Shtatorja e Rugovës Nuk është Pasaportë Artistike

I vendosur më 27 shtator përballë selisë ku sot rri kryetarja e shtetit, ish-presidenti Ibrahim Rugova, i kthyer në bronz, po vizitohet nga shumë qytetarë të vendit që shihnin te ai vizionarin dhe ndërtuesin e shtetësisë kosovare. 

Shtatorja e njeriut që u zgjodh kryetar i Kosovës më 2002, për t’u rizgjedhur përsëri në të njëjtën pozitë, tre vjet më pas, në kohën e Institucioneve të Pavarura të Vetëqeverisjes, të bashkëdrejtuara me Unmik-un, por që nuk pati fat ta presë shpalljen e pavarësisë për dy vjet nga shkaku i vdekjes fizike, u vendos në sheshin me emrin e tij, fare pranë Kuvendit, Presidencës e Qeverisë. 

Ai gjeti në Prishtinë përmendoren e Skënderbeut dhe shtatoret e Nënës Terezes, Zahir Pajazitit, Fehmi Aganit, Hasan Prishtinës e Metush Krasniqit, por kryetari i kryeqytetit Isa Mustafa planifikon që borxhin ndaj të vdekurve të mëdhenj ta kryejë, duke sjellë në kryeqendër edhe Adem Jasharin. 

Shtatoren e Jasharit, Mustafa e përmendi më 1 tetor, kur u takua me ish-luftëtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së, në kohën kur disa nga artistët kosovarë kërkojnë forma më kreative të përjetësimit të kujtimeve. 

Shtatorja e Rugovës, e punuar nga skulptori tiranas Julian Muqollari, nuk po u pëlqen shumë miqve të gjallë të ish-presidentit dhe njohësve të këtij arti. Ata thonë se mund të bëhej më mirë, ndërsa nuk paraqet pasaportë artistike për vendin. 

Për profesorin e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Berishën shtatoret komunikojnë me të kaluarën, të tashmen e të ardhmen, prandaj nuk duhet ta kequdhëzojnë as vizitorin e tashëm, e as atë nga brezat e ardhshëm. 

Berisha shton se artisti ka mund të vë më në pah vlerat fizike dhe shpirtërore të personalitetit të Rugovës. 

Shtatores i mungojnë karakteristikat që e veçonin Rugovën

“Rugova nuk e ka mbajtur asnjëherë kokën lart, përkundrazi është karakterizu me një modesti, me një vështrim në mendime. Ate e ka karakterizuar një misticizëm në të menduar. Më së miri atë do e kishte karakterizu çanta, ai e kishte një çantë që e mbante gjithmonë në njërën dorë”, thotë Berisha që e njihte personalisht ish-presidentin. 

Një element që i mungon shtatores, ndërsa njihej si shenjë mbrojtëse e Ibrahim Rugovës, e përmend edhe Venera Mustafa, disenjatorja e diplomuar në programin e skulpturës të Fakultetit të Arteve. 

“Politikëbërja e tij ka pasur qasje paqësore dhe kjo statujë nuk e reprezenton atë në aspektin artistik. Ajo madje nuk kapë disa elemente karakteristike për të siç është shalli që e njohim të gjithë”, thotë Mustafa. 

Ibrahim Rugova Foto : Favebook

Heronj pa dhembje

Shtatorja e Ibrahim Rugovës e vendosur në Prishtinë, është e lartë 4 metra e 20 centimetra, ndërsa shumë artistë kosovarë nuk e duan frymën e saj socrealiste. 

Realizmi socialist, karakteristik për artin e vendeve komuniste, figurat historike të kthyera në shtatore i paraqiste në përmasa mbinjerëzore dhe revolucionare. 

“Gjason shumë me stilin e punimit të shtatoreve të Enver Hoxhës apo Titos edhe pse mendoj që Rugova asnjëherë nuk e ka dhënë përshtypjen e diktatorit me të nënshtruarin”, thotë Mehmet Behluli, profesor në Fakultetin e Arteve. 

Edhe Astrit Salihu, profesor në Fakultetin Filozofik, mendon se Rugova është paraqitur vrazhdë në shtatore. 

 “Po i jepet një far dimensioni më dramatik dhe me një monumentalitet, një vrazhdësi të figurës që nuk përkon me të. E kam njohtë ate, dhe ai nuk është ai, as para e as pas pozitës së tij”,  thotë Salihu. 

