Kryeministri i “Rënë nga Qielli” në Galeri

Vizatimet e politikanëve janë të njohura në gjithë botën, por pak prej tyre përfundojnë në galeri arti. 

Por kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ia ka arritur që vizatimet e tij t’i ekspozojë në galeri. 

Vizatimet e Ramës të përmbledhura në një libër 408 faqesh të edituara nga artisti Anri Sala, janë bërë pjesë e ekspozitës ndërkombëtare në Galerinë Kombëtare të Kosovës, “Çmimi Muslim Mulliqi”, edicioni i 10-të i të cilit u hap të mërkurën mbrëma. 

Ani pse ato nuk kanë arritur të mposhtin vizatimet e artistes Flaka Haliti që sipas jurisë sjellin cilësinë e misterit, poezisë dhe dyshimeve të cilat prezantohen dhe ri-prezantohen, vizatimet e Ramës kanë zënë vend kyç në ekspozitën e kuruar nga Corinne Diserens që ka bërë bashkë 32 artistë që kanë reflektuar mbi me përpjekjet individuale për mendësinë publike. 

Libri “Edi Rama”, edituar Sala është krijuar nga një seri e vizatimeve të Ramës ndërmjet viteve 2000 dhe 2012. Ish profesori i artit nisi karrierën politike në fund të viteve ’90 teksa në vitin 1998 deri në vitin 2000 ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Për 11 vjet ka qenë kryetar i Tiranës, ndërsa në qershor të vitit të kaluar u bë kryeministër i Shqipërisë. 

Për kuratoren pranimi i këtij libri në ekspozitë nuk ka të bëjë fare me pozicionin politik të Ramës. 

“Së pari kryeministri nuk është në galeri”, tha Diserens kur u pyet pse është kryeministri pjesë e ekspozitës. 

“Është më komplekse… ka të bëjë me historinë e kryeministrit”, shtoi ajo.  

Historiania e artit Diserens  tha të jetë provokuar nga paqartësia e vizatimeve të Ramës që nuk dihen në janë fryt i vëmendjes ndaj detyrave politike apo i vegimeve. 

Të krijuara dhe të printuara mbi agjendën ditore të Ramës, dokumentet zyrtare, protokollet, letrat nga faksi dhe korrespodencat zyrtare, vizatimet e kryeministrit shqiptar sipas përshkrimit që i bëhet në libër “janë të bëra mes fokusimit të tij në diskutimin  e përditshëm politik dhe  imagjinatës së tij”. 

Koncepti i edicionit të dhjetë të  ekspozitës “Çmimi Muslim Mulliqi” ka tentuar të eksplorojë se si procedurat artistike mund të tejkalojnë ndarjen në mes të arteve të bukura dhe atyre të aplikuara, duke hequr edhe ndarjen mes hapësirave si studiot apo skenat. 

“Në krejt këtë kontekst për mua ka qenë e rëndësishme ta bëjë pjesë të ekspozitës këtë dialog mes Salës dhe Ramës që edhe tejkalon dialogun artist- politikan”, tha kuratorja. 

Anri Sala në këtë libër krahason dhe vë në kontrast vizatimet me kontekstin e të kaluarës së Ramës. 

Anash secilit vizatim Sala vendos titujt e lajmeve të përditshme nga gazetat shqiptare dhe ndërkombëtare për ngjarjet politike e sociale që kanë ndodhur në Shqipëri, Evropë dhe në të gjithë botën. 

Këta tituj nganjëherë shoqërohen nga fragmentet e ditarit të Aleksandr Rodchenko-s “Eksperimentet për të Ardhmen” që nëpërmjet perspektivave entuziaste apo pesimiste sjellin shqetësimet dhe shpresat e përditshme. 

Në serinë e vizatimeve të titulluara “Creating Space Where Appears To Be Non/Inversion”, Anri Sala nga vizatimet e Ramës zhvillon kundërvënien e tij. Ai ka filtruar ngjyrat, format dhe linjat e vizatimeve përmes kristalizimit dhe kësisoj i transferon ato në vizatime të reja. 

“Krejt në fund ky publikim nuk është një vepër arti por një histori e koklavitur e artit dhe politikës që përball konfigurimin e kohës dhe hapësirës me tone poetike”, tha kuratorja Diserens.

Vizatimet janë të shoqëruara me intervistat që i ka bërë me Edi Ramën, kritikun e artit Michael Fried, filmbërësin Philippe Parreno, filozofin Marcus Steinweg dhe tash ministrin në kabinetin e qeverisë Rama, Erion Veliaj të cilat në ekspozitën “Çmimi Muslim Mulliqi” vizitorët mund t’i dëgjojnë me audio, ndërsa anash është i vendosur edhe një vizatim i Salës “The Pressent Moment”.