Ministria e Brendshme Ndërton Pa Leje

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) gjatë vitit 2011 ka shtuar edhe dy kate në një ndërtesë të re që e kishte ngritur në qendër të Prishtinës ndonëse komuna e kishte refuzuar kërkesën përkatëse. 

Ndërtimi ishte paraparë për vendosjen e Qendrës Komunale të Regjistrimit Civil (QKRC) dhe Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA). 

Kontrata e ndërtimit i ishte dhënë më 5 tetor 2009 kompanisë “Albes” nga komuna e Istogut, në vlerë prej 1,821,888.27 eurosh. (Shih dokumentin/kontratën)

Luljeta Çeku, deri para një muaji udhëheqëse e Drejtorisë së Urbanizmit në komunën e Prishtinës, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se Ministria e Brendshme nuk kishte pasur leje për dy katet e mbindërtuara.

“Ministria e Brendshme nuk kishte pasur leje për dy katet e mbindërtuara. Luljeta Çeku 

“Kompania ndërtuese i ndërtoi dy katet e fundit pa leje. Kërkesa për leje kishte ardhur vetëm pasi inspektorati i komunës kishte dalë për të ndërprerë punën dhe ne nuk kemi mundur ta japim lejen”, tha Çeku. 

Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme thotë se ministria “ka leje të urbanizmit për ndërtimin e tetë kateve të ndërtesës, data 18.08.2009, me numër prot. 05-350-21-338”.

“Po ashtu ka leje për ndërtim për katër kate të datë 11.11.2009”, ka thënë kjo zyrë, në përgjigjet e saj për Gazeta JnK. 

Sipas Ministrisë së Brendshme, kërkesa për mbindërtimin e dy kateve tjera në komunën e Prishtinës është bërë më 29 prill 2011 ndërsa plotësimi i saj më 25 maj 2011 pas kërkesës për  informata shtesë të kërkuara nga Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Prishtinës.

“MPB ka plotësuar te gjitha kushtet e parapara, por Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria për Urbanizëm nuk është përgjigjur në bazë të Ligjit për Ndërtim 2004/15, që parasheh me sa vijon: ‘Neni 39.1. Leja e ndërtimit duhet të lëshohet nëse kërkesat e parashikuara në nenin 33 të këtij Ligji janë plotësuar. Leja e ndërtimit duhet të jepet me shkrim, brenda afatit prej 30 ditësh, pas bërjes së kërkesës për leje të ndërtimit. Afati prej 30 ditësh nuk fillon para paraqitjes në komunë të dokumentacionit të plotë. Afati mund të zgjatet për 30 ditë shtesë, nëse projekti paraqet vështirësi të mëdha’”, ka thënë MPB. 

Ministria po ashtu ka shtuar se ajo ka hasur në vështirësi komunikimi me ish-drejtoreshën e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, e cila “nuk ka ofruar bashkëpunim dhe nuk i është  përgjigjur afateve ligjore”.

“Ministria ka zhvilluar aktivitetet e saja për ndërtimin e objektit, duke qenë se stafi që do të bartet në këtë objekt, punon në kontejner dhe në kushte aspak optimale për punë dhe duke qenë se kjo ndërlidhet direkt në interesin e përgjithshëm, sepse këta punëtorë janë në shërbim të qytetarëve të Prishtinës dhe më gjerë dhe në këtë objekt do të ofrohen shërbimet për Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve dhe Qendrës Komunale për Regjistrim Civil dhe faktit se buxheti për investime kapitale shfrytëzohet brenda vitit fiskal”.

MPB ka thënë se me ndërtimin e objektit është liruar hapësira në objektin e Administratës Komunale të Prishtinës.

Ndërkohë, Agjencioni Kundër-Korrupsionit (AKK) ka shprehur interesim për këtë çështje dhe më 4 janar 2012 i ka kërkuar Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës lëndën e ndërtimit të këtij objekti. 

Më 17 janar 2012, Drejtoria e Urbanizmit i është përgjigjur AKK’së ku, ndër të tjera, e njofton këtë organ përse nuk kishte dhënë lejen për ndërtimin e dy kateve në objektin përkatës. (Shih dokumentin, faqe 1) (faqe 2)

“Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Drejtoria e Urbanizmit, me qëllim të vazhdimit të procedurës administrative dhe vendosjes sipas shkresës së lartcekur ka kërkuar që parashtruesi i kësaj kërkese në afatin prej 15 ditësh ta plotësojë lëndën: me pëlqimin e projektuesit për ndryshimin e projektit kryesor, dëshminë e stabilitetit se objekti ekzistues mund të mbindërtohet si dhe dokumentacionin teknik për ndryshimet në projektin zbatues me etazhitet të kërkuar për plotësimin e nevojave të zhvillimit të veprimtarisë”, thuhet në përgjigjen e urbanizmit.

“Pasi që kërkuesi nuk ka prezantuar provat e kërkuara në afatin e paraparë ligjor, ky organ ka lëshuar aktvendimin nr.05-351-7051 të datës 10 qershor 2011 me të cilën është refuzuar kërkesa për vazhdimin e ndërtimit”. 

Muharrem Mavraj, i cili figuron si person kontaktues në kontratën e Ministrisë së Brendshme, ka thënë për Gazeta JnK se kompanisë i duhen vetëm edhe rreth dhjetë dite pune për të kompletuar ndërtimet. “Aktualisht punimet janë ndalë shkaku i motit të keq”.

Mavraj ka thënë se vazhdimi i punimeve në dy katet e fundit të objektit ka kushtuar edhe 498 mijë euro.