Jeta e Tre Serbëve Nën Qiellin me Reshje Bombash

Pesëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja- Aleanca Veri-Atlantike, do të vendoste që të bombardonte pikat strategjike  të ushtrisë së RFJ-së në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi për të ndalur dhunën ndaj shqiptarëve dhe kjo shënonte edhe  fundin e një lufte që la mijëra të vdekur, shumica e tyre civilë. Ky intervenim shënonte edhe luftën e parë që NATO-ja po bënte pas gjysmë shekulli.

Kosova dhe Serbia, edhe 15 vjet pas, e shohin me sy krejtësisht të kundërt këtë intervenim.

Për kosovarët NATO-ja ka sjellë paqen, ndërsa për serbët aleanca ka bërë krim.

Por për filmbërësin nga Holanda, Marinus Grothof krejt kjo ka shërbyer për të bërë një film që nuk e vë në pikëpyetje situatën politike të asaj kohe, por fokusohet në jetët e tre personazheve dhe marrëdhëniet e tyre në kohë të rrezikshme.

Filmi i titulluar “The Sky Above Us” (Qielli Mbi Ne) është i pari projekt filmik i metrazhit të gjatë që e ka punuar regjisori, e që pritet të jepet premierë gjatë muajit tjetër.

I xhiruar në Beograd, gjatë vitit të kaluar, sipas sinopsisit të filmit, “The Sky…” portretizon jetën e tre beogradasve gjatë bombardimeve të NATO-s që luhen nga aktorët Nada Sargin, Boris Isakoviq dhe Nikola Rakoçeviq.

E në ditën kur po shënohet 15 vjetori i këtyre bombardimeve në faqen e filmit në “Facebook”, është publikuar një video e CNN-it, në të cilën shihet sesi televizioni kombëtar serb ka reaguar ndaj sulmeve të NATO-s.

Aty dëgjohet një spiker lajmesh tek këshillon serbët që me 24 mars 1999 “të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë sepse kriminelët e NATO-s mund të sjellin dëme dhe vrasje”.

Ky film i metrazhit të gjatë, bashkëprodhim mes Holandës dhe Serbisë bazohet në filmin e shkurtër të regjisorit dhe skenaristit Groothof “Sunset from a Rooftop” që ishte xhiruar gjithashtu në Beograd, në vitin 2009.

 “Kemi filluar punët qysh në fund të gushtit dhe kemi xhiruar për një muaj, por më është dukur sikur kemi kaluar një vit. Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme t’i shohësh  personazhet duke u bërë bashkë me lokacionet që janë esenciale për storjen e filmit”, tha Groothof për portalin zyrtar të filmit në Serbi “Film in Serbia”.

Ai e ka quajtur nder, realizimin e këtij filmi që sipas tij sjell jetët e njerëzve në kohë bombardimesh.

Personazhet e filmit quhen Ana, Sloba dhe Bojan. Siç shkruhet në sinopsisin e filmit, ata vendosin jetët e tyre në rrezik për arsye të thjeshta, si shkuarja në punë. E zyrat ku punojnë ata janë ngjitur me objektin e televizionit kombëtar në Beograd, që ishte një nga caqet e bombardimeve të NATO-s.

“Të tre personazhet ballafaqohen me frikën, në ndërkohë që mundohen të jetojnë jetën e zakonshme. Por kjo jetë e zakonshme pushon së ekzistuari për ca kohë”, shkruhet në sinopsisin e filmit të publikuar në sajtin e kompanisë filmime në Holandë “Levpictures” që është një nga bashkëprodhueset e filmit.

Aktorja Ana (35) dëshiron t’i qëndrojë besnike teatrit, objekti i të cilit është pranë ndërtesës së TV-së. Edhe pse e tmerruar nga bombardimet ajo shkon çdo ditë në teatër.

Tjetri personazh, Bojani (23), në tentim për t’i ikur realitetit, u drejtohet klubeve të natës ku seksi, droga dhe muzika elektronike janë të vetmet mjete me të cilat realizohet kjo “ikje”.

Ndërsa tekniku i transmetimit Sloba (46), gruan dhe fëmijët i dërgon në një vend të sigurt jashtë Beogradit por vetë qëndron për të luftuar me ekzistencën. Tek e fundit ky është misioni i tij.

“Çdo natë Beogradi transformohet nga një qytet i gjallë në një target ushtarak. Përderisa bombat bien nga qielli, Ana, Bojani dhe Sloba ballafaqohen me pyetjen: Si mund të mbijetojnë duke qëndruar normal në një botë të çmendur?”, shkruhet në sinopsisin e filmit.

Megjithatë regjisori dhe skenaristi nuk janë marrë me atë sesi në të njëjtën kohë që Ana, Bojani dhe Sloba tentojnë të mbijetojnë në një kohë bombardimesh, mijëra njerëz janë vrarë dhe dyfishi i tyre është deportuar nga vendi.