Kontrata që Mbush Xhepat e Avokatëve

Shyhrete Matoshi ka pritur dy vjet për t’i marrë pagat që asaj i takonin si shpërblim, me kontratën kolektive të tetorit 2005 së cilës i referohet ligji i punës, kur një mësimdhënës kosovar pensionohet.

Kësaj mësueseje, që punonte në shkollën fillore “Hasan Prishtina” të Prishtinës, si shumë të tjerëve kur pensionohen, komuna u jep përgjigje negative për kërkesën e tyre për këto paga. Asaj dhe gjithë të tjerëve u sugjerohet që t’i drejtohen gjykatave. 

“Unë gjeta një avokat dhe bëra padi në gjykatën komunale. Pas dy seancave, gjykata vendosi në favor timin”, rrëfen Matoshi. “Aktgjykimi obligonte se duhej të më paguheshin tri paga dhe shpenzimet e gjyqit. Më vonë, pas disa muajve, unë mora vetëm dy rroga me 20 për qind të të cilave mu desh të paguaj avokatin”.

Shyhretja thotë se mësimdhënësit po detyrohen të vrapojnë nëpër gjykata duke paguar avokatë për diçka që u garantohet me kontratën kolektive.

Një tjetër mësimdhënëse, Sanije Rrecaj, e cila sapo është pensionuar, ka ushtruar po ashtu padi.

“Unë kam ushtruar padi. Nuk e di kur mbahet seanca. Por, është e turpshme që po lejohet që ne të maltretohemi nëpër gjykata për të drejtën tonë. Ministria e Arsimit dhe Komuna janë duke shkelur ligjin. Ata po u mundësojnë avokatëve të përfitojnë nga pagat tona”, thotë  ajo.

Komunat arsyetohen se nuk kanë buxhet për të paguar këtë kategori. Sipas regjistrit të  Ministrisë së Administratës Publike, gjatë një viti mesatarisht pensionohen 150 deri në 200 mësimdhënës.
 
Halim Halimi, drejtor i Drejtoratit për Arsim në Komunën e Prishtinës, thotë se njerëzve po u shkelën të drejtat dhe po përfitojnë avokatët nga një shkelje që, sipas tij, po vjen si mungesë buxheti.

“Nuk kemi buxhet. Kemi kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave që të shqyrtojnë këtë çështje, por nuk kemi hasur në mirëkuptim. E kam parasysh që ata mësimdhënës nuk e kanë të lehtë të detyrohen të padisin vendin e punës”, thotë Halimi

Por në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) thonë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga komunat për mbështetje. Ragip Gjoshi, këshilltar i Ministrit, ka akuzuar komunat për shkelje dhe ka thënë se ato janë të obliguara të zbatojnë  dispozitat ligjore.

“MAShT konsideron se kjo çështje duhet shqyrtuar shumë seriozisht dhe një herë e përgjithmonë të rregullohet nga përgjegjësit,  e në këtë rast komunat, në mënyrë që punëtorët mos të shpenzojnë para për avokat, por me dinjitet t’i marrin pagat që u takojnë ligjërisht”, ka thënë Gjoshi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjoshi ka thënë se në bazë të nenit 44 të Kontratës Kolektive për të Punësuarit në Arsimin Fillor dhe të Mesëm në Kosovë, të tetorit 2005, “punëtori ka të drejtë në pagën përcjellëse në pension në lartësinë e dy pagave minimale mujore të punëtorit në Kosovë për tre muajt e fundit, gjegjësisht dy paga mesatare të punëtorit për tre muajt e kaluar, nëse për punëtorin kjo është më e përshtatshme”.

Problemet nuk kufizohen vetëm në komunën e Prishtinës.

Haxhi Arifi, kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovë thotë se Komunat dhe Ministria e Arsimit po abuzojnë me këtë kategori punëtorëve.

“Në këtë mënyrë po shkelen të drejtat e njeriut dhe po u mbushen xhepat avokatëve”, thotë ai.

E atyre mësimdhënësve që nuk mund të paguajnë avokatë po u del në derë një segment qeveritar që gjithashtu paguan nga buxheti i shtetit për një shkelje që bëjnë institucionet.
Në fund, prapë përfitojnë avokatët.
 
Ata që nuk kanë mundësi për të paguar avokat trokasin në Zyrën Koordinuese për Ndihmë Juridike. Regjistrat e kësaj zyre numërojnë tashmë qindra mësimdhënës të cilëve ua kryejnë paditë dhe përfaqësimin falas për të marrë këto paga. Ajo gjithashtu paguan avokatët nga buxheti i shtetit.

Por jo të gjithë mësimdhënësve u jepet kjo  ndihmë. Ajo u refuzohet atyre që Zyra vlerëson se kanë kushte më të mira.  Drita Rexhepi, koordinatore e ndihmës juridike, thotë se kjo që po ndodh me mësimdhënësit është abuzim me kontratën kolektive.

“Ne u japim ndihmë juridike falas të gjithë mësimdhënësve që nuk kanë kushte të mira. Pagesa për një rast të vetëm shkon nga  50 deri në 100 euro varësisht nga rasti”, thotë ai.

Por, ka edhe mësimdhënës që kurrë nuk kanë mundur t’i marrin këto paga.

Bahrije Goga është pensionuar para 3 vitesh dhe prej atëherë ajo është e sëmurë. Ajo thotë se nuk ka pasur mundësi të vrapojë pas avokatëve.