Fidanët Nuk Janë

Një pjesë nga dy milionë fidanët nga projekti i njohur i Kryeministrit Hashim Thaçi, që figurojnë të mbjellë, nuk gjenden në hapësirat përkatëse. Disa prej hapësirave janë të zbrazëta, në disa të tjera drurët janë të mbjella shumë moti, e në disa fidanët janë tharë e shkatërruar.

Më 2009, kreu i Qeverisë inicioi projektin “Një banor, një fidan” që u zbatua nga Ministria e Pylltarisë dhe ajo e Mirëqenies Sociale, si dhe komunat, ndërsa kushtoi 573 mijë e 330 euro. Në atë kohë, Thaçi e pat vënë “krijimin e ambienteve më të pastra për neve, për familjet tona dhe fëmijët e fëmijëve tanë” ndër pesë prioritetet kryesore të qeverisë së tij.

foto  
Kryeministri Hashim Thaçi mbjell fidanë, Vushtrri, 2009  

 

Sipas të dhënave qeveritare, me këtë projekt janë pyllëzuar 816 hektarë tokë në të gjitha komunat, me gjithsej 1 741 200 fidanë.

Por ekipet e BIRN-it, që kanë vëzhguar hapësirat që figurojnë të mbjella në një broshurë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kanë vërtetuar se shumë prej tyre janë të zhveshura, me fidanë të tharë ose me drurë shumë të vjetër.

Në rajonin e Prishtinës, pjesë e planit për pyllëzim ka qenë rrethina e Badocit, me 29 hektarë. Disa banorë të intervistuar, e që jetojnë në këtë anë, kanë thënë se nuk kanë parë të jenë pyllëzuar këto sipërfaqe, viteve të fundit. Malet në atë pjesë duken me drurë të vjetër.

foto  
Badoc  

 

Gjendje thuajse e njëjtë paraqitet edhe në komunën e Fushë-Kosovës, ku Bardhi i Madh, Sllatina e Vogël, Sllatina e Madhe si dhe sipërfaqe të fshatit Harilaq, me gjithsej 40 hektarë, figurojnë si pjesë e pyllëzimit. Aty janë parë vetëm sipërfaqe të zhveshura, ose me pyje të dendur. Edhe këtu, disa banorë i thanë gazetës se nuk kanë parë të jenë të mbjellë fidanë.

Xhavit Statovci, menaxher i Zyrës së personelit dhe zhvillimit të burimeve njerëzore në Agjencinë Pyjore të Kosovës (APK), i cili më 2009 ka qenë drejtor i Drejtorisë Koordinuese të APK-së në Prishtinë dhe ka menaxhuar implementimin e projektit “Një fidan një banor” në këtë rajon, thotë se të gjitha lokacionet përkatëse ishin pyllëzuar konform planit dhe projektit.

“Mirëpo se çfarë është sot gjendja e atyre plantacioneve të pyllëzuara është çështje tjetër, kur kemi parasysh se nga korriku i vitit 2010, mbrojtja e pyjeve dhe vend-pyllëzimeve (plantacioneve të pyllëzuara) nga të gjitha llojet e dëmtimeve, si kompetencë është deleguar konform plotësim ndryshimit të Ligjit për Pyjet, në nivelin lokal-komuna”, tha Statovci.

foto  
Domorovc  

Në rajonin e Gjilanit, në fshatrat Shipashnicë dhe Domorovc, fidanët ishin mbjellë, por rreth 90 për qind e tyre janë tharë në mungesë të ujit, sipas banorëve dhe siç shihet në foto.

Në fshatin Cernicë, po ashtu, shumica e fidanëve ishin tharë për shkak të thatësisë dhe shkatërrimit nga bagëtitë.

Vetëm aty ku ishin marrë në mbikëqyrje private – një hapësirë e vogël në formë bahçe tradicionale – pronari u rrinte gati duke i ruajtur dhe ujitur. Kështu, aty fidanët kanë mbijetuar.

foto  
Fidanët në hapësirë private, Cërnicë  

 

Në fshatin Stubëll të Vitisë, gjendja ishte pakëz më e mirë, por edhe atje shumica e fidanëve ishin tharë.

Në rajonin e Pejës, duket se projekti kishte dështuar. Në bjeshkët e Prejlepit të Deçanit, siç tregojnë punëtorët, ishin mbjellë një numër fidanësh, mirëpo kjo nuk ishte bërë në mënyrën e duhur dhe për to nuk ishte kujdesur më askush, e kështu ishin tharë. Komuna thotë se nuk ishte marrë me administrimin e projektit, pasi këtë e kishte bërë Agjencia Pyjore.

Autoritetet përgjegjëse, përkatësisht Agjencia Pyjore e Kosovës (që funksionon nën Ministrinë e Bujqësisë, të Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural) dhe kuvendet komunale, e hedhin përgjegjësinë tek njëri-tjetri.