“Nëse vëren monumentet tona historike dhe përkujtuese, askund nuk ka shprehje të luftës, dhembjes, ne kemi veç heronj. Me i vrojtu figurat tona, duket se të gjithë jemi Mic Sokola. Ku mbetet dhembja e popullit, ajo është karakteristikë jona, durimi që kemi pasur për të arritur deri këtu”, vazhdon Salihu. 

Filozofi Agon Hamza thotë se nuk duhet t’i thërrasim për ndihmë në kaosin politiko-ideologjik të së tashmes, shpirtrat e të vdekurve, kurse Leutrim Fishekqiu, organizator i festivalit prizrenas të skulpturës Skulpfest, mendon se shtatorja nuk duhet të jetë e përmasave mitike, për të treguar meritat e shumta të ish-presidentit. 

“Kishte me qenë shumë më domethënëse që shtatorja të ishte në dimensione reale dhe e vendosur në trotuar, duke ecur bashkë me njerëzit e tjerë. Kjo do të ishte më moderne dhe shumë më konform tij”, thotë Fishekqiu. 

Shtatorja është aty ku duhet 

Por kritikuesit e shtatores pajtohen për një gjë. Ata thonë se Ibrahim Rugova i bronzttë të paktën është në vendin e duhur, pranë ndërtesave shtetërore të republikës. 

Për historianin Jusuf Buxhovi, vendosja e shtatores është hapi më normal që pritej, për njeriun që ndihmoi shtetndërtimin. 

“Ai është njëri prej drejtuesve të lëvizjeve shtetformuese të viteve ’80 dhe ‘90 me të cilin është themeluar shteti i Kosovës dhe të njejtën kohë ai është edhe presidenti i parë i Kosovës i zgjedhur në rrethana demokratike. Shikuar nga ky kënd, mendoj qe kjo përmendore do t’i qëndrojë kohës së bashku me atë të  Hasan Prishtinës” thotë Buxhovi. 

Edhe sociologu Ibrahim Berisha pajtohet që përmendorja po e kryen punën e saj, pavarësisht se shton që në të ardhmen ajo mund të rishikohet. 

“Megjithatë, më duhet të them se shtatorja kryen funksionin e vet. Ajo siguroi një komunikim të jetës së Rugovës me vizitorët, të cilët kur kalojnë, do ta kujtojnë një personalitet pa të cilin nuk do të kishte një Kosovë të pavarur”, thotë Berisha. 

Por ka edhe të tillë që nuk i duan shtatoret, ose konsiderojnë diçka tjetër më të rëndësishme se ato. 

Astrit Salihu citon fjalët e publicistit Mufail Limani se nuk ka nevojë për memorialë e përkujtime të shumta, por të gjithë të rënët duhet t’i kujtojmë në një ditë, sepse vetë shteti i Kosovës është përmendorja e tyre. 

Muzikologu Ilir Bajri tregon se nuk i pëlqejnë fare shtatoret. 

“Mburrja me shtatore ose vepra arti, sidomos nëse nuk janë tuat, asht shej i gjendjes jostabile mentale e emocionale!”, thotë Bajri. 

Jeta vit pas viti e Ibrahim Rugovës

1944: Lind në fshatit Cerrcë të Istogut 

1945: Foshnjës pak më shumë se njëmuajshe komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babanë dhe gjyshin. 

1966: Mbaron shkollimin e mesëm në Pejë 

1971: Diplomon në Degën e Albanologjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës 

1976: Studion në Paris një vit për teorinë e letërsisë 

1984: Doktoron për letërsi në UP

1996: Bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe doktor nderi i Universitetit Paris VIII

1988: Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës 

1989: Kryetar i LDK-së 

1992: Kryetar i Republikës së Kosovës nga zgjedhjet që nuk u njohën ndërkombëtarisht

1998: Rizgjedhet kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhje që përsëri nuk u njohën nga jashtë 

1999: Merr pjesë në Konferencën e Rambujesë 

1999: Takohet me Slobodan Milosheviqin – në atë kohë raportohej se takimi ishte i dhunshëm

2002: Zgjedhet kryetar i Kosovës 

2005: Rizgjedhet kryetar i Kosovës 

2005: Njofton se është i sëmurë nga kanceri i mushkrive

2006: Vdes, ndërsa varrimi i tij është madhështor