Prishtina Tri Herë Më e Ndotur se Londra

Niveli i lirimit të grimcave PM 2.5 në ajër është mesatarisht 39.5 në Prishtinë, deri në tri herë më shumë se sa në shumicën e qyteteve europiane, sipas një raporti të publikuar javën e kaluar nga Banka Botërore në lidhje me gjendjen mjedisore në Kosovë. 

Këto grimca besohet se shkaktojnë sëmundje të zemrës, kancerin në mushkëri dhe sëmundje tjera të frymëmarrjes. 

Njëri ndër qytetet më të mëdha në Australi, Sidney, më 2009 kishte 7.0 prani të këtyre grimcave në ajër, sipas një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ndërsa, përkundër se SHBA është harxhuesi më i madh i naftës dhe resurseve natyrore, asnjë qytet i saj nuk tejkalon nivelin 15 të pranisë së grimcave PM 2.5 në ajër. 

Matjet e kryera në ndërtesën e Rilindjes, në qendër të Prishtinës, kanë gjetur prani prej 106.62 PM 2.5, më së shumti, në muajin janar 2011. Niveli më i lartë në periferi të qytetit, në ndërtesën e Institutit Hidro-Meteorologjik të Kosovës, u regjistrua në nëntor 2010, 51.36. (Shih dokumentin 1)

“Niveli i lirimit të grimcave PM 2.5 në ajër është mesatarisht 39.5 në Prishtinë, deri në tri herë më shumë se sa në shumicën e qyteteve europiane” Banka Botërore

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mesatarja e vlerës se PM 2.5 në Londër, njërit prej qyteteve më të mëdha europiane, është 13.5 ose rreth tri herë më e vogël se e Prishtinës. 

Qyteti industrial gjerman Stuttgard, vendlindja e veturës dhe motorit, kishte nivel 15.5 më 2008. 

Prishtina ia kalon edhe “luginës evropiane të silikonit”, qytetit të madh polak Krakowit – me kompani të njohura të vendosura aty si Philip Morris, Feneral Electric, Motorola, IBM  – e që kishte nivelin 36.2 të grimcave PM 2.5 më 2008. 

Në bazë të të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që i ka shikuar Gazeta Jeta në Kosovë, vetëm Akra e Ganës me 49.8 dhe Antanananrivo e Madgaskarit me 59.0, ia kalojnë Prishtinës. 

Sipas raportit të Bankës Botërore, kostoja vjetore e degradimit mjedisor në Kosovë llogaritet në 123 milionë euro në vit. 

Veçanërisht shqetësuese është ndotja e ajrit që llogaritet se shkakton edhe më së shumti humbje jete, ndër të tjera, nga kanceri në mushkri dhe nga sëmundjet e zemrës. 

Faktorët kryesorë që shkaktojnë ndotjen e ajrit, sipas raportit janë, prodhimi i energjisë dhe minierat, përfshirë dy termocentralet me thëngjill të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe sipërfaqja e saj për nxjerrjen e thëngjillit; druri dhe linjiti për ngrohje të shtëpive; komplekset industriale siç janë Parku industrial i Mitrovicës (Trepçë), miniera dhe prodhimi i nikelit në Drenas (Ferronikeli), dhe fabrika e çimentos në Hanin e Elezit (Sharrcem); kompanitë e ngrohjes qendrore (në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë); dhe deponitë e mbeturinave urbane dhe industriale (me ndikim të ndryshëm lokal).

Prej tyre, ndotësit më të mëdhenj janë termocentralet e KEK-ut,Kosova A dhe B në Obiliq. 

Për shembull, sipas një matje të vitit 2010, A3 (685), A4 (652) dhe A5 (829) lironin më shumë dioksid sulfuri sesa që është e lejuar me direktivat e Komisionit Europian (400). B1 lironte 629 ndërsa B2, 878. 

Raporti thotë se në qoftë se ndotësit e mëdhenj do të zbatonin infrastrukturë preventive, siç janë filtrat e lirimit te grimcave, do të mund të zvogëlonin ndotjen deri në 90 për qind të nivelit aktual të lirimit të grimcave.

31 për qind e pacientëve totale me sëmundje të frymëmarrjes 

Ndotja e ajrit ka ndikim serioz në shëndetin e kosovarëve, sipas raportit. 

“Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës, nga numri i pacientëve të regjistruar në kujdesin primar shëndetësor në vitin 2007, brenda grupit të sëmundjeve që lidhet me mjedisin dhe faktorët mjedisorë, grupi i vetëm më i madh i pacientëve ka sëmundje respiratore – 663,353 raste në vit ose 31.5 për qind të pacientëve totalë”, thuhet në raport. 

Sipas tij, rreth 835 vdekje të parakohshme në vit shkaktohen nga ndotja e ajrit në vend. 

Po ashtu, rreth 310 raste të bronkitit kronik, 600 shtrirje emergjente në spital dhe 11,600 vizita në emergjencë. (Shih dokumentin 2)

Kostoja totale ekonomike që shfaqet si rezultat i efekteve të tilla shëndetësore nga ndotja llogaritet nga 37 deri në 158 milionë euro në vit. 

Raporti po ashtu nënvizon një studim të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 2004, e cila duke llogaritur ndikimin e plumbit në shëndet, erdhi në përfundim se 95 për qind e fëmijëve nën moshën pesë vjeçare në Kosovë humbasin 1.5-4 pikë të IQ-së gjatë fëmijërisë së hershme. 

Në Zveçan dhe në Mitrovicë, fëmijët deri në atë moshë ndërkohë humbasin 8-10 pikë të IQ-së. 

“Humbja totale (mesatare) e pikëve të IQ-së në Kosovë është afro 60,000 në vit, me diapazon prej 37,000-83,000”. 

Ndërkohë më matjen PM 10, kur madhësia e grimcave është nën dhjetë mikrometra dhe pak më pak e rrezikshme, Prishtina radhitet më mirë se sa disa qytete të tjera, për shembull Sarajeva.