Kosova e Patriarkëve dhe e Rebeleve

“Krahasuar me mbulimin e zonave të luftës mendova se puna ime pas luftës – mbajtja e ish-luftëtarëve si politikanë të përgjegjshëm do të ishte e lehtë. Nuk e kisha pas ditur!”, thotë  Jeta Xharra që punonte si një përkthyese/ndërmjetëse e BBC-së gjatë luftës në Kosovë. 

Ajo tani e udhëheq emisionin  “Jeta në Kosovë” që filloi të transmetohet në vitin 2005. 

Nga atëherë ky emision transmetohet çdo të enjte në mbrëmje, dhe shumë qytetarë të shtetit më të ri në Evropë e ndjekin kanalin publik për të parë emisionin e saj.

Në ngjarjen TEDxPrishtina në vitin 2013, Jeta  përshkroi kuptimin sipas saj të gazetarisë së mirë  që shkon “përtej raportimit të thjeshtë, në mënyrë që të vë në dukje korrupsionin, në një vend ku pushteti përbëhet kryesisht prej burrave të papërgjegjshëm dhe nganjëherë kërcënues.”

Fakti që pushteti dominohet nga meshkujt në Kosovë nuk është i dukshëm në shikim të parë. Kosova ka një president femër. Femrat janë të përfaqësuara 30 për qind në parlament, një përqindje më e madhe se në 18 shtete të BE-së. 

Por, asnjë nga këto zgjidhje nuk reflekton vendimet e bëra nga elektorati ose partitë politike. Presidentja ishte propozuar nga ish-ambasadori i Amerikës Dell në vitin 2011 si një zgjidhje për të kaluar ngërçin politik, si një alternativë për t’i shmangur zgjedhjet e reja.  

Kontigjenti i fuqishëm i femrave të përfaqësuara në parlament është obligim ligjor i shkruar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme i bërë në bazë të kërkesave të organizatave ndërkombëtare.

Një vështrim në zgjedhjet lokale për të cilat nuk ka kuota tregon një pamje më të kthjellët. Vetëm 4 nga 200 kandidatë në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në nëntor të 2013-ës ishin femra. 

Partia më e madhe në vend kishte vënë një poster të madh në qendër të Prishtinës, duke shfaqur kryeministrin dhe kandidatët e partisë së tij për kryetar nën sloganin “Për Kosovën Evropiane”. 

Në këtë poster, të gjithë ishin meshkuj. Në fund, në 38 komuna, një grua u zgjodh kryetare, si e para në histroinë e Kosovës.

Ekonomia e dobët e Kosovës është e dominuar nga meshkujt. GDP-ja për kokë banori është më e vogël se 288 euro, më pak se 10 për qind e mesatares së  BE-së. Kjo e bën Kosovën vendin më të varfër në Ballkan. Mbi 60 për qind e popullatës jeton në zona rurale. Vetëm 10 për qind e grave në moshë pune punojnë, krahasuar me 40 për qind të meshkujve. Pjesëmarrja e tyre e ulët në punë vjen si pasojë e mungesës së arsimit. Vetëm 30 për qind e femrave e kanë të kryer shkollën e mesme, krahasuar me 70 për qind të meshkujve. Po ashtu, gratë shumë pak trashëgojnë tokën, edhe pse dispozitat ligjore e përcaktojnë një gjë të tillë.

Shumica e familjeve rurale varen nga remitancat e të afërmëve të tyre meshkuj që gjenden jashtë vendit për mbijetesën e tyre ekonomike. Emigracioni edhe pse ka  siguruar një litar shpëtimi për familjet e varfra, ai nuk e ka thyer ciklin e prapambetjes. Me gjashtë anëtarë në familje, tri herë më shumë se një familje mesatare e BE-së, familjet e Kosovës mbeten më të mëdhatë në Evropë. Familjet e mëdha në zonat rurale janë patriarkale për nga natyra.

Mashkulli më i vjetër mban të ardhurat e të gjithë familjes. Në familje të tilla, gratë kanë shumë pak fuqi ekonomike. Duke ofruar të ardhura të qëndrueshme për kryefamiljarët, remitancat kanë ndihmuar për të ruajtur një ndër institucionet shoqërore  më konservative në Evropë që moti është zhdukur kudo në rajon. 

Në një mënyrë patriarkati është një burim elasticiteti , i cili ka shërbyer për të ndihmuar kosovarët nga një shtet armiqësor për dekada. Por kjo gjithashtu kufizon gratë dhe të rinjtë dhe i zë frymë sipërmarrjes.

Në mes të kësaj jete të dominuar nga meshkujt, Jeta qëndron jashtë. Ajo është një nga gazetaret më të dukshme në vend, sfidon publikisht tabutë.

