Dyshohet se i Keqpërdori Paratë e Ushqimit të Karateistëve

Ish-karateisti Afrim Latifi e la Kosovën në dhjetor të vitit 2012. Janë bërë gati tre vjet që ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk merret më me sportin e karatesë. Thotë se është zhgënjyer shumë me trajtimin që i është bërë në Kosovë edhe përkundër se ka arritur të marrë titullin e kampionit në këtë sport.

Por keqtrajtimi thotë se ka ndodhur për sa i përket anës financiare. Latifi dyshonte se paratë që ndaheshin për këtë sport janë keqpërdorur nga përgjegjësit e tyre.

Tregon se është angazhuar për ta dokumentuar këtë. Tash është i bindur se paratë janë keqpërdorur.

Ai thotë se nëpërmjet një burimi anonim në Ministrinë e Kulturës ka siguruar dokumente që tregojnë se shuma e ndarë për shpenzimet ditore të ushqimit për një sportist në shumicën e garave jashtë vendit ka shkuar deri në 50 euro.

 “Të gjithë sportistët në të gjitha lojërat jashtë vendit i kanë marrë vetëm 25 euro,” tregon Latifi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Shton se sportistët janë obliguar që të dorëzojnë faturat për shpenzimin e këtyre 25 eurove  te Fadil Arifi, kryetar i Federatës së Karatesë.

“Të gjithëve në atë kohë na thoshte se i keni 25 euro hani bukë e pastaj mi jepni faturat. Ne  nuk e kemi ditur se sa na takojnë. Ne kemi kujtu që ky (Fadil Arifi) nga xhepi apo nga buxheti i Federatës na i ka paguar ato 25 euro,” thotë Latifi duke shtuar se nuk ishin të informuar se paratë jepeshin nga Ministria e Sportit ekskluzivisht për gara jashtë vendit.

Madje ai kujton edhe një garë kur ishte ndjerë i privilegjuar që ka marrë më shumë para se zakonisht.

Kjo thotë se i ka ndodhur në vitin 2012 në Austri ku kishte fituar vendin e parë dhe ishte shpallur garuesi më atraktiv.

Por kishte mbetur pa para pasi i kishte harxhuar të gjitha që ia kishte dhënë kryetari Arifi.

“Ishim në  hotel dhe Ylber Syla e ka keshillu me fjalët ‘Jepja Afrimit bile nja 50 euro se gjynah u ba llom tu u rreh e s’ka pare djali’,” kujton Latifi. Edhe Syla e konfirmoi versionin e Latifit kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Latifi thotë se ishte befasuar kur kryetari Arifi e kishte dëgjuar këshillën e Ylber Sylës.

“Ndihesha i privilegjuar,” thotë Latifi .

Por tash thotë se ndihet i mashtruar kur ka kuptuar se ato 50 euro në ditë në fakt i takonin zyrtarisht dhe nuk i kishte marrë për shkak të zemërgjerësisë së kryetarit.
Thotë se dokumentet që i ka siguruar i ka dorëzuar tek organet kompetente.

“Unë personalisht kam dërgu me e-mail dokumente me foto të bisedave të garuesve që e kanë konfirmuar se kanë marrë vetëm nga 25 euro në ditë. E-mailin ia kam derguar Policisë së Kosovës, prokurorisë dhe  Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Ia kam dërgu të gjithëve në e-mail në mënyrë që të mos thonë nesër- ‘Jo nuk e kemi pranuar denoncimin’,” thotë Latifi.

Nuk është vetëm Latifi që ka “investiguar” kryetarin e Federatës së Karatesë.

Të njëjtën e ka bërë edhe Nazmi Gashi, kryetrajner në Klubin e Karatesë “Bardhoshi”.

Por ai thotë se ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport.

Ministria i ka lejuar qasje.
 
“Kam vërejtur diskrepancë mes asaj që ka paguar Kryetari i Federates tek garuesit dhe asaj që shkruante në projektet e realizuara. Unë pastaj kam pyetur garuesit dhe ata kanë konfirmuar se kanë marrë vetëm gjysmën e asaj që shkruhej në projektet e realizuara,” thotë Gashi.

Ai thotë se ka raporte pune me kryetarin Arifi dhe se e ka kritikuar atë lidhur me veprimet e tij.

Tregon se informatat që i ka siguruar i ka ndarë me institucionet e rendit.

“Duke parë këtë padrejtësi që u është bërë të rinjv,e unë së bashku me Muhamet Rexhepin, kryetrajnerin e Klubit të Karatesë ‘Kampioni’ në Prishtinë kemi lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës në Departamentin për Krime Ekonomike në Prishtinë,” thotë ai.

Këtë e konfirmoi edhe Rexhepi i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Ministria i ka lejuar qasje edhe Gazetës Jeta në Kosovë.

