Akuza për Neglizhencë të Rrezatimit në Mitrovicë

Dy rrufepritës radioaktivë që ndodhen në hapësirën e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica janë zbritur nga shtylla 13 metërshe ku kishin qenë për mese 30 vjet, por largimi mund të mos jetë kryer në përputhje me standardet përkatëse dhe rrufepritësit tani rrezikojnë të jenë burim rrezatimi për punëtorët e fabrikës dhe banorët përreth.

Demonitimi i burimeve radioaktive është bërë më 25 dhe 26 korrik nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) e kontraktuar nga Agjencioni Kosovar për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRrSB).

Menaxhmenti i fabrikës dhe agjencioni për mbrojtje nga rrezatimi nuk e dinë zyrtarisht sa është rrezatimi i dy rrufepritesve. Kurse, Shyqyri Dumani, shef i Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi në kuadër të Institutit të Mjekësisë së Punës me seli në Obiliq, është shkarkuar nga pozita e shefit të Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi pasi gjoja ka dhënë deklarata alarmuese për rrezatim, pa pëlqimin e institutit.

Dumani i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se këta dy rrufepritës radioaktivë janë montuar në vitin 1975. Sipas tij, ata janë Co(kobalt)-60 dhe në momentin e montimit kanë pasur një aktivitet prej 200 mCi (milikurie). Kjo shumë është e barabartë me 7,400,000,000 Bq (bekerrel).

“Tani ata janë të zbritur poshtë, dhe në sipërfaqe rrezatojnë shumë, për disa mija herë më shume se rrezatimi natyror, prandaj rrezikojnë jetën e punëtorëve”, tha Dumani. “Tani kanë një aktivitet prej 0,6 GBq”. Një GBq është baras me 1,000,000,000 Bq dhe kështu del se bëhet fjalë për 600,000,000 Bq rrezatim.

Sipas tij, janë mese 200 rrufepritës që ndodhen në tetë lokacione të territorit të Kosovës, e që sipas ligjit për Mbrojtje nga Rrezatimi Jo-Jonizues, Jonizues dhe Sigurinë Nukleare, duhet që në afat prej 2 vitesh të demontohen.

Me Komisionin Europian si donator për ndërtimin e objekteve shtesë të fabrikës së ujit “Mitrovica”, në Shipol, ujësjellësi kishte bërë kërkesë në AKMrSB për t’i larguar burimet.

Sipas një informate dërguar policisë së EULEX-it nga Dumani në emër të Institutit të Mjekësisë së Punës, AKMRrSB do të duhej ta njoftonte së pari këtë institut, sipas ligjit, dhe që thotë se është i vetmi në vend që ka kapacitet për të demontuar, izoluar dhe sarkofaguar këta rrufepritës.

Por, në vend të kësaj thotë informata, AKMrSB ka kontaktuar FSK-në që kishte zbritur rrufepritësit dhe i kishte vendosur në kontejnerë çeliku të fiksuar me çimento.

foto  
Shyqyri Dumani  

 

Dumani i Institutit të Mjekësisë së Punës thotë se me këtë rast është shkelur edhe ligji për FSK-në pasi i njëjti kërkon që ajo “të ndihmojë autoritetet civile” në përgjigje ndaj fatkeqësive natyrore.

“Këtë që e ka bërë u.d. i shefit të AKMRsSB Ferki Fejza nuk do ta kishte bërë një zyrtar me kualifikim të mesëm, e lëre më një zyrtar i lartë me kualifikim superior të Qeverisë”, thotë Dumani, në një shkresë të tij. 

Sipas tij, FSK nuk ka mundur të bëjë izolimin e duhur të këtyre burimeve. Me të kuptuar këtë, siç shihet në letërkëmbime që i posedon gazeta, ujësjellësi i kishte kërkuar AMKRrSB-së skica se si të bëhet izolimi, por kjo, kishte sugjeruar që ujësjellësi të hapë tender për të dalë nga situata. Tek atëherë, ujësjellësi kontakton Institutin e Mjekësisë së Punës. Ky u përgjigjet duke thënë se në bazë të ligjit kërkohet që të angazhohen nga AKMRrSB-ja. Kjo e fundit nuk e angazhon atë asnjëherë.

Sipas Dumanit, burimet radioaktive qëndrojnë në oborrin e fabrikës së ujit dhe AKMRrSB-ja nuk ka dhënë urdhër që ky institut të kryejë izolimin sipas standardeve profesionale.

Nga fabrika e ujësjellësit rajonal “Mitrovica” furnizohen me ujë rreth 400,000 banorë në komunat Mitrovicë, Vushtrri, Skënderaj dhe Zveçan. Një ekspert i dërguar në fabrikën e ujit me kërkesë të AKMRrSB-së ka konstatuar se gotat ku janë vendosur këto mjete janë nga çeliku me trashësi afër 10 centimetra, mirëpo duhet të jenë nga plumbi me përmasa 13 centimetra.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Ferki Fejza ushtrues detyre i agjensionit (AKMRrSB), thotë se ky ka qenë një rast kur është dashur të ketë ndërhyrje të shpejtë për shkak të punimeve në objete. “FSK ka bërë matjet e rrezatimit, por pas zbritjes së burimeve është vërejtur se këto mjete të FSK-së nuk e kanë matur sakt rrezatimin, kanë rrezatim më të madh dhe kontejneri i siguruar nga ujësjellësi nuk është adekuat”, tha Fejza.

