“NGOM Fest”-Mbrojtje e Ambientit dhe Trashëgimisë me Muzikë

Ky edicion i festivalit përveç që karakterizohet me një numër më të madh të skenave, gjithashtu do të ketë katër netë performancash, për dallim prej viteve të kaluara që kishte një më pak.

Nga gjashtë skenat e pergatitura, skena për muzikën klasike do të jetë në Sallën Koncertale të Shkollës së Muzikës “Lorenc Antoni”. Në skenën e SH.K.A-së do të performohet kryesisht muzikë e zhanrit rock, alternativ dhe elektronike.

Skena e Marashit do jetë e dedikuar për zhanrin e muzikës hip-hop dhe elektronike. Skenat e improvizuara në rrugën Marin Barleti në kafenetë “Pasha”, “Qarshia” dhe “Casbah” do t’u dedikohen DJ-ve të Promoskenës ku do të ketë muzikë të zhanrit hip-hop, drum&bass, dub step, deep, tech, tech-house.

Për herë të parë këtë edicion artistët do të performojnë muzikë të zhanrit hip-hop. Në këtë zhanër ndër të tjerë do të paraqiten Grupi 1.P.I.N.T. nga Kosova që janë: Mc Kresha, Lyrical Son, BimBimma dhe ErgeNR.

Artistët më të njohur ndërkombëtarë që paraqiten në festival sivjet janë grupi i mirënjohur nga Amerika “Kultur Shock” të cilët njihen për kombinim e zhanrit punk dhe metal rock me muzikë ballkanike, si dhe Dj-i i zhanrit të muzikës elektronike Henry Saiz nga Madridi i Spanjës.

Përveç muzikës, “NGOM Fest” organizon edhe aktivitete të cilat kanë të bëjnë me vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtjen e ambientit dhe trashëgimisë kulturore.

“Sivjet një grup i studentëve të arkitekturës nga Shqipëria të quajtur ‘EASA’, me anë të materialeve ricikluese do të bëjnë punime të shumta në lokacione të ndryshme të qytetit të Prizrenit, gjithmonë duke mos dalë nga formati i muzikës”, thotë Fllanza Qerreti, zëdhënësja për media e festivalit për Gazetën Jeta në Kosovë.

“NGOM Fest” nisi si festival i muzikës dhe i aktivizimit në vitin 2011nga një grup të rinjsh, aktivistë në jetën shoqërore dhe kulturore të qytetit të Prizrenit të mbledhur rreth OJQ-së “NGO” me qëllimin e shtimit të aktiviteteve kulturore në qytet.

Festivali do të përfundojë më 3 gusht.