 Me “Jetën në Kosovë”, Jeta i dha frymë tjetër emisioneve politike. Në vend që të ofrojë një forum për politikanët për t’i prezantuar idetë e tyre, ajo sfidon mysafirët e saj me pyetje të vështira. Ajo i interviston kandidatët gjatë fushatës elektorale dhe pastaj i fton fituesit në emisionin e saj në gjysmën e mandatit të tyre, për t’ua rikujtuar atyre premtimet e dhëna.

Jo të gjithë e vlerësojnë këtë stil të vështirë të gazetarisë. Në vitin 2009, ekipi i Jetes shkoi në  Komunën e Skenderajt në qendër të Kosovës për të raportuar mbi Sami Lushtakun, kryetarin e kësaj komune. Lushtaku është një nga shumë ish-komandantët e Ushtisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ka kaluar në politikë. Ai ka fituar afër 100 për qind të votave në komunën e tij. Siç njoftohet, ai është bërë shumë i pasur. Me të arritur në ndërtesën e komunës, ekipit të Jetës në Kosovë i ishte refuzuar hyrja dhe pastaj ishte urdhëruar nga një person i armatosur që të ndalte filmimin edhe jashtë ndërtesës së komunës. 

Kamera ishte duke incizuar dhe Jeta e transmetoi tërë incidentin në emisionin e saj.

Pas kësaj, një e përditshme ditore e cila konsiderohej e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) filloi një fushatë shpifëse kundër saj. Jeta u quajt spiune e Serbisë që “po ia shkurtonte jetën vetes” me emisionin e saj. 

E-maila me kërcënime për vdekje kishin vërshuar në postën e saj elektronike. “Këta artikuj bënin thirrje për linçimin tim”, kishte thënë Xharra në gjykatë në vitin 2013, pasi që ajo kishte paditur Lushtakun dhe redaktorët e gazetës. 

Në fund, gjykata i liroi të gjithë,  pasi nuk u bind se ekziston një lidhje midis fushatës shpifëse në media dhe kërcënimeve që ajo kishte marrë. Në maj të vitit 2014, padia e Jetës u refuzua me arsyetimin se rasti është vjetëruar.

Sidoqoftë, ky episod nuk përfundon këtu. Përkundrazi: si drejtoreshë e Kosovës për Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), ajo zgjeroi përpjekjet e saj. Sot BIRN Kosova ka të punësuar 70 njerëz. Një tjetër emision i quajtur “Drejtësia në Kosovë” monitoron procedurat gjyqësore. Derisa gazeta në anglisht “Prishtina Insight” dhe ajo në gjuhën shqipe Gazeta Jeta në Kosovë”, raportojnë mbi qeverisjen dhe korrupsionin në shkolla, spitale dhe në institucione të tjera.

Besa Luci është një grua tjetër e re në Kosovë që sfidon tabutë. Ajo është redaktore e revistës Kosova 2.0. Tema e katërt e botuar në dhjetor të vitit 2012, ishte rreth seksit. 

Me Mbi 160 faqe, ajo përfshinte artikuj mbi përfitimet e masturbimit, një udhëzues për jetën e natës në Prishtinë dhe përshkrimin se si është të jesh një homoseksual në Kosovë. Kjo ishte e para herë që tema e  LGBT-së (lesbian, gay, bisexual and transgender) publikisht është diskutuar në Kosovë. “Storiet tona”, kishte shkruar Besa në editorial, “japin një pasqyrë të plotë se si këto komunitete lidhin jetët me identitetet që kanë: gjinitë, familjet, komunitetet dhe përballen me mungesë të kujdesit social dhe shfaqje të gjerë të homofobisë”. 

Lansimi i edicionit të dhjetorit në Qendrën e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë vërtetoi pikëvështrimin e saj (Besës). Një grup i njerëzve e ndërpreu këtë ngjarje. Ata rrahën një anëtar të stafit dhe shkatërruan skenën. Një takim ishte planifikuar për tu mbajtur në mbrëmje por ai takim u anulua përshkak se rreth 200 njerëz organizuan një protestë kundër homoseksualëve përpara vendit ku ishte paraparë të mbahej takimi. Besa dhe ekipi i saj u shoqëruan jashtë nga policia. Më vonë atë natë,  një aktivist i LGBT-së u sulmua në zyrën e këtij komuniteti. Në ditët në vijim, videot e Besës me një shënjestër të vendosur mbi kokën e saj u përhapën përmes medieve sociale.

Sulmi ndaj ekipit të revistës Kosova 2.0  kishte sukses për faktin se shkaktoi një debat në Kosovë rreth të drejtave të LGBT-së. Qeveria lëshoi një komunikatë në mbështetje të lirisë së shprehjes dhe të drejtave dhe lirive për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ajo dënoi dhunën. Po ashtu, shoqëria civile, mediet, grupet e të drejtave të njeriut dhe Ombduspersoni dolën në mbështetje të këtij komuniteti dhe revistës.

