Humbja e 800 Mijë € dhe Telashet me Avokatë

Komuna e Pejës nuk po rehatohet me avokatë. Të gjithë ata që e kanë përfaqësuar nëpër seancat e gjykimeve që nga ardhja e Gazmend Muhaxherit në krye të saj, kanë qenë avokatë të cilët janë kontraktuar nga jashtë. 

Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, mungesën e një avokati publik e arsyeton me moskonkurrimin e askujt për këtë pozitë, edhe pse thotë se konkursi për avokat është hapur tri herë.

Interesat e avokatëve janë të qarta, ata janë të orientuar në raste private që gjenerojnë më shumë para, thotë Sheremeti. 

Ai  shpjegon se si kontaktohen avokatët nga Komuna e Pejës.

“Emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë  muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura ‘Marrëveshje për shërbime të veçanta’ të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit” thuhet në nenin  12 të këtij ligji. 

Komuna e Pejës ka paguar për avokatë të kontraktuar gjatë këtij viti mbi 4 mijë euro, pa llogaritur borxhin që i ka njërit nga këta përfaqësues ligjorë të saj.

Por edhe avokatët e kontraktuar nga Komuna e Pejës që kanë mbuluar mungesën e një avokati publik, thonë të kenë pasur mjaft telashe.

Besnik Blakaj, i cili prej shkurtit të vitit të kaluar e deri në qershor të këtij viti ishte përfaqësues ligjor i kësaj komune, është larguar duke u ndarë i pakënaqur me Komunën e Pejës, edhe pse thotë se “i ka bërë asaj favore”. 

“Me kontratë kam pranuar që të gjitha përfaqësimet t’i bëj me gjysmën e tarifës së përcaktuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, pra kemi përcaktuar vlerën prej 67.60 euro , njëherësh kam hequr dorë edhe nga pagesa për të gjitha mjetet e rregullta, ankesat dhe ato të jashtëzakonshme: revizionin apo kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë si dhe përgjigjet në padi,” thotë Blakaj për Gazetën jeta në Kosovë. 

Ai ankohet se Komuna e Pejës u tregua e padrejtë ndaj tij. 

“Pagesa e parë e honorarit tim është bërë pas 10 muajve ,aty kah muaji janar 2015, kur unë isha i shtrirë në spital nga një sulm në tru, kurse kjo e gjashtëmujorit të fundit po shkon me procedurë përmbarimore, për faktin se drejtori i financave Jeton Abazaj nuk ka pikë vullneti për përmbushje vullnetare të detyrimeve të tij ndaj meje,” sqaron Blakaj. 

Drejtori i Financave në Komunën e Pejës Jeton Abazaj,  shpjegon për Gazetën Jeta në Kosovë se ka pasur mungesë të buxhetit dhe për këtë arsye nuk është paguar avokati me rregull, ndërsa pranon se borxhi ndaj avokatit Blakaj është rreth 3 mijë euro. 

Pagesën e ulët e përmend si arsye për largim nga përfaqësimi ligjor i Komunës së Pejës edhe Hysen Ibishi, ish-avokati publik i Pejës në periudhën në periudhën 2008-2011. 

“Jam larguar nga kjo pozitë për shkak të gjendjes ekonomike, kam vazhduar edhe dy vjet si i kontraktuar deri sa është angazhuar një avokat tjetër” tha Ibishi. 

Sipas tij me pagën e marrë nga komuna si avokat i rregullt, ai si familjar nuk ka mundur ta mbajë familjen e tij.

Edhe avokatit aktual të Komunës së Pejës Muharrem Shalës që u kontraktua për mbrojtje nga korriku i këtij viti, nuk i duken të mjaftueshme 67 eurot e pagesës që komuna jep për një seancë. 

“Komunës i konvenon dhe ka interes juridik me pasë një avokat të saj,” thotë Shala, duke treguar se i bie ta përfaqësojë shumë herë nëpër gjykata pushtetin lokal të Pejës. 

Edhe Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit Muhaxheri, e pranon se kësaj komune i duhet avokati publik. 

“Obligohemi si komunë e madhe dhe me shumë nevoja që për t’u përfaqësuar në gjykata të kemi një kontratë për shërbime publike,” thotë Sheremeti. 

Por avokati Muharrem Shala tregon se nuk po konkurron askush për pozitën e avokatit publik në Pejë, për shkak të pagës së ulët. 

Një avokat publik komunal merr pagën prej 525 eurosh në muaj. 

Opozita kundër avokatëve të kontraktuar 

Avokat publik për Komunën e Pejës kërkon edhe Avdi Shkreli, asamblist i “Vetëvendosjes”. 

“Ne konsiderojmë që duhet të respektohen rregullat qe i përcakton ligji dhe në bazë të këtyre rregullave të zgjidhet avokati që do mbrojë Komunën në konteste të ndryshme,” thotë Shkreli. 

Edhe Blerim Nikçi nga AAK-ja thotë se është absolutisht i panevojshëm kontraktimi i avokatit jashtë komunës.

“Mendojmë që kjo formë e kontraktimit të avokatëve jashtë Komunës është e dëmshme në dy aspekte, së pari kushtojnë më shumë (shumë më tepër sesa një pagë e  një avokati) dhe se dyti avokati i jashtëm kushdoqoftë ai sigurisht që ka edhe shumë lëndë të  tjera dhe shumë ngarkesa dhe nuk ka si të jetë i suksesshëm në përfaqësimin e Komunës,” thotë Nikçi. 

Avdi Shkreli i “Vetëvendosjes” thotë se komuna arsyeton kontraktimin e avokatëve me nevojën për të përmirësuar gabimet në fushën e mbrojtjes juridike të pushtetit të kaluar lokal. 

Por Komuna e Pejës ka humbur disa raste gjyqësore gjatë vitit 2014, në kohën kur kryetar u zgjodh Gazmend Muhaxheri. 

Drejtori i Financave Jeton Abazaj thotë se proceset e humbura gjyqësore  kanë sjellë vështirësi në funksionimin e buxhetit të Komunës së Pejës. Abazaj bën me dije se humbjet kanë qenë të mëdha.

“Komuna në vitin 2014 i ka humbur 3 raste ne vlerë totale prej 822 mijë e 844,99 euro,” thotë Abazaj . 

Ai shton se këto janë raste që janë inicu në gjykata gjatë mandatit të kaluar dhe janë trashëguar nga qeverisja e re.

Ai shpjegoi se vetëm një kompanie iu desh t’ia paguajnë më shumë se gjysmën e kësaj shume-438 mijë e 261 euro, kur e humbën me të çështjen në gjykatë. 

Edhe Komuna e Gjakovës mbeti gjatë vitit të kaluar pa avokatin e saj, pasi ai u suspenduar nga kjo pozitë për shkak të hetimeve që po zhvilloheshin ndaj tij.