Renovimi i Muzeut Pa Plan Për Ruajtjen e Artefakteve

“Hyjnesha në Fron”, është njëra nga mijëra artefaktet që ruhen në godinën e Muzeut të Kosovës i ndërtuar në vitin 1889. 

Por renovimi që planifikohet të fillojë këtë vit në godinën me arkitekturë austro-hungareze që fillimisht u ndërtua me qëllim të vendosjes së komandës së lartë ushtarake të asaj kohe e që në vitin 1949 u bë muze, nuk i jep garanci sigurisë së “Hyjneshës…” dhe të tjerave artefakte që ruhen në këtë objekt.

Përderisa procesi për renovimin e këtij objekti ka nisur qysh në maj të këtij viti dhe madje në korrik, Ministria e Kulturës kishte zgjedhur edhe kompaninë fituese për renovimin e godinës që kushton afërsisht 250 mijë euro, një plan për evakuimin dhe vendosjen e përkohshme të trashëgimisë kulturore që ruhet në këtë objekt nuk ekziston.  

Tash kur MKRS-ja është detyruar që të anulojë tenderin më 5 shtator pas një vendimi për dhënie të kontratës për shkak të ankesave nga kompanitë e tjera që kanë çuar në zhvlefshmërinë e ofertave, në Muzeun e Kosovës thonë se një plan për ruajtjen dhe bartjen e artefakteve gjatë kohës së renovimit do të bahet gati shpejt. 

MKRS-ja me 27 korrik kishte shpallur fituese kompaninë “Europrojekt” ndërsa më 26 gusht Organi Shqyrtues i Prokurimit i kishte kërkuar MKRS-së ta rishqyrtojë tenderin pas ankesës që kompania nga Suhareka “NBT – ING” & “As – ING” kishte bërë për shkak se dyshonte në vendim të padrejtë të MKRS-së. 

Oferta e kompanisë ankuese ishte 15 mijë euro më e ulët sesa ajo e kompanisë fituese nga Skenderaj që kishte ofruar mbi 244 mijë euro. 

Madje drejtori i Muzeut të Kosovës i ardhur në krye të këtij institucioni në korrik të këtij viti, Arsim Mehmeti, thotë se deri javën e ardhshme nuk ka ndonjë ide se çka do të ndodhë me artefaktet në muze gjatë kohës së renovimit që pritet të marrë afro gjysmë viti. 

“Si drejtor i ri i Muzeut Shtetëror të Kosovës, vetëm jam i informuar verbalisht nga zyrtarë të lartë të MKRS-së dhe ish-drejtori se do të rinovohet objekti i Muzeut gjatë këtij viti. Kam kërkuar edhe unë sqarime në MKRS për t’u njoftuar më detajisht rreth çështjes në fjalë”, ka thënë Mehmeti. 

“Pikërisht edhe pyetjet tuaja të njëjtat janë edhe që unë i kam bërë në MKRS”, ka shtuar Mehmeti. 

Gazeta Jeta në Kosovë kishte kërkuar nga MKRS-ja dhe Muzeu që dy javë për të ditur nëse ka një plan për ruajtjen e artefakteve gjatë renovimit të  muzeut që pritet të prekë krejt ndërtesën. 

MKRS-ja në vend të planit  thotë se shpreson në profesionalizmin e institucioneve kur bëhet fjalë për ruajtjen dhe kujdesin e artefakteve gjatë renovimit. 

“Kjo do të jetë natyrisht përgjegjësi e menaxhmentit te Muzeut, por edhe në bashkëpunim me institucionet tjera”, tha Shkëlzen Dragaj, nga zyra e ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi. 

E menaxhmenti në Muzeun e Kosovës thotë se një plan mbi ruajtjen dhe kujdesin ndaj artefakteve do ta bëjë gjatë javëve në vazhdim. 

Kur drejtori i Muzeut Mehmeti u pyet se çfarë do të ndodhte me artefaktet, nëse tenderi për renovim të godinës nuk do të anulohej dhe punimet do të fillonin këtë muaj, ai dha një garanci përmes fjalëve. 

“Një gjë po e theksoj: asnjë artefakt nuk lejoj të keqtrajtohet në këtë institucion nga ana e kushdoqoftë dhe në çfarëdo rrethane qoftë sa unë jam drejtor i Muzeut”, tha Mehmeti, pa dhënë asnjë detaj sesi do ta bëjë këtë. 

Tenderi i korrikut për renovimin e godinës së Muzeut të Kosovës ishte anuluar në pajtim me vendimin e gjykatës së tenderëve që kishte kërkuar rivlerësim të tenderit pas ankesës së një kompanie. 

Komisioni i autorizuar për rivlerësimin e këtij aktiviteti në MKRS ka rekomanduar  në fund të javës që shkoi që ky aktivitet i prokurimit të anulohet me arsyen se të gjitha ofertave u ka skaduar afati i vlefshmërisë së tyre.

“Periudha e vlefshmërisë në njoftimin për kontratë si dhe në dosjen e tenderit lidhur me këtë aktivitet të prokurimit është kërkuar 90 ditë kalendarike”, tha Dragaj, sipas së cilit tenderi i ri do të hapet gjatë këtij muaji. 

Objekti i Muzeut të Kosovës përbëhet prej 3 sallave apo galerive që shërbejnë si hapësira për ekspozime të përhershme arkeologjike si vegla, zbukurime, armë, enë, monedha, fibula, urna dhe objekte të shumta të tjera të punuara nga dora e njeriut në periudhat e ndryshme kohore prej metaleve, antikitetit, respektivisht lashtësisë dardane, periudhës romake, antikës së vonë e deri te mesjeta. 

Sipas planit për renovimin e objektit që MKRS-së i ka kushtuar afro 10 mijë euro, ky renovim parasheh ndërhyrje të thella në objektin e mbrojtur me ligj. 

Por në këtë plan  të renovimit që e ka parë Gazeta Jeta në Kosovë i krijuar nga “DekorGroup”  nuk parashihet asgjë për artefaktet. Aty flitet për punime ndërtimore dhe teknike. 

Sipas këtij plani objekti i Muzeut do të rinovohet që prej kulmit e deri te kati përdhes, duke filluar me demolimin e disa mureve të prishura, pastrimin e tyre, izolimin, punimet ne zdrukthuari, qeramikë e mermer e deri në instalimin e energjisë elektrike dhe ujësjellësit e kanalizimit. 

Vitin e kaluar në godinën e Muzeut të Kosovës ishte intervenuar në hapësirën ekspozuese duke u shtruar në pllaka mermeri. Sipas planit për renovimin komplet të godinës së Muzeut, parashihet që ato të hiqen dhe të vendosen përsëri pasi të bëhet renovimi komplet.