Të dyja si Besa po ashtu dhe Jeta shohin patriarkalizmin dhe vlerat tradicionale të tij si qendër të prapambetjes së Kosovës. Kjo reflekton përvojat e tyre si gra liberale rreth 30 vjeçare, që jetojnë sot në Kosovë.

Të dyja vijnë nga familje të arsimuara. Gjyshi i Jetës, Mehmet Gjevori, hartoi librin e parë të gramatikës shqiptare dhe punoi për të mposhtur analfabetizmin e femrave në Kosovë, që në mesin e shekullit XX ishte rreth 95 për qind.Në fillim të  viteve ‘90 politikat represive nga ana e qeverisë serbe të Sllobodan Millosheviqit e quan arsimin në gjuhën shqipe në një sistem paralel jozyrtar. Nëna e Jetës, edhe pse e papunë dhe pa të ardhura në atë kohë, bashkë me të bijën vendosën që të shkonin në një kurs të anglishtes. Nëna e saj më vonë shiti stolinë e saj të martesës për të blerë një kompjuter personal për të bijën e saj Jetën, në mënyrë që të kishte qasje në email. Edhe nëna e Besës e cila kishte humbur punën e vet, e shndërroi shtëpinë e saj në shtëpi-shkollë si vend për edukim, ku mësuesit mund të ruanin/mbronin Besën dhe shokët e saj.

Më vonë,  të dyja Jeta dhe Besa ishin në gjendje të ndiqnin studimet në universitete jashtë shtetit. Jeta ndoqi Studimet e Luftës në King’s College London, duke u përqendruar në dimensionet ushtarake, filozofike dhe sociale të konfliktit. Ajo po ashtu u regjistrua në London College of Printing ku mësoi rreth shkrimit të skenarëve. Kurse Besa magjistroi në gazetari dhe shkrime për revista në Shkollën e Gazetarisë të Universiteti në Missouri.

Të dyja Jeta dhe Besa u kthyen në Kosovë me ambicie. Jeta me dëshirën “për ta ngritur BBC-në  Kosovë, ose të paktën stilin e gazetarisë së BBC-së”. Besa dëshironte të krijonte një tip të ri të revistës. “Unë mendova që këtu është vendi ku politikat dhe politikbërja  është diskutuar më së shumti në nivel të përfaqësusve të qeverisë. Ata kurrë nuk flasin për njerëz, se si politikat e tyre ndikojnë tek ata. Unë u fiksova me idenë e nisjes së një reviste ku unë flas rreth njerëzve të zakonshëm dhe për të cilën njerëzit e zakonshëm kontribuojnë”.

Çka kanë arritur Jeta dhe Besa? Përderisa Jeta ka inicuar debatin rreth korrupsionit dhe disa raste që ajo ka raportuar kanë çuar në aktakuza, sundimi i ligjit mbetet ende i dobët në Kosovë. Përderisa debati mbi LGBT-në në Kosovë i shkaktuar nga ekipi i Besës ka thyer tabu. “Ne nuk kemi arritur që të kemi një diskutim më të gjerë rreth seksualitetit në shoqërinë tonë konservative”, thotë Besa.

Por megjithatë debati ka bërë që Qeverinë e Kosovës të shpejtojë për të krijuar një Këshill Ndërministror Kombëtar dhe një Grup Koordinues për të Drejtat e Komunitetit LGBT. Ministria e Integrimeve Evropiane ka mbajtur një konferencë mbi çështjet e LGBT-së.  Tre nga sulmuesit ishin vënë në gjyq dhe morën dënime me burg. E gjithë kjo ishte e pashembullt.

Politikanët e Kosovës e përsërisin në çdo rast se ata e shohin vendin në të ardhmen si anëtar të Bashkimit Evropian. Për të ndodhur kjo (edhe pse ende pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato duhet të ndërrojnë pozicionin e tyre), vendi do të ketë nevojë më shumë për njerëz të gatshëm për të sfiduar tabutë e tij. 

Do të duhet që femrat të edukohen, të ketë revolucion në tregun e punës dhe reforma të reja të jetës dhe marrëdhënieve mes gjinive. Do të duhen bursa për vajzat e reja për të studiuar jashtë dhe vajza të reja që dëshirojnë të kthehen për të sfiduar vlerat patriarkale që ende e përçajnë Kosovën. Do të duhen më shumë gra si Jeta dhe Besa për Kosovën evropiane- Kosova 2.0 të bëhet realitet. 

Raportin në gjuhën angleze mund ta gjeni në këtë link- http://www.esiweb.org/pdf/esi_document_id_151.pdf