Rebelimi i Përditshëm Në 237 Filma

Gjithkush që ka dyshime në moton e sivjetmë të “DokuFest-it” do të sqarohet qysh në natën e hapjes kur në ekranin e madh të festivalit do të shfaqet dokumentari që shpërfaq më së miri krejt filozofinë e thirrjes “Ndrysho– Mos u Mshef”.

“Everyday Rebellion” që sjell rrëfimin e formave moderne, kreative, paqësore dhe civile të mosbindjes së qytetarëve nëpër vende të ndryshme të botës, do të hapë edicionin e 13-të të “DokuFest-it”.

Dokumentari me regji të vëllezërve iranianë Arash T. Riahi dhe Arman T. Riahi, është njëri nga 237 filmat nga 56 vende të botës që do të shfaqen në 6 programe garuese dhe atyre speciale që do të shpërfaqin ndryshimin e përditshëm në shoqëritë e botës dhe mosbindjen duke dalë në sipërfaqe. Duke mos u fshehur.

Drejtori artistik i “DokuFest-it”, Veton Nurkollari, në ditën e publikimit të programit të plotë të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër, shkruan se këtë vit festivali  sjell filmat nga filmbërës në ngritje e deri tek mjeshtrit e filmit.

“Këtë vit ‘DokuFest’ është plot me filma të cilët na tregojnë që asnjë art tjetër nuk është në gjendje të na bëjë të qajmë, të na gëzojë, të na dërgojë në vende horror dhe të na bëjë të çohemi dhe të dëshirojmë ta ndryshojmë botën në të cilën jetojmë, të gjitha në të njëjtën kohë”, ka shkruar Nurkollari në komunikatën për media.

Në kategorinë e garës së dokumentarëve të Ballkanit që është edhe gara kryesore e festivalit janë përzgjedhur 20 filma,njëri prej të cilëve është  “Brenda ka dritë” nga Rea Surroi dhe Dardan Selimaj  dhe “Anija” e Roland Sejkos. Të tjerë vijnë nga vendet e regjionit.

Fiks 12 dokumentarë janë në garën ndërkombëtare  dhe po kaq në garën e dokumentarëve të shkurtër dhe garën kombëtare të filmave. Në tërësi të gjithë filmat janë të ndarë në 20 programe.

“ShBA është shteti në fokus këtë vit dhe do të prezantohet me 30 filma, përfshirë shfaqjen e disa dokumentarëve klasikë si ‘Harlan County USA’ nga Barbara Kopple, ‘Hoop Dreams’ nga Steve James dhe ‘Hearts and Minds’ nga Peter Davis”, shkruhet në komunikatën e “DokuFest-it”.

Po sipas këtij njoftimi një numër i filmbërësve, producentëve dhe profesionistëve të filmit pritet të jenë të pranishëm në festival, teksa “DokuFest-i” do t’i bëjë homazh filmbërësit austriak Michael Glaëogger i cili vdiq në fillim të këtij viti, duke shfaqur tre filmat nga triologjia e tij e globalizmit.

“Një shikim gjithëpërfshirës në skenën e filmit eksperimental austriak do të prezantohet përmes programit special ‘Austrian Experiments’.

Filma për muzikë, teknologji dhe konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme, çështjet e mjedisit dhe të drejtat e njeriut janë po ashtu pjesë e programit’, thuhet në komunikatë.