Ai shtoi se “në Kosovë nuk ka institucion që ka kapacitet të bëjë demontimin e plotë të mjeteve radioaktive”. 

Naim Hajdini, inxhinier në fabrikën e ujit, thotë se më datën 3 shtator ujësjellësi rajonal Mitrovica i ka shkruar një kërkesë Ferki Fejzës nga agjensioni përmes së cilës ka kërkuar që të sigurohen skica zyrtare të dizajnit të enës (gotës) izoluese me të gjitha elemetet përcjellëse që nevoiten për ambalazhim. “Agjensioni është treguar neglizhent karshi këtij rasti, nuk na ka ofruar të dhëna zyrtare, vetëm disa skica të cilat nuk ka pranuar t`i nënshkruaj zyrtarisht”, thotë Hajdini.

Në përgjigjen e kthyer të njëjtën ditë, Ferki Fejza lavdërohet se agjencioni ku punon ai ka bërë më shumë se sa që i takon. “Agjencioni është autoritet që jep udhëzime dhe mbikqyrë zbatimin e tyre për veprimet që duhet të ndërmarrë, por nuk bënë skica dhe dizajnime të tilla”.  Sipas tij, agjencioni në bazë vullnetare ka dërguar një ekspert për vlerësimin dhe dhënien e instruksioneve të nevojshme. “Vetë fabrika është treguar e pakujdesshme me këshillat që i kemi siguruar”, tha ai.

Më datë 28 gusht AKMRrSB me një shkresë i është drejtuar menaxhmentit të fabrikës që në afat prej 10 ditësh të sigurojë kontejnerët me izolimin e përshtatshëm për burimet në fjalë. Sipas shkresës, ujësjellësi duhet të angazhojë një kompani dhe pastaj “ajo kompani të dhënat (v.j.skicat prej saj) i merr nga një shkresë me email nga agjencioni”.

Naim Hajdini thotë se fabrika nuk mund të hapë tender përderisa nuk e di zyrtarisht se çka kërkohet për mjetet izoluese. “Ne kemi kërkuar që të zyrtarizohet skica e ekspertit dhe pastaj të kontaktojmë kompanitë që do të mund të punonin gotat”, thotë Hajdini.

Pas kësaj, fabrika i drejtohet Institutit të Mjeksisë së Punës që të ndërhyjë. Instituti i kthen përgjigjje se i nevoitet leje nga agjensioni për të vepruar.

Rexhep Kaquri, drejtor nga Instituti i Mjekësisë së Punës, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk është thirrur nga agjensioni për të ndërhyrë edhe pse ka pranuar një kërkesë nga menaxhmenti i fabrikës. “Agjensioni është dashur të na japë leje për veprim, mirëpo ne nuk jemi kontaktuar dhe s’kemi qenë pjesë e kësaj pune”, thotë Kaquri.

Shefi i Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi në institut, Shyqri Dumani, tashmë i shkarkuar nga kjo pozitë,  insiston se ka shumë rrezik nga rrezatimi për punëtorët e fabrikës. Ai gjithashtu ka thënë se nga agjensioni është bërë shkelja e dy ligjeve – ligjit për mbrojtje nga rrezatimi jo-jonizues dhe jonizues si dhe ligji për forcën e sigurisë së Kosovës. “Trupat e FSK-së janë nuk kanë pasur mjetet e nevojshme mbrojtëse gjatë aksionit me ç’rast është rrezikuar jeta e tyre dhe vazhdon rreziku nga rrezatimi edhe për punëtorët e fabrikës”, thotë ai.

Zyra për informim e FSK-së, në një përgjigje për gazetën, thotë se ajo ka përgatitjet profesionale dhe teknike për tu marrë me këso situatash.

Dumani është shkarkuar të martën nga pozita e shefit të Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi, me arsyetimin se ka dhënë deklarata personale në emër të Institutit pa lejen paraprake të Institutit të Mjeksisë së Punës.

Disa banorë të Shipolit të Mitrovicës, të intervistuar nga gazeta, janë shprehur se nuk e dinë se a janë dhe sa mund të jenë të rrezikuar nga rrezatimi edhe pas një muaji e gjysmë që kur rrufepritëset janë larguar prej vendit ku kanë qenë.

Ujësjellësi nuk ka lejuar gazetën të fotografojë hapësirën ku është bërë izolimi.

Komuna e Mitrovicës thotë se rrufepritësit do të largohen. “Sapo të gjendet një kompani që do të bëjë punën siç duhet, ato do të largohen, pasi kështu kemi marrë zotimin edhe nga menaxhmenti i fabrikës”, ka thënë Ahmet Jashari, zyrtar për informim në komunë.

Gazeta Jeta në Kosovë, gjatë muajit qershor, kishte analizuar raportin e Bankës Botërore për Sigurinë në Ujë në Kosovën Qendrore. Raporti i bankës botërore shprehte shqetësimin se  aktualisht nuk ka asnjë tretman për ujërat e zeza në Kosovë. “Në lumin e Sitnicës derdhen shumë nga këto ujëra ashtu si dhe mbeturinat industriale nga termocentralet e vjetra të vendit – Kosova A dhe B. Sitnica pastaj derdhet në Ibër, i cili merr ujin e patrajtuar nga qyteti i ndarë i Mitrovicës, para se të hyjë në Serbi dhe më vonë në Danub.

“Nuk ka asnjë trajtim të ujërave të zeza të mbledhura, përfshirë ujërat e zeza nga shtëpitë dhe ato industriale”, thuhej në atë raport.