“Marrëveshja” me Borkon e Rock-ut dhe Editën e Ondulimit

Është gati mëngjes dhe të gjithë janë të lodhur në zyrat e Brukselit, aty në vitin 2012 po zhvilloheshin bisedimet të ashtuquajtura teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur ndërmjetësuesi i dialogut Robert Cooper propozon që takimi të shtyhet për të nesërmen.

Kryesuesja e delegacionit të Kosovës për dialog, Edita Tahiri dhe kryesuesi i delegacionit serb, Borislav Stefanoviq binden për orën 10:00 si kohën më të mirë për takimin e së nesërmes. 

Madje Tahiri tregon edhe arsyen pse i konvenon ora 10:00. 

“Në orën 9 e kam terminin në sallonin e ondulimit dhe deri aty jam 45 minuta dhe më pas mbërrij në 10 këtu”, thotë Tahiri duke iu drejtuar Cooper. 

Zëvendëskryeministrja e Kosovës në fakt në dokumentar paraqitet dy herë si frekuentuese e salloneve të bukurisë. Një herë madje jep intervistë për dialog, teksa një parukiere ia rregullon flokët dhe dëgjon rekomandimet për ngjyrën e preferuar të Tahirit. 

Ndërsa Borislav Stevanoviq që njihet me nofkën Borko shfaqet në dokumentar duke treguar të kaluarën e tij si rocker, teksa në një skenë ai shfaqet duke luajtur në kitarë dhe teksa dëgjon këshillat e ish-anëtarëve të bendit që ka luajtur para se të bëhet diplomat, për bisedimet me Edita Tahirin, për të cilën e pyet edhe një shitës gazetash.

E Cooper shfaqet adhurues i biçikletave me të cilën udhëton nga shtëpia në punë dhe si diplomat i durueshëm.

Tahiri e cila ka qenë prezent në shfaqjen e dokumentarit 58 minutësh “The Agreement” është pritur me fishkëllima teksa ka zbritur në podiumin e kinemasë në Lumbardh ku edhe është shfaqur dokumentari me regji të Karen Stokkendal Poulsen. 

“Qenkan Vetëvendosja këtu”, thoshte Tahiri teksa ka zënë vend në rendin e parë karrigeve. 

Gjatë shfaqjes së filmit Tahiri ka shfrtyëzuar kohën të bëjë edhe “selfie” me shoqërueset e saj me të cilat dukej sikur po bënte qejf teksa në dokumentar shfaqeshin skena të atilla sikurse momenti kur ajo e pret 6 orë Borsilav Stevanoviqin i cili po konsultohej me presidentin serb Boris Tadiq mbi kushtet e Serbisë. 


Tahiri duke bërë selfi, gjatë shfaqjes së dokumentarit

Megjithatë, pas shfaqjes së dokumentarit, Tahirit ia ka prishur qejfin një shikues i cili ka bërë Tahirin që të flas edhe pse sesioni me pyetje dhe përgjigje  ishte paraparë vetëm me regjisoren.

Shikuesi i cili nuk u identifikua, kritikoi regjisoren se ka injoruar faktet politike të këtij dialogu duke shfaqur vetëm disa momente emocionale të dy kryenegociatorëve.

“Nuk pamë asgjë nga përmbajtja e marrëveshjes dhe regjisorja nuk e ka pasur të qartë se këtu po bëhet fjalë për popullin e një vendi. Por nuk mund të fajësohet regjisorja meqë duket dialogun nuk e ka pasur të qartë as vet Edita”, ka thënë ai duke  . 

E Tahiri ka folur edhe në emër të regjisores duke thënë se si studiuese e shkencave politike njeh mirë Ballkanin dhe se kjo shihet në dokumentar. 

“Por varet kush çfarë thjerrëzash ka. Dikujt i mungojnë syzet, dikush ka pa vetëm frizerin dhe rrobaqepësin por me keqardhje”, ka thënë Tahiri, teksa publiku ka kërkuar që ajo t’i heq syzet e diellit në mesnatë. 

“Do t’i heq tash dhe t’ia jap atij djalit që nuk po sheh. Unë këto syze i pata edhe në Bruksel dhe i kanë penguar edhe Adrian Gjinit”, është përgjigjur Tahiri teksa ka nxitur reagimin e shikuesit i cili pohoi se ka syze. E Tahiri i rekomandoi t’i ndërronte syzet ndërsa publiku ka brohoritur “Parku i Paqes” kur Tahiri foli për përfitimet që sipas saj dialogu i ka sjellë Kosovës. 

Ndërsa regjisorja Karen Stokkendal Poulsen, tha se ideja e dokumentarit ka qenë që të bëhet një dokumentim sesi flasin ish armiqtë. 

“E di shumë mirë që kurrë nuk do ta kuptoj këtë dialog dhe gjithashtu e kuptoj opinion kritik ndaj këtij dialogu. Por mund të them se jam munduar ta kuptoj situatat e dialogut dhe kam shpenzuar shumë kohë në Kosovë dhe Serbi, madje edhe në veri të Mitrovicës”, tha regjisorja.

Ajo tregoi se sa më shumë që ka kaluar kohë duke e bërë këtë dokumentar e ka kuptuar se sa i rëndësishëm është Ballkani për Bashkimin Evropian. Përtej kësaj, Karen Stokkendal Poulsen tha të jetë ndjerë e lumtur që BE-ja i ka dhënë besimin për ta xhiruar këtë proces që ajo e quajti të ndjeshëm të bisedimeve mes dy palëve që kanë qëndrime krejtësisht të kundërta. 

“Megjithatë ka pasur momente kur jam ndjerë se jemi një familje  me gjithë ekipin e dialogut përkundër mospajtimeve”, tha regjisorja. 


Tahiri, me syze dielli, duke lënë kinon e Lumbardhit, pas parfundimit të dokumentarit