Versioni i Balancuar i Regjisorit Izraelit për Luftën në Gaza

Ka shumë artistë që muajve të fundit kanë ngritur zërin kundër fushatës së egër të Izraelit në Gaza por regjisori dhe producenti David Fisher njëri prej më të njohurve në Izrael nuk dëshiron të mbajë asnjë anë në lidhje me atë se çfarë po ndodh në luftën mes Izraelit dhe Palestinës.

Fisher që ka ardhur në Prizren në kuadër të edicionit të 13-të të DokuFest si anëtar i jurisë së dokumentarëve ndërkombëtarë si një prej personaliteteve kryesore të jetës së artit në Izrael, ka bindjen se ajo çfarë po ndodhë në Gaza është faj i përbashkët i Izraelit dhe Palestinës.

“Është faji i të dy shteteve. Konflikti është i shtyrë nga të dyja. Nëse nuk i fajësoj arabët atëherë është e kuptueshme që unë dua të bëjë famë duke dalë kundër shtetit tim dhe nëse fajësoj Izraelin atëherë nuk është mirë sepse e para dalë kundër vendit tim dhe duket sikur ua marrë krenarinë arabëve në Palestinë sepse tek e fundit ata po vendosin vet se çfarë po bëjnë e çfarë po veprojnë. Askush nuk po i shtynë me forcë”, thotë Fisher i cili është edhe pjesë e Akademisë së Izraelit.

Por regjisori të cilin e kanë bërë të njohur të botë dokumentarët e Izraelit, është pak i balancuar kur flet për vrasjet e qindra civilëve në Gaza si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite në rajonin e trazuar

Thotë se jo vetëm si artist por edhe si qytetar i Izraelit “është i brengosur për vrasjes e civilëve”.

“Të dyja anët po vuajnë dhe nuk është  e lehtë që të shohësh se çka po ndodh në Gaza dhe nuk është  e lehtë të jetosh jetën si izraelites si palestinez në këtë kohë lufte”, thotë Fisher, teksa pi  çaj rusi në një çajtore në çarshinë e Prizrenit.

Më pas bëhet nervoz kur insistohet që ai ta qartësojë opinionin e vet mbi vrasjen e civilëve.

“Shiko është kohë luftë nuk mund të thuhet asgjë. Pse po më kërkon që gjithsesi të nxjerrë një qëndrim të qartë ose të dalë kundër luftës. Dhe tek e fundit kjo është një grackë sepse unë nuk jap intervista as në Izrael për luftën por këtu erdha të flasim për filma”, thotë Fisher.

Megjithatë ai vazhdon të përgjigjet në pyetjet për luftën.

Thotë se shpreson për një ndërhyrje nga jashtë për ta zgjidhur situatën mes Izraelit dhe Palestinës. Madje merr shembullin e Kosovës gjatë luftës në vitin 1999 që përfundoi pas ndërhyrjes së NATO-s pasi sipas Fisher konflikti mes dy shteteve nuk ka shanse të zgjidhet mes dy vendeve.

“Mendoj se nuk ka të bëjë vetëm ne Izraelin, nuk mund të fajësohet vetëm shteti ynë sepse tek e fundit ne nuk jemi duke kolonizuar Palestinën por në fakt disi ne jemi duke i nënçmuar ata për ambiciet e tyre. Kësisoj është një luftë që po ndodh për fajin e të dyja anëve”, thotë Fisher.

Regjisori i cili si drejtor i përgjithshëm i “New Israeli Foundation” për Kinema dhe TV, themeluar programin “Greenhouse” për filmbërësit e Mesdheut dhe ka ndihmuar njohjen ndërkombëtare të dokumentarëve izraelit, ka bindjen se artistët dhe shkrimtarët apo filozofët që kohëve të fundit kanë dalë kundër Izraelit, dëshirojnë të jenë pjesë e asaj që mediat tani janë të interesuar të botojnë.

“Mendoj se artistët që janë kundër Izraelit janë më shumë të njohur sepse të jesh kundër politikës së shtetit tënd në kohë luftë është diçka që të gjitha mediat duan ta kenë dhe për këtë arsye ata janë më të njohur sepse janë më të pranishëm”, thotë Fisher.

Por, sipas tij, është e rëndësishme që të dëgjohet edhe zëri i atyre që janë kundër luftës apo kundër asaj çfarë po bën Izraeli. Madje fakti se ka shumë izraelitë që janë kundër shtetit të tyre, sipas Fisher tregon se sa demokrat është shteti i Izraelit.

Madje thotë se ndjehet krenar që në Izrael edhe në kohë lufte gjithkush mund të flasë dhe ta shprehë mendimin e vet edhe nëse është kundër politikave të shtetit të tij.

“Kjo as në Amerikë nuk është e mundur”, thotë Fisher.

Kur pyetet nëse qëndrimi kundër i disa artistëve izraelitë ndaj shtetit të tyre ka ndryshuar opinionin e shoqërisë në shtetin e tij, Fisher thotë se këtë fuqi nuk e ka asnjë artist në botë.

“Gjithkush e ka mendimin e vet dhe askush nuk e ndryshon mendjen për shkak të një artisti”, thotë ai.

Madje, sipas Fisher, arti është mjeti i fundit që tash për tash mund të ndryshoj situatën mes Izraelit dhe Gazës.

“Ka bashkëpunime mes dy shteteve në shumë fusha por jo në atë të artit dhe kulturës sepse Palestina nuk dëshiron këtë bashkëpunim pasi që sipas tyre nëse fillon bashkëpunimi kulturor kjo nënkupton një relaksim të marrëdhënieve gjë që ata nuk e duan”, thotë Fisher.

Ai tregohet pesimist që kjo gjendja në Gaza do të ndryshojë.

“Optimizmi nuk është diçka që po e hamë për mëngjes kohëve të fundit”, përfundon ai.