QKK i bashkohet Promovimit Evropian të Filmit

Aktivitetet e përbashkëta për të promovuar filmat dhe talentet nga Evropa në mbarë botën mbështeten nga programi Media i Bashkimit Evropian dhe organizatave anëtare të PEF-së, thuhet në ueb faqen zyrtare të PEF-së. 

“Anëtarësimi në PEF ka rëndësi më të madhe sesa një anëtarësim i zakonshëm në një rrjet”, tha Fatos Berisha, drejtor i QKK-së për PEF-në. 

“Është mundësia e parë për film bërësit dhe industrinë tonë që të kenë përfitime konkrete profesionale në baza ndërkombëtare. Përmes programeve dhe aktiviteteve të Promovimit Evropian të Filmit, regjisorët, producentët dhe në veçanti aktorët tanë, presin të shkëlqejnë në mbarë botën”, shtoi Berisha. 

Ndërsa, presidenti Christian Juhl Lemche u shpreh i lumtur për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. “Shpresoj që aktivitetet e PEF-së t’i ndihmojnë industrisë së filmit kosovar të promovojë filmat dhe talentet e tyre në arenën ndërkombëtare dhe pres kontributin e QKK-së në PFE”, theksoi Lemche. 

Promovimi Evropian i Filmit ka 16 vjet që ekziston si organizatë kryesore evropiane për promovimin e filmit. Ky rrjet promovon kinemanë evropiane nëpërmjet nismave të përbashkëta dhe në të njëjtën kohë e respekton dhe nxit individualitetin dhe pasurimin e kinemave nacionale të Evropës.