“Gishti ” Preku Publikun në Teatër

Të mbetura të vetme në një shtëpi të lidhura nyje, dy gra, vuajnë, besojnë, shpresojnë dhe ëndërrojnë. Jo për një vit, as dy as tre, po për 10 vjet ato presin e vuajnë në të njejtën lojë, në të njejtën ditë.

Shfaqja “Gishti” paraqet jetesën e përzier me ankth, vuajtje, paragjykim dhe ironi, të një vjehrre (Irena Cahani) dhe një nuse (Teuta Krasniqi), marëdhënia e të cilave ndërthuret me pritjen e të dyjave për rikthimin e emëruesit të tyre te përbashkët – djali për njërën, burrë për tjetrën, i zhdukur gjatë luftës.

Kjo shfaqje u dha për herë të parë në Kosovë, pikërisht për pulbikun e së cilës u shkrua.

Para se të shfaqej në Kosovë, ajo u realizua dhe u shfaq nga tjera produksione edhe në Sarajevë, Beograd, Vjenë dhe Shkup.

Regjisori Erson Zymberi tregoi se realizimi dhe përpunimi, nuk ishte proces i lehtë, marrë parasysh edhe përfshirjen e vetëm dy aktoreve. Zymberi vendosi që publiku te akomodohej në skenë gjatë shfaqjes.

“E kam vendosur publikun në skenë për arsye të intimitetit, për arsye të dhomës pa dritë në të cilën ato vazhdojnë me jetu,” tha Zymberi.

Efekti u duk se u arrit, pasi publiku mbetën të prekur e të emocionuar pas mbarimit të shfaqjes.

Për autoren e tekstit, Doruntina Basha, kjo premierë pati një emocion të veçantë, pasi u dha për publikun kosovarë, si dhe krahasuar me paraqitjen e shfaqjes nëpër teatrot e vendeve tjera, ajo e cilësoi punën e regjisorit Zymberi si më të mirën.

Ajo tha që çfarë ka munguar në inskenimet tjera, e që dy aktoret Cahani dhe Krasniqi, kanë arritur ta transmetojnë në publik, është gjuha e trupit, intonacioni e mërzia shumë thellë e pjekur e grave kosovare të cilat e kanë përjetuar këtë dhimbje.

“Sfida më e madhe ka me qenë nëse shfaqja përballet me një publik ku kanë me qenë anëtarë të familjeve të personave të zhdukur. Jam shumë kurreshtare ta di dhe shpresoj që Teatri Kombëtar do të organizojë që shfaqja të shkojë nëpër vende ku jetojnë këto familje ose që ata të vijnë ta shohin shfaqjen,” shtoi Basha.

Për aktoret, Cahani dhe Krasniqi, mishërimi  me rolin zgjati rreth një muaj e gjysmë përgaditje. Për aktoren Cahani, kjo shfaqje shënoi një rikthim në teatër pas 7 vitesh.

Ajo tha se aktrimi i bazuar në tekst të Doruntina Bashës, e ka rritur madhështinë e kthimit të saj.

Ndërsa për aktoren Krasniqi, paraqitja e tyre ka arritur ta përçojë te publiku të njejtin emocion që aktoret i kishte rrëmbyer qysh në leximin e parë.

“Në këtë shfaqje ne asnjëherë nuk kemi mundur të ‘ zhveshemi’ komplet prej personales, ta marrim rolin edhe ta kryejmë punën. Kjo ka qenë ajo që ne në rend të parë e kemi futur njerëzoren, e mandej personalen,” tha Krasniqi.