Partiakë, Ish-Këshilltarë e Lavdërues në Krye të Teatrit

Politikat e Teatrit Kombëtar të Kosovës për katër vjetët e ardhshëm do t’i hartojë një Këshill Drejtues që në përbërjen e re të tij, ka dy njerëz të cilët kanë mbajtur pozita të larta qeveritare, një ish-kandidat të PDK-së për asamblist dhe një lavdërues publik të ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi. 

Pikërisht ministri është ai që emëron Këshillin Drejtues të TKK-së, i cili zgjedh drejtorin e teatrit. 

Kjo është hera e dytë brenda tre vjetësh që ministri ndërron përbërjen e Këshillit Drejtues në Teatrin Kombëtar për shkak të mungesës së të gjithë anëtarëve. 

Përpara vendimit të së hënës, Krasniqi kishte ndërruar përbërjen e Këshillit në TKK, në korrik të vitit 2011, pas pesë muajve në krye të Ministrisë së Kulturës. 

Por vendimi i fundit i Krasniqit, ka ngjallur reagime. 

“Ia uroj PDK-së degën e re në Teatër”, tha regjisori Agim Sopi, të martën mbrëma, teksa ka zbritur shkallëve të teatrit pas premierës së shfaqjes “Vorbulla” që edhe ka hapur sezonin e premierave për këtë vit.

“Nuk kam çka të komentoj më shumë. Shikojeni kush është aty”, ka shtuar Sopi. 

Në fakt, krejt debati pas premierës së shfaqjes me regji të Agim Selimit, në hollin e Teatrit Kombëtar është bërë mbi përbërjen e re të Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar. 

Për artistë të skenës teatrore në vend, përbërja e re e Këshillit Drejtues të TKK-së, e emëruar nga ministri Krasniqi është politike. 

Të hënën e 24 shkurtit, ministri Krasniqi ka emëruar Këshillin e ri Drejtues në TKK. Në përbërjen e tij janë regjisori Fadil Hysaj, aktorët Igballe Qena e Nëntor Fetiu,  dramaturgët Haqif Mulliqi e Naser Shatrolli, skenaristja Visare Aliu dhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, si përfaqësues i MKRS-së në Këshill.  

Mandati i anëtarëve të këshillit zgjat katër vjet.


PrintScreen: kryeministri-ks.net

Bagazhi i anëtarëve të këshillit drejtues

Fadil Hysaj ka qenë këshilltar i kryeministrit gjatë dy mandateve të Thaçit. 

Regjisori Hysaj, thotë se nuk e konsideron të rëndësishme të komentojë nëse angazhimi i tij afër kryeministrit ka ndikuar në emërimin e tij në Këshillin Drejtues – nga vartësi i Thaçit, Memli Krasniqi.

“Kam 48 shfaqje në karrierën time dhe nuk dua të flas për angazhimin tim si ish-këshilltar i kryeministrit”, tha ai. 

Edhe një ish këshilltar tjetër qeveritar është emëruar në Këshill. 

Haqif Mulliqi ka punuar më herët në kabinetin e Memli Krasniqit.

Ishte këshilltar politik i ministrit të Kulturës për më shumë se një vit, prej se Krasniqi e kishte marrë postin në shkurt të vitit 2011.

Kishte dhënë dorëheqje në fund të vitit 2011, me arsyetimin se kishte obligime të tjera profesionale. 

Një tjetër anëtar i këshillit është bashkëveprimtar politik i ministrit të Kulturës. 

Aktori Nentor Fetiu konkurroi bashkë me Memli Krasniqin në zgjedhjet lokale të mbajtura në nëntor të vitit të kaluar. 

Fetiu humbi garën për asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Krasniqi kishte arritur të mblidhte votat e duhura për t’u bërë pjesë e legjislativit komunal të kryeqytetit.

Fetiu tash është vartës i bashkëpartiakut të tij Krasniqit. Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar i raporton ministrit të Kulturës.

Mulliqi dhe Fetiu nuk pranuan të komentojnë emërimin e tyre në këshill.

Ndërkohë kabineti i ministrit Krasniqi pohon se vendimi mori për bazë bagazhin dhe angazhimin në fushën teatrore të anëtarëve të këshillit.

Sipas Shkëlzen Dragajt , shefit të kabinetit të Krasniqit, ministri i Kulturës nëpërmjet këtij vendimi respektoi një obligim që rrjedh nga Ligji për Teatrot që kërkon që anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit duhet të jenë persona kredibilë, me autoritet dhe me përgatitje profesionale në fushën e teatrit” .

“Është veç një supozim i paqëndrueshëm”, tha Dragaj kur iu kërkua të komentonte për angazhimet e mëhershme të anëtarëve të Këshillit Drejtues. 


