshe nga ajo që kishte ndodhur në aksident”, insiston Shala.
Një dëshmitar i cili jetonte aty afër, Vehbi Hoti, kishte dalë në skenë kur kishte dëgjuar zhurmën. Policia e UNMIK’ut kishte shkruar raportin e saj dhe aty kishte edhe nënshkrimin e dëshmitarit.

Skica e policisë e paraqet veturën e Agimit në skaj të rrugës dhe të kthyer kah ana e Podujevës. Por vozitësi pretendon se ajo në momentin e aksidentit ish e kthyer kah fshati
Kërpimeh.

Agimi ka gjetur dy dëshmitarë që e kishin ndihmuar, Qenan Hotin dhe Bashkim Bajgorën, të cilët konfirmojnë pozicionin e tij dhe thonë se dëshmitari i policisë Vehbi Hoti nuk kishte qenë fare aty në momentin e ngjarjes.

Sidoqoftë, një mendim profesional për këtë aksident e kishte dhënë autoservisi “Forexhi”. Pronari Rexhep Beqiri kishte shkruar në mendimin e tij se “automobili është shkatërruar në tërësi dhe është dëmtuar ashtu që i njëjti nuk mund të riparohet”.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, thotë se KFOR’i vepron në Kosovë në bazë të disa rregullave që nuk i jep përgjegjësi asnjë institucioni të Kosovës.

“Për veprimet e kundërligjshme të ushtarëve të KFOR’it dhe dëmet e shkaktuara ndaj palëve të treta të vendit, përgjegjëse janë shtetet amë prej nga vijnë njësitë e ushtarake në kuadër të KFOR’it, kurse kompetente janë gjykatat e shteteve përkatëse”, thotë Kurteshi. 

“Për veprimet e kundërligjshme të ushtarëve të KFOR’it, përgjegjëse janë shtetet amë prej nga vijnë ata” Sami Kurteshi.

Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të  Drejtave dhe Lirive të  Njeriut (KMDLNJ) thotë se “nuk është normale as për KFOR’in dhe as për ndonjë organizatë tjetër që të rrezikojë jetë njerëzish dhe të mos marrë përgjegjësi”.

Zëdhënësi i KFOR’it, Uve Novitski, thotë se “fatkeqësisht është e pamundur për ta rindërtuar- rikonstruktuar incidentin” ngase ka ndodhur 12 vjet më parë.
 
Por ai thotë se KFOR’i ka një “zyrë të kërkesave” në shtabin qendror që është përgjegjëse për t’i shqyrtuar dhe për t’i hetuar rrethanat e tilla.

“Sigurisht, zoti Shala është ftuar për t’i dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme në zyrën e kërkesave të KFOR’it, e cila mund të japë prova dhe mund të na lejojë kryerjen e hetimeve të mëtejshme”, ka thënë Novitski.

Të aksidentuarin Agim Shala e mundon fakti që ka mbetur i paaftë për punë si dhe që në një far mënyre ka mbetur fajtor. “Kanë kaluar shumë vite dhe asnjëherë s’e kam marrë vesh çka ka ndodhur”.

Tash ai e ka fobi vozitjen gjatë natës. “KFOR’i nuk qarkullon si mbas luftës më, po siç thonë ‘kur të djeg tamli, i fryn kosit’”.