Restorant Pa Leje në Zonën e Ujëvarës

Ky objekt ndodhet jo më larg se 300 metra nga Ujëvara që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se është zonë e mbrojtur.

Në bazë të ligjit për mbrojtjen e natyrës të datës 9 nëntor 2010 dhe planit hapësinor përkatës, hapësira prej 598.4 hektarësh e parkut të Ujëvarës Mirusha ishte shpallur zonë e mbrojtur dhe aty nuk mund të ndërtohet.

Por Xhevat Hasanaj ngriti një ndërtim që donte ta bënte restorant për vizitorët që vijnë në ujëvarë.

Kur ndërtimi filloi, para dy vitesh, Hasanaj thotë se kishte menduar për emrin e restorantit që ia kishte vënë “Mulliri Ujëvara” dhe për relaksimin e vizitorëve të shumtë që ka ky peizazh.

Mirëpo, jo edhe se i duhej lejen e ndërtimit “në tokën e gjyshit e të katragjyshit” të tij.

“Nuk kam aplikuar për leje se kam ndërtuar restorantin në tokën e familjes sime, aty ku mulliri ka ekzistuar gjithmonë”, tha Hasanaj.

Punimet u ndaluan kur objekti mori formë pasi inspektorët komunalë ndërhynë me të kuptuar se parcela e tokës është pjesë e peizazhit të mbrojtur. 

Rajoni i Mirushës ndodhet në territorin e komunave Klinë, Malishevë dhe Rahovec, ka një sipërfaqe prej 63.21 kilometra katrorë dhe është një ndër rajonet më interesante të natyrës së Kosovës. Nga Prishtina është larg 65 km.

Vetëm pas ndërhyrjes së inspektorëve, Xhevat Hasanaj ka filluar të kërkojë leje ndërtimi.

Ai e deponoi kërkesën në komunën e Malishevës por kurrë nuk mori përgjigje – pozitive a negative.

E kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, komuna e Malishevës thotë se objekti në fjalë është ndërtuar pa lejen e saj. “Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm nuk ka lëshuar leje për këtë ndërtim”, ishte përgjigjja e komunës. “Fillimisht duhet pëlqimi mjedisor nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor”.

Hasanaj i drejtohet më pas Ministrisë. Kjo e fundit thotë se kishte refuzuar të japë pëlqimin për NTH Restorant “Mulliri te Ujëvara” pasi parcela gjendej në zonën e veçantë deri në “hartimin e planit hapësinor për atë zonë”.

Ajo e obligon inspektoratin komunal në Malishevë të zbatojë vendimin e saj.

Edhe në mbledhjen e 23 majit 2012 Qeveria e Kosovës me vendimin për monumentet e natyrës me rëndësi të veçantë, kishte shpallur  “Ujëvarën e Mirushës” zonë të mbrojtur.