Katër Arsyet e Forta Për Mbrojtjen e Kino “Lumbardhit”

Trembëdhjetë vjet pasi një nismë që tash është festivali më i madh në vend (DokuFest) e kishte mbrojtur Kino “Lumbardhin”, shteti ende nuk ka arritur ta sigurojë këtë objekt. 

Madje statusi i këtij objekti është ende pezull.

 Agjencia Kosovare e Privatizimit në korrik të këtij viti kishte filluar procedurat për privatizimin e Kino “Lumbardhit” dhe sipas tyre, ende janë duke u shqyrtuar ankesat dhe kërkesat në lidhje me këtë ndërmarrje shoqërore. 

Në ndërkohë Komuna e Prizrenit e ka shpallur Kino “Lumbardhin” si hapësirë të interesit të përgjithshëm publik, me qëllim të ndalimit të procesit të privatizimit, por bashkë me këtë ka vendosur ta rrënojë dhe rindërtojë pjesën e mbyllur të kinos, përkundër dokumenteve sikurse “Plani i Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit”, “Strategjia Orientuese për Zhvillimin Kulturor të Prizrenit” dhe “Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit” që e vendosin Kino “Lumbardhin” si objekt që duhet mbrojtur. 

Në ndërkohë Ministria e Kulturës nuk e ka në listën e objekteve të  trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga shteti, ani pse në këtë listë e ka kinemanë në Pejë që është ndërtuar vite më vonë, sesa ajo në Prizren. 

Për këtë, një grup prej 57 organizatash nga e tërë Kosova janë bashkuar rreth Iniciativës Për Mbrojtjen e Kino “Lumbardhit” që kanë vendosur të përdorin krejt mjetet për të mbrojtur këtë kinema si “pjesë të identitetit kulturor të Prizrenit dhe Kosovës”. 

Ata kanë paralajmëruar se do të dërgojnë edhe në Ministrinë e Kulturës dokumentacionin nëpërmjet  të cilit do të japin argumentet që Kino “Lumbardhi” të futet në Listën e Trashëgimisë Kulturore.

Por, përtej argumenteve ligjore, Iniciativa Për Mbrojtjen e Kino “Lumbardhit” ka dhënë katër arsye të forta pse kinemaja duhet të mbrohet: 

Historiku i ndërtesës – Kinoja është ndërtuar në vitet e 50-ta të shekullit 20 dhe është njëra ndër objektet më të vjetra publike në Prizren. Në këtë ndërtesë është sjellë për herë të parë teknologjia e projektimit përmes shiritit filmik 35 mm, ndërsa tashmë shtatë dekada hapësira e saj përdoret për një numër të madh ngjarjesh kulturore. Kino “Lumbardhi” është dëshmi e traditës artistike (filmike) të qytetit dhe ka ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të komunitetit.

Vendlindja e festivaleve – Kino “Lumbardhi” është hapësira më e rëndësishme e skenës kulturore të Prizrenit. Në hapësirën e Kino “Lumbardhit” kanë lindur dhe janë zhvilluar një numër i madh i festivaleve të qytetit. Një pjesë e rëndësishme e suksesit, por edhe e vetë identitetit të këtyre festivaleve lidhet pikërisht me hapësirën e Kinos “Lumbardhi”. Prandaj, çfarëdo tjetërsimi i kësaj hapësire, nënkupton edhe sulm mbi këto ngjarje të skenës kulturore të Prizrenit.

Shënjues (pikë referimi) kulturor – Përveç vlerave të trashëgimisë kulturore, Kino “Lumbardhi” është shndërruar edhe në një shënjues kulturor (cultural landmark), pasi që është njëra nga pikat e referimit më të njohura në Qendrën Historike të Prizrenit. Si shënjues kulturor, Kino “Lumbardhi” është shndërruar në ikonë (një simbol me kuptime të shumta) që përfaqëson (shënjon) një epokë, një zonë, një besim, një kulturë, një qytet dhe një traditë. Shënjuesit kulturorë dhe historikë të qyteteve sot trajtohen në nivel të njëjtë me monumentet e trashëgimisë kulturore, ndërsa në shumë raste ato edhe janë shpallur monumente në mbrojtje për shkak se me kohë janë shndërruar në shënjues kulturor (cultural landmark).

Kujtesa kolektive – të gjitha këto vlera shoqërore dhe kulturore i japin Kino “Lumbardhit” një hapësirë të veçantë në kujtesën kolektive të qytetarëve. Struktura urbane e qytetit të Prizrenit ka pësuar transformime drastike viteve të fundit, me ç’rast është sulmuar kujtesa e qytetarëve (jo vetëm nga Prizreni) për qytetin. Rrënimi i Kino Lumbardhit do të ishte edhe një goditje për qytetin të cilin qytetarët duan ta kujtojnë. Mijëra qytetarë të Prizrenit në vitin 2007 kanë nënshkruar peticionin për mbrojtjen e Kino “Lumbardhit”. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mosndryshimin e destinimit dhe ruajtjen e objektit të kinemasë në formën aktuale. Prandaj, çdo përpjekje për ndryshimin e strukturës aktuale të objektit ose/dhe ndryshimin e destinimit si hapësirë kulturore/filmike (kinema), përveç tjerash paraqet edhe shkelje të vullnetit të dokumentuar të qytetarëve të Prizrenit dhe sulm mbi kujtesën kolektive të tyre.