Avokati i Konkursit të Dështuar

 

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) Nijazi Gashi vazhdon të reflektojë me qetësi sado që gjërat nuk po i ecin siç i kishte paraparë me anulimin e konkursit për drejtorë klinikash, infermierisë dhe barnatores qendrore javën e kaluar si zhvillimin më të ri.  

Derisa zhvillohej konkursi, që zgjati rreth një muaj e që javën e kaluar u anulua, atë e kanë kontaktuar njerëz të strukturave të ndryshme politike përmes telefonatash dhe presionesh tjera duke shtyrë përpara njerëzit e tyre në pozitat e larta të QKUK’së. 

Gashi nuk është anëtar i asnjë partie politike, por ai heziton t’i tregojë publikisht emrat e atyre që provuan të ndikojnë në proces. 

Ai insiston se ndoshta konkursin e ka prishur mosrespektimi i statutit të QKUK’së, por, në fakt, anulimi kishte ardhur pikërisht ditën kur ministri Ferid Agani “zbarkoi” në këtë qendër për të përcjellë shqetësimet e tij.

Drejtori Nijazi Gashi i kishte mbajtur në zyrën e tij testet e kandidatëve ndonëse ato ligjërisht do të duhej të mbaheshin në zyrën e personelit. Ky fakt kishte ngritur dilema tek shumë kandidatë të cilët humbën garën.

Drejtori Gashi insiston se testet i ka mbajtur në zyrën e tij për shkaqe të sigurisë dhe pasi zyra e personelit e kësaj qendre menaxhohet nga një ushtrues detyre. Derisa ky nuk ka pasur besë në u.d. drejtorin e personelit, dilemat janë ngritur edhe nëse nga vet Gashi janë “prekur” testet e të preferuarve të tij, për t’i përmirësuar aty ku kanë gabuar. 

Gashi ka mohuar kategorikisht që ka mundur t’i ketë prekur testet. “Hiç, ama bash hiç nuk i kam prekur. Ato kanë qëndruar në sirtarin tim për shkaqe të sigurisë”. 

Doktori i fëmijëve, megjithatë, është pajtuar me ministrin Ferid Agani që konkursi për drejtorë të klinikave të QKUK’së të prishet sado që këmbëngul se nuk ka pasur shkelje ligjore. 

“Pas konsultimeve erdhëm në përfundim se nuk ishte respektuar pika 5 dhe 4 e nenit 23 të statutit dhe se duhet të anulohet konkursi për shkak të mos respektimit të procedurës ku do të duhej të ishte i deleguar dikush nga Fakulteti i Mjekësisë”, tregon Gashi. 

Sipas këtyre dy neneve, Fakulteti i Mjekësisë do të duhej të delegonte një person si pjesëmarrës në komisionin përzgjedhës të drejtorëve. Në kundërshtim me këtë, caktimin e këtij kandidati e kishte marrë përsipër vet drejtori Gashi me zyrën e Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë. 

Gashi insiston se nëse lexohet me kujdes statuti, aty nuk shkruan se anëtari i komisionit duhet të jetë i deleguar, por duhet të jetë pjesëmarrës i fakultetit. Ai thotë se dy anëtarë të komisionit kanë qenë nga Fakulteti i Mjekësisë. 

Pajtimi me ministrin, sipas Gashit, ka rezultuar me qëllim që të shmangen paqartësitë dhe reagimet. 

Ndër shkeljet tjera gjatë organizimit të konkursit dhe rezultateve të tij kishin të bënin me lejimin dhe përzgjedhjen e Lutfi Dervisiht, i cili ka akuzë të rëndë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për rastin ‘Medicus’, si dhe emërimin e një të afërmi të ish-sekretarit Ilir Tolaj për të udhëhequr komisionin përzgjedhës. 

Doktori Gashi, i cili kishte shërbyer edhe vet gjatë luftës si mjek, ka arsyetuar zgjedhjen e Lutfi Dervishit drejtor të Klinikës së Urologjisë. 

“Unë nuk kam informacion që ai është shpallur fajtor për gjitha këto akuza. Kur e kam parasysh se kush e ka akuzuar, nuk e marr për bazë atë akuzë dhe deri në momentin që ai të mos jetë fajtor, është qytetar me të drejta të plota dhe në momentin që shpallet fajtor do të sanksionohet”, ka interpretuar Gashi. 

Për Gashin, po ashtu, nuk ka rëndësi që kryetari i komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të QKUK’së, Shkëlzen Rexhaj, nuk kishte qenë pjesë e kësaj qendre. 

Vet Rexhaj e ka pranuar publikisht se ka lidhje familjare me Ilir Tolajn. Gashi thotë se këtë fat nuk e ka ditur. 

Drejtuesit e klinikave, ishin zgjedhur në një mbrëmje të vonë e me procedurë të përshpejtuar pasi indikacione ishin dhënë për problemet e konkursit. Gashi sërish insiston se kjo nuk ka qenë ngutje dhe se ishte vetëm përpjekje për t’i zgjedhur drejtorët në kohë optimale.

Nijazi Gashi as nuk ndjehet fajtor dhe as se ka nevojë për të dhënë përgjegjësi. “Këto gjëra mund të ndodhin dhe interpretimi i statutit dhe ligjeve mund të jetë i ndryshëm”, ka thënë ai. “Nuk ka nevojë për kurrfarë përgjegjësie”.