Fitorja me Dhomën e Braktisur të Studimeve dhe Dëshirave

Të mërkurën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap për të dymbëdhjetin edicion ekspozita “Artistët e së nesermës”, ku u prezentuan veprat artistike të katër  finalistëve të përzgjedhur nga juria, nga një numër i madh i konkurrentëve nën moshën 35 vjeçare që aplikuan në këtë organizim.

Fidan Bejtullahu, Qëndresa Deda, Doruntina Kastrati dhe Jetullah Sylejmani, ishin katër finalistët, studentë të fakultetit të artit, punimet e të cilëve u prezentuan në ekspozitë. 

Juria e përbërë nga Rozafa Basha, arkitekte dhe dizajnere urbane, Lucia Guvalova historiane e artit dhe Niles Van Tomme kurator belg, vendosën që çmimi i parë t’i takojë instalacionit “Bashkë me ty po thahen edhe lulet” të Doruntina Kastratit, e cila tha se nuk e kishte pritur fare këtë çmim, bile se kishte menduar që çmimin e parë do ta fitojë konkurrentja e saj, Qëndresa Deda.

Instalacioni fitues: Dhoma e Doruntinës gjatë studimeve 

Në instalacion ajo kishte paraqitur një improvizim të dhomës së saj, në të cilën kishte qëndruar gjatë vitit të dytë të studimeve. Gjërat e përdorura për ta krijuar atë ishin po ato gjëra të dhomës origjinale. 

“Jam mundu te njerëzit me e sjellë një pjesë sa më personale timen, që ata me e bashkëndje atë ndjenjë: dhomë e braktisun që s’ka dritë dhe unë, njëra prej njerëzve që e kam dashtë më së shumti, e kam braktisë dhe me njëfarë mënyre e kam lënë të thahet, njëjtë si edhe lulet”, tha Kastrati sa i përket instalacionit të saj.

Kuratori belg Niels Van Tomme, njëri nga anëtarët e jurisë, tha se ishte i impresionuar nga puna e të katërve. Mirëpo arsyeja pse instalacioni i Kastratit i kishte lënë mbresë, është se sipas tij, ajo ka paraqitur në një mënyrë interesante ambientin e saj personal të ndërlidhur me socialen, politikën dhe urbanen.

“Ishte diçka që kam vërejtë sapo kam hyrë në Prishtinë për herë të pare dje, që arkitektura dhe mënyra se si objektet janë të ndërtuara brenda qytetit është në gjendje mjaft kaotike dhe instalacioni i saj ka qenë një mënyrë mjaft e mençur për ta paraqitur këtë ide”, tha Van Tomme për Gazetën Jeta në Kosovë.

Instalacionet tjera të paraqitura nga tre finalistët tjerë u pritën pozitivisht nga të pranishmit gjithashtu. 

Instalacioni i Qëndresa Deda

Finalistja Qëndresa Deda e cila në ekspozitë u paraqit me instalacionin e saj “Njerëz që na bajnë jetën t’jetushme, e mandej na vazhdojmë nëpër pothuajse asgja” u shpreh se fitorja nuk është më e rëndësishmja për të.

“Edhe pse unë jam pjesë e garës këtu, për mua arti nuk është sport, edhe për mua çka më është dukë me rëndësi është që nëse dikush kur i ka dëgju këto ju ka kujtu ndonjë njeri i jetës së vet, ose ia ka bë ato pyetje vetes”, tha Deda, instalacioni i së cilës përmbante fotografi me mbishkrime të ndjeshme dhe biseda me pyetje mbi jetën në sfond.

Nita Deda, organizatore e këtij programi, shpjegoi për Gazetën Jeta në Kosovë se çmimi “Artistët e së nesërmes” ka filluar për herë të parë në vitin 1991 në ish-Çekosllovaki, i cili sot vazhdon të organizohet në vende të ndryshme dhe është i dizajnuar në mënyrë të njejtë, që prej finalistëve gjithmonë është një fitues i cili shpërblehet me një rezidencë artistike në IACP, një prej institucioneve të rëndësishme të artit në New York.

Fituesja Kastrati gjatë qëndrimit të saj gjashtëjavor në New York,  do ta ketë studion e saj personale, do të këtë vizita prej kuratorëve të ndryshëm botërorë para të cilëve ajo do ta prezentojë punën e saj,  vizita në galeri dhe muze, po ashtu edhe bashkëpunim me artistët nga mbarë bota që janë pjesë e programit të njëjtë.

Ekspozita “Artistët e së nesërmes” për publikun do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare deri më 22 nëntor.