Skena e “Kurrizit” Ringjallet “Me Motivet Tona” nga Rona Nishliu

Koncerti me fuzion xhazi dhe muzike popullore u mbajt në këtë zonë të Prishtinës për të nderuar aktivitetet e fshehta të viteve ’90 gjatë represionit serb.

Një repertor i muzikës popullore shqiptare i sjellë mes fuzioneve të rrymave ‘free jazz’, ‘trip hop’ dhe ‘soul’, u shpalos për rreth 1 orë në zonën e “Kurrizit”, në Prishtinë, nga Rona Nishliu dhe banda e saj, titulluar “Me Motivet Tona”.

Ky koncert i mbajtur qëllimisht jo në zonat konvencionale të qendrës së qytetit, është pjesë e një turi aktivitetesh muzikore të Rona Nishliut dhe muzikantëve të tjerë të grupit nga Kosova, në kontekst të bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Anëtarët e tjerë të bandës janë Edon Ramadani në piano, Kiril Tufekcievski në kontrabas dhe Nesim Maxhuni në bateri.

Gjatë koncertit, Rona Nishliu tha se ishte zgjedhur “Kurrizi” për ta mbajtur këtë aktivitet, në nderim të koncerteve dhe aktiviteteve kulturore që mbaheshin në fshehtësi nëpër bodrumet e kësaj zone gjatë kohës së represionit serb të viteve ’90.

Ajo tha se tani kishte ardhur koha që këto aktivitete të shkonin “lart”. Në fakt, banda luajti mbi tarracën e një floktoreje të zonës si një skenë e improvizuar. Kalimtarë të shumtë u ndalën për të ndjekur koncertin.

Studentë, gjimnazistë, pensionistë dhe dyqanxhinj ndalën hapat dhe punët për të dëgjuar një muzikë që për shumë vinte disi e njohur por njëkohësisht e pazakontë, ashtu si dhe vendosja e muzikantëve përmbi Sallon Ondulimi “Fatmirja”.

Koncerte të tilla janë të pazakonta për vendet shqipfolëse, duke qenë se kryesisht aktivitetet muzikore vendosen në skena më të parashikueshme.

Rona Nishliu, një artiste nga Kosova, fitoi vëmendje të shtuar edhe në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar si këngëtare dhe kantautore, kur në vitin 2012, mori vlerësime shumë pozitive nga publiku dhe kritika për përfaqësimin e Shqipërisë në festivalin Eurovision në Baku, Azerbaixhan.

Albumi i parë i Nishliut ka këngë nga një sërë trevash shqiptare, përfshi edhe këngë arbëreshe, arvanite, rapsodike e të tjera, çka mundëson larmi të lartë të përmbajtjes muzikore.