Adil Behramaj, zëdhënës i MBPZHR-së, thotë se derisa planifikimi për pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura bëhet nga ekspertë të pylltarisë, përcaktimi i lokacioneve për mbjellje si dhe mbrojtja e vend-pyllëzimeve është kompetencë e autoriteteve komunale, në bazë të ligjit përkatës dhe Pakos së emisarit Marti Ahtisaari. “Mbrojtja e pyjeve dhe dhënia e licencave për prerje është kompetencë që është deleguar nga niveli qendror në nivelin lokal”, tha ai.

Por Fixhri Hyseni, shef i sektorit për Bujqësi në Komunën e Prishtinës, thotë se komunat nuk kanë asnjë përgjegjësi lidhur me fidanët e mbjellë në vitin 2009.

“Kompetencat për ruajtjen e pyjeve i kemi marrë tek në korrik të vitit 2010”, i tha Hyseni, Gazetës Jeta në Kosovë.

Nga vëzhgimi në terren është parë se në rajonin e Prizrenit dhe Ferizajt, janë gjetur disa nga sipërfaqet e pyllëzuara, që janë të paraqitura në hartën e Ministrisë së Bujqësisë.

Në rajonin e Prizrenit, lokacionet “Kroi i Rexhës” dhe “Bjeshka e Ndërmjeme” janë të pyllëzuara me një sipërfaqe prej 25 hektarësh. Banorët e këtyre rrethinave dhe Ali Berisha, drejtor i Zyrës për Pylltari, thonë se terrenet ku janë bërë pyllëzimet gjenden shumë larg fshatrave.

Rajoni i Ferizajt ka të pyllëzuara lokacionin te “Livadhet e Kishës”, që gjendet në fshatin Jezerc, pika e 6-të, me rreth 10 hektarë. Banorët kanë treguar se aty janë mbjellë pisha në vitin 2009. Terreni është i vështirë dhe nuk mund të arrihet me makina normale. Mbjellja është konfirmuar edhe nga Bekim Topalli, drejtor i Zyrës për Pylltari dhe Lumi Salihu, inspektor i Pylltarisë në Ferizaj.

Lokacione të tjera të pyllëzuara gjenden edhe në Viqaj të komunës së Shtërpcës (20 hektarë), edhe pse ato duken të dëmtuara seriozisht, dhe në një zonë të quajtur Garmada në Raçak të Shtimjes (20 hektarë).

foto  
Shtërpcë  

 

Musa Demiri, drejtor i Zyrës për Komunikim me Mediat në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tregon se kjo ministri ka qenë zbatuese e projektit një “Një banor, një fidan” së bashku me Agjencinë Pyjore. Ajo ka qenë përgjegjëse për rekrutimin e 1 735 punëtorëve, nga të cilët 1 652 ishin punëtorë fizikë për t’i kryer pyllëzimet dhe 83 mbikëqyrësve të punimeve, në 30 komuna.

Ai thotë se shumica e punëtorëve janë zgjedhur nga zyrat komunale të punësimit, por kishte edhe të atillë që janë zgjedhura nga banorët e lagjes, sipas nevojave, ku bëhej pyllëzimi i sipërfaqeve të zhveshura.

“Në bashkëpunim me zyrat për punësim, nëpër komunat e Kosovës, ne kemi pasur për qëllim zbutjen e papunësisë”, i tha Demiri, Gazetës Jeta në Kosovë.

Projekti është realizuar në 30 nënprojekte dhe sipas Demirit, secila komunë në vitin 2009 ka pasur projektin e vet për pyllëzim. Pagesat për punëtorët kanë kapur shifrën 227 mijë e 210 euro.

MBPZhR-ja thotë se blerja e 1 000 000 fidanëve është bërë përmes procedurave të hapura tenderuese nga kompania fituese “Semenarna Kosovë ShPK”, me vlerën 119 mijë  e 950 euro. Nuk figuron se ka pasur ndonjë ankesë ndaj furnizimit me fidanë nga kjo kompani.

Refki Zogaj, pronar i kompanisë, konfirmon se e kishin furnizuar Agjencinë Pyjore me këta fidanë, në vitin 2009.

“Detyrë e jona si kompani ka qenë dorëzimi i fidanëve me kualitet të lartë deri te kontraktuesi”, tha Zogaj për Gazetën JnK. “Se çfarë ndodhë pastaj me fidanët, ne nuk jemi përgjegjës”.

Blerja e mjeteve të punës në shumën prej 9 mijë e 333 euro e ka bërë operatori fitues NT “Te Ismeti”, ndërsa trajnimin për mbjelljen e fidanëve e kanë bërë punëtorët profesionalë të Institutit Pyjor, gjatë orarit të tyre të punës, dhe pa u kompensuar.

Tenderin për transportimin e punëtorëve e ka fituar operatori ekonomik NTPShZ “Lypeteni” me vlerën 90 mijë e 631 euro.

Pronari i kompanisë, Fadil Guri, thotë se ai nuk e mban mend nëse punëtorë ishin transportuar për të kryer mbjellje në hapësirat që figurojnë të zbrazëta. “Kemi lidhë marrëveshje edhe me disa kompani transportuese, nëpër komunat e Kosovës, të cilat çdo mëngjes i kanë marrë punëtorët për t’i dërguar në lokacionet e punës”, tha ai. “Nuk e di nëse dhe sa kanë shkuar, me rëndësi kompania ua ka dërguar autobusin”.

