Shtëpia Jonë

Mund t’i biesh botës rreth e qark. Të kërkosh qetësinë e qejfin ta bësh aq sa rrugë ka bota.

Të kesh pozitë a të jesh lypsar – pak rëndësi ka!

Por, një gjë që nuk ndryshon kurrë është kujtesa e shtëpisë ku je lindur e rritur.

Gurët e vendosur mbarë e mbrapsht apo therrat ku dëmtoje thembrën, kur kujtohen nga largësia, të sjellin mall e kënaqësi njëkohësisht.

Atë nuk e mbyt as pluhuri e gërditë  që përdridhen përditë në mushkëritë tona teksa frymojmë, e as mbllaçitjet e drekave të shërbyera me temena.

Për ata që vite më vonë kthehen  në atë shtëpi, momenti i mbush frymë, zemra u rrah fort dhe rruga sikur nuk mbaron kurrë. 

E kush mund ta dijë më mirë këtë ndjesi se shqiptarët e Kosovës?

Jo shumë kohë më parë të larguar me dhunë, të tjerë të shpërndarë në botë, aq larg, sa në disa raste vetëm imagjinata mund të kryejë punë.

Por gjithashtu, shpesh harrohet se edhe të tjerët që nuk kanë këtë etni, mbi të gjitha janë njerëz. Edhe ata i duan themelet e shtëpive të tyre, aromën e saj, e mezi durojnë përmallimin për sokakët qoftë edhe ashtu – të baltosura e pluhurosura.

 
Foto: Jetmir Idriz  

“Kthimi për mirë” ishte tema mbi të cilën Jetmir Idrizi, fotografi nga Kosova, prezantoi në Berlin të Gjermanisë ekspozitën me fotografi në mesin e disa fotografëve nga rajoni.

Nëpërmjet një familje serbe nga Kosova e larguar trembëdhjetë vjet më parë, në mesin e pesëmbëdhjetë fotografëve nga rajoni i Ballkanit, Idrizi prezantoi realitetin e tashëm kosovar.

Në fotografitë e tij shihet malli, dhembja, por edhe dëshira e kësaj familjeje që të vazhdojë jetën në shtëpinë ku kishin frymuar me dekada.

“Realizimi ishte i vështirë sepse vetë familja frikësohej”, thotë Idrizi për Gazetën Jeta në Kosovë. Fotografitë e tij janë në mesin e njëzet rrëfimeve të kolegëve të tjerë.

“Edhe ne e kemi pasur këtë përvojë gjatë luftës kur u dëbuam dhe gëzimin që përjetuam kur u kthyem”, thotë Idrizi. “I kuptoja këta njerëz në secilën shprehje të fytyrës”.

Bashkë më fotografitë që kanë të bëjnë me këtë temë, ai ka realizuar edhe të tjera të përmbledhura në titullin “Muzeu i kujtimeve të këqija”.

“Këto kanë të bëjnë me vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës”, thotë Idrizi. Në këto fotografi shihen gjurmët e burgut të famshëm nga tmerri në Spaç.

Në galeri ka edhe pasqyrim të realitetit të ri nga martesat e vajzave nga veriu i Shqipërisë me burrat e padëshiruar për femrat serbe në fshatrat e humbura të Serbisë.
 
Sanja Knezeviq ka ndjekur fatin e një vajze nga Shkodra, procesin dhe ceremonitë e martesës së saj në Serbi.

Ekzpozita  është hapur në DNA-Galerie në Berlin me 27 shkurt dhe do të qëndrojë deri me 21 mars, për të vazhduar në disa vende të tjera.

Përveç Idrizit, nga Kosova fotografitë e tij i ka prezantuar në këtë galeri edhe fotografi Ferdi Limani.

Tema e tij ka të bëjë me Tanushën, fshatin e humbur diku ndërmjet kufirit me Kosovën e Maqedoninë, të përmbledhura nën titullin “E kam parë Tanushën”.

Ky fshat ishte pikënisja e konfliktit shqiptaro-maqedonas në vitin 2001.

Ekzpozita e Idrizit, Limanit e  trembëdhjetë fotografëve të tjerë është bërë e mundur nga fondacioni “Robert Bosch” në kuadër të programit ‘Perspektiva e re për Evropën Juglindore’”.

“Tregimet e sjella me fotografi ishin shumë befasuese për të mirë”, thotë Verena Heinzel nga ky fondacion.

Thotë se ishte habitur se si në disa pjesë të Europës, si në Rumani, konceptohet të qenit i pasur.

Një rumun që punon gjatë verës në Paris duke mbledhur dredhëza, me paratë që mbledh për disa muaj, kur kthehet në Rumani cilësohet pasanik.

“Në ekspozitat në Sarajevë e Beograd pati shumë persona. Planifikojmë ta hapin edhe në Zagreb e shpresoj edhe në Prishtinë”, tha Heinzel për Gazetën Jeta në Kosovë.
   
Fotografitë nga kolegët e kosovarëve nga vende të ndryshme të Ballkanit kanë të bëjnë me tema të tjera.

Aty ka fotografi që dëshmojnë paprekshmërinë dhe fuqinë e Kishës Ortodokse  në Serbi, malin e fjetur e me plot ar në Rumani apo dukjen e kuzhinës ballkanike.

 
Foto: Jetmir Idrizi