PrintScreen: PDK, facebook

Lavdëruesi i ministrit emërohet në Këshill

Pjesë e këshillit do të jetë edhe një dramaturg që i kishte thurur elozhe ministrit Krasniqi. 

E kishte përshkruar si njeri që mund të bëjë histori në fushën e kulturës. 

Është Naser Shatrolli. 

Lavdet e tij i kishte përmbledhur në një artikull të publikuar më 30 mars të vitit të kaluar në gazetën “Zëri”. 

E kishte titulluar “Ministri me këpucë të zeza”. I referohej Memli Krasniqit.

“Imazh i tij prej një politikani të pjekur, maturia e tij, qëndrimi dhe besnikëria ndaj kostumit që bart, mbi të gjitha, guximi i tij në raport me dëshirën për të lënë këmbën e mbarë në kulturën vendore do ta veçojnë personalitetin e tij në histori”, shkruante Shatrolli në artikullin e botuar me 30 mars 2012. 

Në shkrime të tjera ai lavdëron edhe aktoren Teuta Krasniqi, motrën e ministrit dhe drejtorin e Departamentit të Kulturës, Kamuran Goranci. 

Shatrolli thotë se të shkruajë është puna e tij dhe se ka shkruar edhe kur Krasniqi nuk ka qenë ministër. 

“Ministri me këtë format të zgjedhur ka dëshmuar urtësi, maturi dhe përgjegjësi”, ka thënë Shatrolli. “Unë nuk e shikoj si privilegj këtë pozicion, e shikoj më shumë si kontekst meritor”, ka shtuar ai. 

Por personalitete të teatrit në vend, vendimin e ministrit të Kulturës e cilësojnë si politik. 


Foto: mkrs-ks.org

Këshilli i kritikuar  

Vitin e kaluar, Teatri Kombëtar i Kosovës kishte kaluar nëpër një proces të zhurmshëm gjatë zgjedhjes së drejtorit të ri, pas përfundimit të mandatit të Burbuqe Berishës. Në vend të saj, ishte zgjedhur Elmaze Nura, e cila dha dorëheqje, pasi la këtë post për atë të profesoreshës në Fakultetin e Arteve.

Më pas pasuan dorëheqjet në Këshillin e atëhershëm Drejtues. Kryesuesi Zymber Kelmendi, Emin Halili dhe Mentor Zymberaj dhanë dorëheqje. 

Sipas Nurës, përbërja e re e Këshillit është një heqje e maskave të atyre që në mënyrë jopublike kanë udhëhequr me politikat kulturore në vend. 

“Nëpërmjet këtij Këshilli një instrument shtetëror po instalohet brenda një institucioni kulturor”, ka thënë Nura. 

Në mënyrë specifike ajo përmend treshen Hysaj, Mulliqi dhe Fetiu, bashkë me Shatrollin.

Sipas saj, përbërja e këtij Këshilli ka si qëllim që të sjellë një drejtor që i përshtatet ministrit Krasniqi. 

Që prej shtatorit të vitit të kaluar kur Nura dha dorëheqje, ende nuk është hapur konkursi për këtë post. 

Tash kur është emëruar Këshilli sipas MKRS-së pritet që së shpejti të hapet konkursi. Sipas Ligjit për Teatrot, Këshilli Drejtues zgjedh drejtorin e TKK-së. 

Për dramaturgen Doruntina Basha që me “Gishtin” vitin e kaluar fitoi çmimin për dramën më të mirë në Festivalin e Teatrit në Sarajevë “Mess”, këshilli i ri i TKK-së është vetëm edhe një këshill i radhës i përcaktuar politikisht.

“Mirëpo ajo që befason është që kësaj here nuk ka fije tendence për ta kamufluar ngjyrimin politik. Kësaj here është ‘ashiqare’”, ka thënë Basha. 

Regjisori Bekim Lumi, i cili në kohën kur Valton Beqiri ka drejtues në Ministrinë e Kulturës ka qenë këshilltar i ministrit,  thotë se MKRS-ja me politikat, veprimet dhe vendimet e saj të mbrapshta, e ka katandisë Teatrin Kombëtar të Kosovës në një teatër provincial.

“Edhe përbërja e re e Këshillit Drejtues të këtij teatri është produkt i kësaj mendësie, e cila, nga një medium artistik i vlerave të verifikuara ndërkombëtare, çfarë në të vërtetë do të duhej të ishte, TKK-në e ka shndërruar në çerdhe të mediokritetit dhe në monopol të përçudshëm primitiv politik e partiak”, ka thënë Lumi.

Por drejtori artistik në TKK, Emin Emini e ka mirëpritur përbërjen e re të Këshillit. 

“Nëse duam ta spostojmë në rrafshin politik është në rregull të bëhet kjo, por përpara se të jenë këshilltarë politikë, anëtarët e Këshillit janë profesorë me tituj më të lartë akademik dhe me të arritura të mëdha”, ka thënë Emini.