Investime të mëdha në pyllëzim, por shkatërrimi edhe më i madh

Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural thotë se që nga viti 2010, ajo e ka mbjelljen e fidanëve pjesë të programit të saj.

Vetëm këtë vit, thotë zëdhënësi Adil Behramaj, Agjencia Pyjore e Kosovës, me rreth 500 mijë euro të ndara, ka planifikuar që të pyllëzojë rreth 545 hektarë me 1,2 milion fidanë të rinj. Ata do të mbillen në Ferizaj – 60 hektarë, në Gjilan – rreth 95 hektarë, në Mitrovicë – rreth 90 hektarë, në Pejë dhe Prizren me nga 100 hektarë të rinj, në sipërfaqe të zhveshura pyjore.

Behramaj tha se afati ligjor për pranimin e ofertave rreth tenderit të sivjetmë është i hapur deri më 15 shtator. “Mbjellja planifikohet të realizohet në periudhën optimale prej 15 tetorit deri më 15 nëntor, të këtij viti”, tha ai.

Sipas tij, më 2011 në rajonin e Ferizajt janë pyllëzuar rreth 50 hektarë, në rajonin e Gjilanit rreth 80 hektarë, në rajonin Prishtinës rreth 90 hektarë dhe në rajonin e Mitrovicës janë pyllëzuar 86.74 hektarë të rinj të sipërfaqeve të zhveshura.

Kompania “Frashëri” nga Vitia, kishte fituar tenderin për mbjelljen e këtyre fidanëve në vitin 2011. Në vitin 2010, kompania “Lypeteni” ka qenë e kontraktuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës për pyllëzimin e 500 mijë fidanëve të rinj në gjithë Kosovën, projekt i cili ka kushtuar 133 mijë e 798 euro.

Në një vendim të Organit Shqyrtues i Prokurimit, të muajit shtator të vitit 2011, Gazeta Jeta në Kosovë ka parë që kompania “Lypeteni” kishte drejtuar ankesë duke shprehur pakënaqësiqë kompania “Frashëri” kishte fituar tenderin për mbjelljen e fidanëve gjatë vitit 2011. Kjo ankesë nga ana e kompanisë “Lypeteni”, ishte refuzuar nga OShP-ja.

Fadil Guri, pronar i kompanisë “Lypeteni”, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë, se kompania “Frashëri”, e ka fituar tenderin në vitin 2011, pasi ka pasur njerëz të njohur brenda Agjencisë. “Për këto arsye edhe jemi ankuar, sepse ata nuk kanë pas punëtorë dhe mjete të mjaftueshme për ta kryer pyllëzimin në gjithë Kosovën”, tha Guri.

Përkundër tentimit të gazetës për të kontaktuar pronarët e kompanisë “Frashëri”, kjo ka qenë e pamundur. Gazeta nuk ka fakte se tenderi ka qenë i parregullt.

Ndërkohë, Inspektorati i Pyjeve bashkë me autoritetet komunale në vitin 2011 kanë ngritur 7827 fletëparaqitje – 5029 kanë qenë për kundërvajtje dhe 2798 për vepra penale të shkatërrimit të pyjeve.

Zëdhënësi Behramaj thotë  se në vitin 2011 dëmtimet më të mëdha të pyjeve janë bërë në  komunat e Deçanit, Pejës, Istogut, Ferizajt, Kaçanikut dhe Podujevës – që njihen si vende me pyjet më të mira.

Shkatërrimi i pyjeve ka vazhduar edhe në muajt e fundit nga zjarret, prej të cilave besohet janë djegur rreth 3 400 hektarë pyje në rrethin e Dragashit, Pejës, Deçanit e Gjakovës. Sipas Qeverisë, rreth 2 900 hektarë janë pronë e qeverisë.

Planifikohet prerja e 300 mijë kubikë dru

Agjencia Pyjore e Kosovës e ka përgatitur planin vjetor të menaxhimit të pyjeve në vitin 2012, që është diskutuar dhe aprovuar nga të gjitha komunat.

Pjesë e këtij plani është edhe sasia e lejuar për prerjen e masës drusore.

Në vitin 2012, planifikohet të realizohen prerje në pyje shtetërore gjithsej 141 518 metra kub, ndërsa në pyjet private 180 210 metra kub.

Plani i prerjeve bëhet mbi bazën e planeve menaxhuese 10-vjeçare të cilat lejojnë sasinë e prerjeve pas damkosjes nga ana e zyrtarëve të APK-së. Qëllimi i këtyre projekteve, sipas MBPZhR-së, ka qenë pyllëzimi i djerrinave të formuara nga pasojat e zjarreve dhe prerjeve ilegale, përmirësimi i strukturës së pyjeve, mbrojtja e mjedisit dhe nxitja e bashkëpunimit ndërmjet ministrive dhe komunave.

Në hulumtim kanë marrë pjesë edhe: Florent Spahija, Petrit Kryeziu, Ardian Lulaj, Vlora Osmani, Armend Zenelaj dhe Qazim Hasanaj.