“Vetëviktimizimi duhet të ndalet”

Shkrimtari dhe poeti Bojan Krivokapiq bisedoi me Prishtina Insight pas një mbrëmje letrare të mbajtur në Qendrën Multimedia, organizatën kulturore përmes së cilës ai mori pjesë në programin “Prishtina nuk ka lum” dhe kaloi një muaj në kryeqytet.

Krivokapiq është përkrahës i “krijimtarisë letrare aktiviste” dhe në shkrimet e tij të deritanishme ka prekur çështje shoqërore dhe politike të cilat janë të pranishme në vendet e ish-Jugosllavisë.

 Ka publikuar një libër me prozë të shkurtër të quajtur “Vrapo Lilith, demonët po vijnë” dhe një me poezi “Arratisja e furrtareve”. Për librin me prozë ai ka fituar shpërblime të shumta. 

“Kur erdha këtu, njerëzit kishin pritur se do të jem ‘serb i mirë’,”theksoi Krivokapiqi në fillim të bisedës sonë. “E kjo do të thotë gjëra të ndryshme për serbët dhe shqiptarët,” tha ai me buzë në gaz. 

“Për serbët kjo nënkupton të qenit një patriot i mirë dhe i zëshëm. Ata u befasuan kur e kuptuan se unë nuk isha i tillë. Për shqiptarët, në anën tjetër, kjo nënkupton që unë do duhesha të pajtohem me retorikën empatike, e cila zakonisht ngërthen në vete moskritikimin e gjërave negative. Edhe ata u zunë në befasi,” tha ai. 

Po i afrohesh fundit të qëndrimit tënd në Prishtinë. Si i jeni qasur këtij qëndrimi fillimisht dhe si i shihni gjërat tani?

Ajo që unë vlerësoj se është me rëndësi lidhur me qëndrimin tim në Prishtinë është se për një shkrimtar që dëshiron të punojë brenda kontekstit sociopolitik,është me rëndësi që t’i shohë gjërat vetë, t’i përjetoi nga dora e parë. 

Edhe pse unë personalisht asnjëherë nuk jam pajtuar me qëndrimin zyrtar të qeverisë së Beogradit apo gjërat të cilat mediat i paraqesin në formë propagande mbi situatën këtu, gjatë kohës që kam kaluar në Prishtinë e kam kuptuar edhe më mirë se qëndrimet e tyre nuk kanë fare të bëjnë me popullaten shumicë në Kosovë, e aç më pak me pakicën serbe këtu që autoritetet në Serbi pretendojnë se përfaqësojnë. 

Në fakt, ajo që ata po i bëjnë pakicës serbe është e tmerrshme. Zyrtarët e Beogradit vijnë këtu dhe i mbysin me [atë që ne quajmë] gënjeshtra të lustruara apo “šarene laži” dhe më pas largohen, e kjo bën që pakica serbe të largohet nga shumica ndërsa kushtet e tyre të jetesës mbesin të mjerueshme – e kjo është një gjë e tmerrshme. 

Por, thënë sinqerisht, mendoj se po largohem me shumë më shumë pikëpyetje se që kam pasur kur kam ardhur këtu. Mendoj se nevojiten shumë më shumë lexime, diskutime e debate, njerëzit duhet të diskutojnë mbi diskursin e vendit, duke marrë parasysh të kaluarën komplekse por edhe situatën aktuale. 

Thatë se keni pasur një përvojë shumë specifike në Prishtinë gjatë festimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. A mund të na tregoni më shumë lidhur me këtë? 

U gjeta në Prishtinë më 28 nëntor, Ditën e Flamurit, e kjo festë më befasoi në shumë aspekte. Fakti se ishin fare të paktë ata që kritikuan këtë lloj histerie nacionaliste ishte tejet befasues. 

Flamujt dhe shfrytëzimi i tyre në Ballkan për qëllime nacionaliste bartin një konotacion shumë negativ. 

Duke qenë se jam nga Serbia dhe kam jetuar në Sarajevë, kam filluar të vlerësoj këto sjellje me shumë përçmim. Në Serbi, përveç flamurit shtetëror gjenden edhe flamuj të Rusisë, ngjashëm me atë si këtu valon flamuri Amerikan. 

