10 Netët e Pianos

Për pianisten bullgare, Nadja Vlaeva, ishte hera e dytë që vinte në Kosovë në kuadër të këtij festivali. Ajo tha që është ndarë e kënaqur me bashkëpunimin me filarmoninë dhe me përkrahjen e publikut.

“U ndjeva rehat. Është hera e dytë që vij,  por ndihem sikur të ishte hera e dhjetë”, tha Vlaeva, e cila tani jeton dhe vepron dhe New York.

Ndërsa për pianisten vendase, Florita Dërguti, ishte hera e parë që u paraqit me Filarmoninë e Kosovës.

”Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, me ardhë në vendin tënd, me luajt për publikun tënd,”  tha Dërguti e cila e zhvillon karrierën e saj nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe punon si profesoreshë e pianos në shkollën e muzikës në Holzminden.

Dirigjenti vietnamez Le Fi Fi, për të cilin është viti i dhjetë i bashkëpunimin me Filarmoninë e Kosovës, tha që Orkestra Simfonike e Kosovës ka pësuar ndryshime të mëdha dhe ka krijuar një progres të mirë gjatë këtyre viteve.

“Mendoj që për disa vite mund keni një orkestër kompakte të kompletuar,”  tha Le Fi Fi.
Në paraqitjet pianistike, të cilat u mbajtën në Sallën e Kuqe dhe në sallën e hotelit “Swiss Diamond” u paraqitën pianistë nga vende të ndryshme të botës, si Spanja (Francisko Fierro), Polonia (Krystian Tkacewski), Armenia (Ashot Khachatourian), Bullgaria (Nadja Vlaeva), Shqipëria (Kostantin Tashko dhe Klevis Gjergji), si dhe Kosova (Lirika Pula, Pranvera Bryma, Ardita Statovci).

Gjithashtu njëra nga netët u rezervua për pianistët e rinj të vendit, të cilët studiojnë në Akademinë e Muzikës në Prishtinë.

Nita Bahtiri, njëra nga pianistet performuese, e cila studion në Akademinë e Muzikës në Prishtinë, por që së fundmi është pranuar në Shkollën “Berklee College of Music” në Boston të Amerikës, tha që ky festival është një mundësi e mirë për t’u promovuar si artist i ri dhe për të shfaqur sadopak vlerat muzikore para publikut.

“Artet performuese janë gjithmonë në një relacion të vazhdueshëm me skenën. Gjithçka që ne bëjmë e punojmë, duhet ta transmetojme në skenë, e po ashtu, skena është vendi ku mëson më së shumti, por fatkeqësisht në Kosovë nuk na jepet rast të bëjmë një gjë të tillë shumë shpesh,” tha Bahtiri.

Ky edicion i “Chopin Piano Fest” u orientua vetëm në piano, për dallim nga vitet tjera ku pati edhe përzierje të instrumenteve. Kjo mes tjerash, edhe për arsye të mungesës së fondeve.

Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, tha që interesi të cilin mundohet ta arrijë festivali, është të krijohen ura lidhëse me vendet tjera të botës, atë që në njëfarë mënyre duhet ta bëjnë institucionet e vendit.

Pavarësisht shkurtimit të mjeteve nga ana e Ministrisë së Kulturës, ky edicion u mbajt i plotë. Kërkesa dhe prania e publikut ishte e madhe dhe në audiencë dominuan kryesisht mosha të reja.
Pavarësisht përkrahjes së zvogëluar sivjet nga institucionet në vend, “Chopin Piano Fest” nuk është njëri ndër festivalet i cili do të heqë dorë, sipas organizatorëve të këtij festivali.

“Njerëzit nëpër institucione duhet të vetëdijesohen që vlerat tona kosovare që ne i krijojmë në shtetin tonë të ri, duhet të plasohen dhe të ruhen, ashtu siç veprohet në çdo shtet në botë”, shtoi Pula.