Brenda mendjes vrastare të Radovan Karaxhiq

“Një tiran me mendje brilante, gjuhë të mprehtë dhe shkathtësi të madhe në ushtrimin e aftësive të tij mbresëlënëse të bindjes.”

Ky është Radovan Karaxhiq në sytë e Profesor Robert Donias, libri i ri i të cilit “Radovan Karaxhiq: Arkitekti i Gjenocidit të Bonjës” u botua në fund të shtatorit, disa ditë përpara mbylljes së gjyqit të ish-liderit serb të Bosnjës në Hagë.

Donia – i cili dëshmoi kundër Karaxhiq – beson se lideri i kohës së luftës së Republika Srpska, entiteti serb i Bosnjës që u themelua pas shpërthimit të luftës në 1992, nuk ishte një lunatik, siç pretendojnë disa, por një “lider agresiv” dhe një “manipulator i pashpirt”.

Ai i bazon pohimet e tij në kërkime prej dy dekadash mbi luftën 1992-95 në Bosnje, sipas dokumenteve që iu vunë në dispozicion nga prokurorët e Hagës, përfshirë bisedat e përgjuara të liderëve në Bosnje përpara dhe gjatë konfliktit, po ashtu edhe raportet e medias.

Ai e ka gjetur provën shtesë për pretendimin, në kërkimin e tij për fëmijërinë e Karaxhiq në një fshat në Malin e Zi dhe për vitet studentore.

Donia mbron historinë se dokumentet tregojnë se kryesia e serbëve të Bosnjës drejtuar nga Karaxhiq kishte një qëllim të qartë për të kryer gjenocid.

Pyetja është nëse gjykatësit e Hagës do t’i shohin gjërat si autori. Përgjigjja për këtë do të merret pas një viti kur gjykimi do të jepet.

Donia i kushton rëndësi të madhe marrëdhënies së ndërlikuar mes Karaxhiq dhe gjeneral Ratko Mlladiç – gjithashtu në Hagë.

Ai thotë se të dy ata u mburrën rreth “suksesit” të tyre në Srebrenicë në 1995, kur forcat serbe të Bosnjës ekzekutuan më shumë se 8000 njerëz pasi pushtuan qytetin boshnjak në lindje të Bosnjës.

Libri i Donias paralajmëron për pasojat e veprimeve të njerëzve si Karaxhiq, dhe gjithashtu citon mungesën e përgjigjes në kohë të ndërkombëtarëve ndaj krimeve të luftës që ai dhe vartësit e tij kanë kryer.

Ai thotë se është shumë e rëndësishme të shkatërrohen mitet që rrethojnë Radovan Karaxhiq dhe të parandalohet mundësia që çdokush ta përshkruajë atë si të marrë si justifikim për të këqijat e tij.

Nacionalizmi që Karaxhiq kishte brenda vetes ishte forca shtytëse e të keqes që ndodhi në Bosnje, shkruan ai.

“Karaxhiq, aktori kryesor dhe i padiskutueshëm mes liderëve, e filloi udhëtimin e tij me një mburojë të hekurt, me zotimin e pakthyeshëm për të shkaktuar nacionalizëm mes serbëve të Bosnjës. Ai i donte shumë njerëzit e tij dhe nuk i interesonte fare pjesa tjetër e njerëzimit,” thotë Donia.

“Një burrë me aftësi të mëdha dhe premtime të pafundme, ai e ktheu veten në arkitektin më të keq të mizorive në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore duke përqafuar vlerat e ngatërruara të nacionalizmit ekskluziv.

“Jeta e tij është një përkujtuese e mirë për çdo lider dhe çdo qytetar se pavarësisht sesa e vlerësojmë kombin tonë, duhet të vlerësojmë edhe kombet e tjera dhe humanitetin si një të tërë.”

Libri bën disa arsyetime të pazakonta për demokracinë dhe nacionalizmin.

Donia e përshkruan Karaxhiq si një burrë që besonte dhe praktikonte demokracinë, duke tërhequr vëmendjen sesi demokracia përfaqësuese ishte qendrore për lëvizjen serbe të Bosnjës dhe duke shtuar se mizoritë në masë ishin ndihmuar drejtpërdrejt nga praktikat përfaqësuese të demokracisë.

Ai e sheh këtë si një shembull shqetësues të kapacitetit të demokracisë për të ndihmuar dhe përshpejtuar mizoritë në masë.

“Në këtë rast, demokracia ndihmoi vrasjet masive dhe gjenocidin, ndërsa vendet që pretendojnë të jetë kampionë në demokraci bënë pak për të parandaluar ose ndaluar këto mizori.”

Ky libër nuk është vetëm i rëndësishëm në rajon, por ka një perspektivë që përmban mësime të rëndësishme rreth çështjes sesi e keqja mund të rritet nën hundën e demokracisë, përpara syve të komunitetit ndërkombëtar.

Më shumë se një biografi e Karaxhiq, ky libër është njëkohësisht një përshkrim i detajuar dhe i saktë i ngjarjeve që udhëhoqën luftën në Bosnje dhe shkaqet që sollën luftën.

 “Radovan Karadzic: Arkitekt i Gjenocidit të Bosnjës” është botuar nga Cambridge University Press.