Në Sarajevë gjatë ndeshjeve të futbollit njerëzit bartnin flamuj të Turqisë. Kjo është çmenduri dhe në shumë pjesë të ish-Jugosllavisë kjo eufori me flamuj shërben vetëm si paralojë për ndonjë formë dhune. 

Thatë se shqiptarët e Kosovës meritojnë kritikë për portretizim të vetvetes si viktima. Çka deshët të thoshit me këtë? 

Në këtë fenomen hasi sadoherë që udhëtoj nëpër ish-Jugosllavi, në formë identike apo të ngjashme. Edhe pse ne të gjithë kemi mëtuar të jemi të barabartë, gjithmonë dikush është përpjekur që të jetë superior mbi grupet tjera. 

Ajo që ndodhi, pas konflikteve dhe ndryshimeve politike, është se ish-viktimat, të cilat tani kanë fituar më shumë të drejta, aplikojnë mbi të tjerët të njëjtën qasje që dikur është aplikuar mbi ta. 

Kjo merr formë ose të politikës revanshiste ose të një qasjeje ndaj pakicave që më së paku ka për synim arritjen e barazisë. 

Shoqëria mund të konsiderohet normale vetëm nëse pakicat jetojnë relativisht mirë dhe nuk ndihen se janë qenie njerëzore të pavlera. 

Kjo bëhet pa marrë parasysh faktin nëse dikush ka ndërgjegje të pastër apo jo – sistemi i drejtësisë do duhej të merret me këtë – ndërsa interesi im është i përqendruar tek jetët e njerëzve të rëndomtë në Kosovë. 

Në Kosovë, vërehet se njerëzit përkrahin diskursin e viktimizimit, i cili nuk është unik; në fakt ai vërehet në shumicën e diskurseve të pothuajse të gjitha njësive përbërëse të ish-federatës jugosllave. 

Ajo që është ironike është se viktimizimi i shqiptarëve është shumë i ngjashëm me atë të serbëve. Të dyja këto kombe kanë zgjedhur rolin e viktimës, sepse kjo pozitë ju jep të drejtën që të hakmerren dhe të legjitimojnë dhunën. 

Kjo tingëllon pak a shumë si “kemi vuajtur shumë dhe kemi të drejtë të bëjmë atë që po e bëjmë sepse kemi vuajtur me dekada të tëra”. Pozita e viktimës disi ju jep të drejtë që të jeni ata që ushtrojnë represion. 

Tani jemi dëshmitarë të këtij cikli të pafund të viktimave dhe tiranëve dhe kjo gjë mua më brengos. Nuk ka nevojë ta mbysni dikë vetëm sepse jeni viktimë. 

Kjo është arsyeja përse në Kosovë vetëviktimizimi, që në fakt përbën viktimizimin e fituesit në kontekst të Kosovës, meriton kritikë. Ky diskurs është i ndërlidhur ngushtë me patriotizmin dhe nacionalizmin,e konsiderohet normale, që pasi të keni qenë për aq gjatë viktimë tani të bëheni patriot dhe nacionalist. 

Kjo është shumë e shprehur edhe në Serbi – të gjitha politikat nacionaliste të kastës politike aktuale rrjedhin nga qëndrimi se serbët ishin në një mënyrë të caktuar viktima, gjë që më pas nxitë politika të urrejtjes dhe qasje raciste. 

Cilat duhet të jenë pasojat e një retorike të tillë?

Mes gjeneratave më të reja në Kosovë kjo rezulton me relativizim të krimit dhe vuajtjes, duke u arsyetuar me faktin se shumica me të cilën ju identifikoheni ka vuajtur, gjë që e vë çdo gjë në një kontekst tejet romantik dhe idealist por mund të jetë tejet e dëmshme për një shoqëri ku tani ata përbëjnë shumicën. 

Histeria e ndërlidhur me këtë flamur apo flamurin tjetër, me një udhëheqës apo tjetrin, me një komb apo me tjetrin, e tëra kjo falet kur kemi parasysh diskursin e të qenit viktimë. 