Në dokumentin e siguruar nga MKRS-ja thuhet se për pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian në Turqi në muajin mars të këtij viti MKRS-ja ka ndarë 11 mijë e 140 euro.

Bazuar në këtë dokument secilit prej karateistëve i takojnë nga 48 euro në ditë për shpenzime ditore dhe ushqim.

Qëndrimi i tyre në Turqi ka qenë gjashtëditor.

Arifi: Këto janë tendenca për të dezinformuar

Fadil Arifi, kryetari i Federatës së Karatesë kritikat ndaj tij të Afrim Latifit dhe Nazmi Gashit i quajti tendenca për të dezinfomuar lidhur me punën e tij.
Arifi udhëheq këtë federatë që nga viti 2011.

Federata e Karatesë  në fund të vitit 2014 është pranuar edhe në Federatën Ndërkombëtare të Karatesë. Anëtarë të kësaj federate janë përafërsisht 40 klube.

Arifi pranon se karateistëve nuk u është dhënë shuma e parave ashtu qysh parashihet. Por thotë se ka një arsye se pse ka ndodhur kjo.

Ai merr shembull rastin e Kampionatit Evropian në Turqi ku Alvin Karaqi siguroi normën për lojërat olimpike për Baku.

Thotë se kishte marrë vendim që të rriste numrin e karateistëve pjesëmarrës nga 14 në 19.

Përveç shpenzimeve për pesë karateistët tjerë, thotë se ka pasur probleme me Ministrinë e Sportit.

Thotë se ministria nuk i ka deponuar me kohë paratë e ndara për federatën.

“Meqenëse ne nuk i kemi poseduar mjetet dhe nuk kemi e rezervuar hotelin me kohë, kemi qenë të detyruar që të akomodohemi në hotelin zyrtar aty ku ka qenë edhe përfaqësuesja e Turqisë. Me këtë rast çmimi i hotelit është shumë më i madh se ai i parallogaritur,” thotë Arifi.

Ai thotë të ketë diskutuar çdo gjë me bordin, por nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës nëse e ka diskutuar me karateistët se a kanë qenë ata të pajtimit që paratë e ushqimit t’i ndajnë në këtë formë.

Karateistët thonë se nuk kanë pasur ide se si qëndron puna me financat.

Arifi jep versionin e tij të ngjarjës edhe për garën në Salzburg të Austrisë.

Arifi thotë se ministria i ka ndarë 1 mijë e 820 euro për 13 persona për qëndrim katërditor.

Thotë se ishte përcaktuar që t’u jepen nga 35 euro çdo karateisti.

Por Arifi thotë se ua ka dhënë vetëm nga  25 euro.

Kjo, sipas tij, ka ndodhur për faktin se ka marrë me vetë dy karateistë më shumë.

“Këtyre (dy karateistëve tjerë) u janë hequr shpenzimet e biletave në vlerë prej 697 euro si dhe nga i njëjti fond i projektit edhe këtyre janë u ndare mjetet për ushqim,” thotë ai.
Përveç ankesave për paratë e ushqimit ndaj kryetarit, ka edhe kritika tjera.

Ylber Syla ish-selektor i Përfaqësueses së Karatesë, thotë se në shumë turne ndërkombtare ka qenë prezente edhe Shqipe Zogiani, trajnere klubi.

“Me reprezentacion shkojnë vetëm selektori e jo edhe trajnerët e klubeve me shpenzime të Federatës, në këtë rast me shpenzime të ushqimit të garuesve,” thotë Syla.

Ai shton se vetëm kryetari ka të drejtën të ftojë dikë të marrë pjesë në turne ndërkombëtar. Por dyshon në arsyeshmërinë e vendimit për të ftuar një trajner klubi në këtë rast Shqipe Zogianin.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka kontaktuar edhe Shqipe Zogianin e cila nuk u përgjigj në thirjet e as në porositë e Gazetës.

Kryetari Arifi, lidhur me akuzat për Zogianin, thotë se e ka ftuar për shkak se është e vetmja trajnere e karatesë në Kosovë që ka licencë ndërkombtare.

Rasti në hetime

Policia e Kosovës nuk dha hollësi për rastin, por konfirmoi që po merret me të.

 “Rasti është në fazën e hetimeve, prandaj për shkak të mospengimit ne proces nuk mund të japim informacione,” thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

I pyetur për këtë, Arifi tha se nuk do të befasohej.

“Bazuar në gjithë këtë histeri të paparë dhe në deklarimet e tyre, aspak nuk isha befasuar nese vizitohem nga Prokurori,” tha Arifi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka intervistuar edhe disa karateistë që kanë konfirmuar se kanë marrë vetëm nga 25 euro në ditë kur kanë marrë pjesë në gara ndërkombëtare. Të kontaktuarit kanë parapëlqyer që të mbesin anonimë.