Një e Treta e Popullatës Pi Ujë të Pakontrolluar

Rreth një e treta e popullsisë së Kosovës, kryesisht nëpër zonat rurale, furnizohen me ujë të pijshëm nga puset. E një studim i Bankës Botërore ka treguar se 90 për qind të mostrave të ujit, të marra nga puse dhe burime lokale, në vitin 2009, ishin të kontaminuara me nitrate të dëmshme dhe materie fekale.

“Ndotja e ujërave nëntokësore është në rritje për shkak të ndërtimeve të reja dhe nga mungesa e mekanizmave për parandalimin e ndotjes”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Edhe një raport i Ministrisë së Mjedisit për gjendjen e ujërave në Kosovë për vitin 2010, tregon se 65 për qind e popullatës rurale në Kosovë pinë ujë nga puset, dhe se shumica e tyre janë johigjienike.

Besim Limani, 44-vjeçar, nga fshati Gadime i Lipjanit, bashkë me shtatë anëtarë të familjes së tij, e marrin ujin për pije nga një pus i hapur në oborrin e tyre.

“Kurrë nuk i kemi ba analizat [e ujit të pusit]. Kemi kërku nga Komuna, por nuk kanë ardhë”, i tha Limani, Gazetës Jeta në Kosovë.
 
Teste të kryera gjatë vitit 2009, në puse dhe burime lokale gjithandej Kosovës, kishin zbuluar se 90 për qind e mostrave ishin të kontaminuara me nitrate dhe materie fekale. Edhe
të dhënat nga monitorimi i burimeve të ujit të pijshëm për vitin 2010, nga Ministria e Mjedisit, kanë treguar se ndotja e ujit të pijshëm është më e madhe nga kontaminimi.

“Ndoshta jemi kalitur duke e pirë këtë ujë se kurrë nuk jemi helmuar”, shprehet Limani.

Ai thotë se nuk ka para për t’i bërë analizat e ujit, në mënyrë që ta kuptojë se sa është i rrezikshëm uji që ai dhe familja e tij e pinë dhe e përdorin për përgatitjen e ushqimeve.

Pren Gjinaj, nga Novosella e Gjakovës, tregon se në këtë fshat ka pasur helmime nga uji i kontaminuar.

“Gjendja e furnizimit me ujë këtu është katastrofike. Nuk kemi ujësjellës vetëm puset që i kemi hapur, por këto nuk janë të sigurta. Jemi helmu disa herë”, tregon Gjinaj.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë treguar se një analizë e ujit, kushton 50 euro.

Burbuqe Nushi, shefe e sektorit të ujit në këtë institut, e konfirmon gjendjen e keqe të burimeve private, siç janë bunaret, në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Ne dalim katër herë në vit në terren për ta parë gjendjen si është. Marrim mostra të ujit, zakonisht nëpër shkolla, shtëpi të shëndetit por edhe në ndonjë familje të madhe, nga e cila më herët kemi pasur indikacione për helmime”, tha Nushi.

Ajo thekson se institucionet duhet të merren më seriozisht me ujin e pijshëm. “Uji tashmë është problem global dhe edhe ne nëse nuk e kemi prioritetin kryesor, të paktën të merremi seriozisht me të”, tha Nushi.

Shfrytëzimi i ujërave pa kurrfarë kontrolli, për ekspertin e ujërave , Baton Begolli, do të paraqesë problem për të ardhmen.

Për ta kursyer ujin e pijshëm, Komuna e Prishtinës edhe këtë verë ka nxjerr një urdhëresë për kufizimin e shfrytëzimit të ujit të pijshëm.

Në këtë urdhëresë thuhet se asnjë person nuk duhet ta shfrytëzojë ujin e pijshëm për larjen e automjeteve, të rrugëve, trotuareve, larjen e shkallëve dhe ujitjen e kopshteve.

Gjobat për personat fizikë të cilët zihen duke e keqpërdorur ujin janë 100 euro, kurse për personat juridikë 200 euro.

Arieta Mjeku, zëdhënëse e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, thotë se për dhjetë ditë sa ka filluar aksioni janë gjobitur rreth 50 familje.

“Ky aksion po ndikon edhe në vetëdijesimin e qytetarëve të Prishtinës. Nuk është qëllimi që vetëm të mbledhim të holla, por që të vetëdijesohen qytetarët, në mënyrë që uji i pijshëm të mos keqpërdoret”, ka thënë Mjeku.