Lufta në Dy Fronte e Lesbikeve në Ballkan

Para një dekade Xheni Karaj mendonte se ishte e vetmja femër që pëlqente femrat në Shqipëri.
“Lesbikja e vetme që takoja ishte vetja në pasqyrë”, thotë Karaj, tashmë njëra një ndër aktivistet më të zëshme për komunitetin LGBT në Shqipëri.

Një takim me një çift lesbikesh nga Amerika e kishte hequr nga ballafaqimi me pasqyrën në dhomë, duke dalë në qytet për t’u ballafaquar me realitetin e egër ndaj orientimeve seksuale ndaj gjinisë së njëjtë.

Përpara kësaj, Karaj ishte njëra ndër mijëra femrat në Shqipëri që përballeshin me diskriminimin gjinor. Nisja e aktivizmit për të drejtat e komunitetit gej dhe lesbike ishte hapja e një fronti të dytë për të.

Hiq pjesën e çiftit amerikan, tregimi i lesbikeve në Ballkan është i njëjtë me atë të Karajt.

Por kur kanë kaluar afro një dekadë që kur lëvizjet e lesbikeve në Ballkan kanë nisur të dalin në sipërfaqe, gjendja e këtij komuniteti nuk është edhe aq e errët.

Në Konferencën e parë Rajonale të Lesbikeve në Ballkan që organizatorët e quajtën ngjarje historike që është mbajtur të premten në Prishtinë, drejtueset e organizatave të ndryshme për lesbiket në rajon kanë pikëpamje pozitive për rolin e tyre në shoqëri.

Diskriminimi i dyfishtë

Ballkani i dalë nga luftërat që lanë mijëra të vdekur e të zhdukur e ka pasur të pamundur të përballet me komunitetet e margjinalizuara në dy dekadat e fundit. Tek vitet e fundit, disa lëvizje të zbehta dhe të izoluara kanë tentuar që të ngrejnë zërin për mbrojtjen e komuniteteve të diskriminuara për shkak të orientimit seksual. 

Megjithatë fokusi i shteteve të këtij rajoni ka qenë më i  fokusuar në dhënien e hapësirës për gratë. Ky është një tregues i mjaftueshëm sesi shoqëria ballkanike ka probleme bazike në respektimin e të drejtave të njeriut, duke qenë të angazhuar në dhënien e hapësirës së barabartë për femrat.

Kthimi i syve nga Bashkimi Evropian ka shtyrë shumë shtete që të krijojnë një infrastrukturë ligjore që u jep femrave hapësirë të garantuar në vendimmarrje që shpeshherë është bërë në formë të obliguar.

Kuota prej 30 për qind femra në Parlament të Kosovës  e rregulluar me ligj është një prej shembujve.

Edhe pse standardet e përgjithshme të barazisë gjinore janë ende larg nga ato që ekzistojnë në BE, Kosova patriarkale dhe minishteti serb i formuar pas luftës në Bosnjë kanë vendosur dy gra në postet e tyre më të larta. Serbia dhe Mali i Zi të dominuar nga meshkujt, kanë miratuar ligje për të rritur numrin e grave në postet drejtuese, pjesë e një përpjekjeje për të bindur BE-në se ata i përkasin bllokut perëndimor.

“Ne duhet të punojmë në dy fronte sepse si lesbike në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkan jemi të diskriminuara dyfish: një herë si femër që duhet të funksionojë në bazë të rregullave të dominuara nga meshkujt dhe tash si lesbike që refuzohet nga e gjithë shoqëria”, thotë Vlora Krasniqi, nga Qendra për Emancipim Shoqëror “QESh”, një organizatë e fokusuar në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.

Konferenca e parë Rajonale e Lesbikeve e mbajtur në një hotel në qendër të kryeqytetit ka diskutuar për tri tema kryesore: “Normat heteroseksuale dhe homoseksualizmi”, “Roli i komuniteteve të lesbikeve në lëvizjet e LGBT-së në rajon” dhe “Pozita e tanishme e komunitetit lesbik në rajon”.

Me një pjesëmarrje të aktivisteve nga Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, konferenca ka hedhur në dritë nisjen e aktivizmit të lesbikeve në rajon dhe tentimin e tyre për t’i bërë të dukshme lesbiket në Ballkan.

“Kjo konferencë është e rëndësishme, fillimisht për faktin se po tregojmë se lesbiket janë këtu. Ky vit ishte i rëndësishëm pasi patëm paradë me 17 maj kundër homofobisë dhe me këtë konferencë po nis një periudhë tjetër”, thotë Sarah Maliqi nga “Civil Right Defenders” në Kosovë që merret me të drejtat e njeriut.

Për Rajmonda Sylbijen, drejtoreshë e “CEL Kosova” që ka organizuar konferencën, mbajtja e kësaj ngjarje në vendin ku lëvizjet lesbike janë ende në ngjizje është një hap i rëndësishëm që e bën këtë komunitet të dukshëm.

“Përtej diskriminimit të lesbikeve si femra, ky komunitet tashmë ka nisur edhe të përballet edhe me diskriminimin në orientim seksual. Kështu ky komunitet bëhet i dukshëm në Kosovë”, tha Sylbije

 “Lesbike është OK”… deri sa nuk del në rrugë
 
Në pesë vjetët e fundit vendet e Ballkanit kanë hapur një debat të vogël mbi të drejtat  e komunitetit LGBT. Debati më i egër dhe fyes zhvillohet ndaj meshkujve me orientim të njëjtë dhe kjo për Ivana Stjela-n nga organizata serbe “YUCOM” që mbron të drejtat e këtij komuniteti vjen si pasojë e asaj që Ballkani funksionon “në bazë të rregullave specifike për meshkuj dhe për femra”.

“Komuniteti LGBT e ka thyer këtë projeksion shoqëror që përcakton se çka i takon një mashkulli dhe çka një femre”, thotë Stjela. “Kësisoj për këtë shoqëri, të jesh një mashkull që del jashtë macho-s seksuale të burrave ka qenë më tronditëse për këtë shoqëri”.

Kësisoj femrat lesbike e kanë pasur më të lehtë nisjen e aktivizmit për mbrojtjen e të drejtave të LGBT-së në Ballkan.

“Në shoqërinë ballkanike ku gjinia nënkupton domosdoshmërisht seksin, dy lesbike nuk shihen me sy mbytës sikur dy gay. U duket më seksi të shohin lesbike. Por kur ato dalin në rrugë për të protestuar dhe për të marrë aksione për LGBT-të atëherë as seksualja nuk kryen punë. Je menjëherë e rrezikuar”, thotë Jovanka Todoroviq nga organizata “Labris” e fokusuar ekskluzivisht në mbrojtjen e të drejtave të lesbikeve në Serbi.

Kolegia e saj Saviq ka bindjen se lëvizjet e komuniteteve në Ballkan kanë nisur nga lesbiket. Ajo ka përmendur rastin e Kroacisë, Serbisë dhe Bosnjës ku lesbiket kanë qenë të parat që kanë nisur aktivizmin për LGBT-në. Në Mal të Zi dhe Kosovë organizimet e para kanë ardhur nga meshkujt.

Rajmonda Sylbije nga Kosova, njëra ndër aktivistet e para të LGBT-së ka kujtuar rastin e vitit 2006 kur kishte marrë pjesë në një takim me aktivistë.

“Aty ishin 10 meshkuj dhe dy femra”, tha Sylbije.

Tash dy organizatat që luftojnë për komunitetin LGBT në Kosovë drejtohen nga dy femra.