Komuna Nuk Respekton Vendimet e Gjykatës

Tre mësimdhënës të komunës së Junikut të cilët i ka larguar edhe përkundër faktit se atyre nuk iu kishte skaduar kontrata, drejtori komunal i arsimit Musë Krasniqi as që e ka në plan që t’i kthej në punë.

Mësimdhënësit e kishin paditur drejtoratin në gjykatë dhe kjo e fundit kishte vendosur në favor të tyre. Por komuna nuk i merr parasysh vendimet.

Mes këtyre mësimdhënësve është edhe Agush Llolloni, ish-drejtor i gjimnazit “Kuvendi i Junikut” i cili ka punuar plot 17 vjet në arsim.

 “Gjashtë muaj para se të më skadonte kontrata, drejtori i arsimit Musë Krasniqi i cili veten e quan komandant, më ka larguar nga puna”, thotë Llolloni.

Llolloni shton se ‘komandant’ Musë Krasniqi pretendon se mund të largojë kë të do nga puna. 

“Të gjithë çka janë me fakultet do t’i largojë dhe do t’i sjellë analfabetët sepse thotë që është patriot dhe do që tërë stafi të jetë junikas, vendës, edhe pse nuk janë të kualifikuar”, shprehet ish-drejtori. 

Krasniqi nuk ka dashur të komentojë në detaje, por vetëm ka insistuar se nuk do të respektojë “vendimet e nxjerra nga gjykata”. 

Komuna e Junikut u ngrit në vitin 2008 si rezultat i procesit të decentralizimit, por atje ende nuk ka gjykata dhe rastet shpesh trajtohen në Deçan dhe Pejë.

“Kryetari i Junikut Agron Kuqi nuk e realizon vendimin e gjykatës dhe deklaron se faktikisht ato nuk e obligojnë. Atëherë, çfarë vendimi e obligon komunën e Junikut?”, shprehet ish-drejtori Llolloni.

Ai është ankuar deri në Zyrën e Kryeministrit të vendit, por tashmë një vit e gjysmë ka mbetur pa punë. 

Edhe dy mësimdhënësit e këtij gjimnazi, Artan Loshaj dhe Selman Kuçi, ishin larguar nga puna.

“E kam dërguar lëndën në gjykatën komunale në Deçan. Ajo ka vendosur në favor timin, por komuna nuk po e merr parasysh”, tregon edhe Selman Kuçi, arsimtar në Junik.

Drejtori i arsimit në komunën e Junikut, Musë Krasniqi, thotë se ai i di mirë rregullat dhe ligjet në Kosovë sepse ai me vite ka qenë ushtarak dhe se prandaj nuk ka nevojë për vendime të gjykatës.