Falja Nxjerr 13 të Burgosur nga Dubrava

Bazuar në autorizimet e saj sipas Kushtetutës, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u ka falur të enjtën pjesën e mbetur të dënimit 15 të burgosurve në burgjet e Kosovës.

Për të fituar këtë të drejtë, kishin aplikuar rreth 450 të burgosur.

Presidentja është treguar shumë më dorështrënguar sesa paraardhësit e saj. Në vitin 2011, si ushtrues detyre i Presidentit, Jakupi Krasniqi kishte dekretuar faljen e 103 të burgosurve. Ndërsa Presidenti paraprak Fatmir Sejdiu më 2009 dhe 2010 kishte falur gjithsej 124 të burgosur.

Prej pesëmbëdhjetë të falurve, trembëdhjetë qëndronin në qendrën korrektuese të Dubravës. Ata janë Bahri Ismajli nga fshati Ramjan Komuna e Vitisë, Burim Ibrahimi nga fshati Halabak, Dritan Hajda nga Rahoveci, Fatlum Dugolli nga fshati Nekovc i Gllogovcit, Ferat Hoxha nga Popova e Podujevës, Fitim Haziri nga Gjilani, Florim Krasniqi nga Bardhi i Vogël komuna e Fushë-Kosovës, Hjadar Guci nga Damjani komuna e Gjakovës, Lorent Osmani nga Gjilani, Osman Tafaj  nga Grekoci i Suharekës, Ramiz Mushica nga Gjilani, Tafil Idrizaj nga Gjakova dhe Zenel Malokaj nga Dubrava e Suharekës.

Dy të tjerët janë Faze Berisha, nga Klina, aktualisht duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan, si dhe Lavdim Preniçi nga Prishtina, aktualisht duke vuajtur dënimin në Smrekonicë.