Mendoj se Prishtina, si dhe shumica e qyteteve të Kosovës të cilat i kam vizituar, përfshirë këtu edhe Graçanicën, janë monoetnike. Kjo atmosferë mund të dalë të jetë tejet  edëmshme, në veçanti marrë parasysh faktin se komunitetet shqiptare dhe serbe në Kosovë jetojnë tërësisht të ndarë nga njëri-tjetri. 

Kjo ju jep përshtypjen se konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve ende nuk ka përfunduar dhe se ende nuk kemi hyrë në mënyrë të mirëfilltë në atë fazën e “post-konfliktit”. 

Ekzistojnë ende gjëra konkrete të cilat nuk funksionojnë, për shembull unë nuk mund t’ia dërgoj me postë një libër një miku në Prishtinë. Shembull tjetër  është mosfunksionimi i lidhjeve me telefona mobilë. 

Kjo situatë ngjan sikur jemi duke jetuar në një fazë të konfliktit më të lehtë e cila ka ardhur pas një faze të dhunës së drejtpërdrejtë dhe luftës. Ende ka shumë urrejtje dhe tensione. 

Ju keni jetuar në Sarajevë. Si krahasohet ajo me Prishtinën? 

Ajo që vërejta se dallon këtu nga Bosnja ishte konteksti i gjuhëve. Edhe pse etnitetet e ndryshme vazhdojnë të pretendojnë se flasin gjuhë të ndryshme në Bosnjë, ato pak a shumë flasin të njëjtin dialekt. 

Atje, racizmi fillon me momentin e tregimit të emrit tuaj, sepse me të thënë emrin tuaj ju menjëherë vendoseni në skedarin e grupit etnik të cilit i përkisni. 

Në anën tjetër, në Kosovë dallimet në gjuhë janë shumë më të theksuara. Këtu vërehet rishfaqja e racizmit serb ndaj shqiptarëve, i atij që ka ekzistuar në të kaluarën por ekziston edhe tani. 

Ju vazhdimisht mund të dëgjoni njerëzit teksa thonë “Pse do ta mësoja atë gjuhë të shëmtuar, të panevojshme, etj.” Por kjo gjë është problematike, sepse nuk mund të jetoni bashkë në Kosovë dhe të refuzoni të mësuarit e gjuhës.

Personalisht më dukej qesharake që njerëzit ngulnin këmbë që të shfrytëzojnë anglishten tërë kohën, duke ditur historinë e përbashkët dhe faktin që jetojnë në të njëjtin vend, kështu që unë përpiqesha të mësoj shqip aq sa mundja në mënyrë që të mos isha pjesë e vazhdimësisë së kësaj hegjemonie që insistonte se ju duhet të dini vetëm gjuhën e grupit kryesor. 

U ndjeva tmerrësisht keq ditën e parë kur arrita këtu, kur dola nga autobusi dhe nuk e kuptoja asnjë fjalë të vetme. Mua personalisht mu duk problematik fakti se nuk isha përballur ndonjëherë me gjuhën shqipe dhe nuk kisha mësuar asnjë fjalë të vetme në 30 vitet e jetës sime. 

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova kishte humbur pothuajse të gjitha kontaktet kulturore me entitetet tjera. Si e vlerësoni këtë? 

Gjatë kohës që unë kam kaluar në pjesët tjera të ish-Jugosllavisë kam kuptuar se këto vende, filluar nga Sllovenia dhe deri tek Serbia apo Maqedonia, mund ta kenë më të lehtë të ndërtojnë një të ardhme së bashku. 

Ekzistojnë dy arsye për këtë – fakti se njerëzit me lehtësi kuptojnë njëri-tjetrin dhe fakti se ende kanë qasje raciste ndaj Kosovës. Kësisoj, edhe pse mes këtyre vendeve apo kombeve mund të ketë konflikt edhe tani, ata janë në një zë lidhur me qëndrimin e tyre degradues ndaj Kosovës dhe shqiptarëve – madje edhe në nivel kulturor. 

Por, më e keqja është kjo forma e “re” e racizmit. Insistimi se “ne duhet t’i përfshijmë ata, duhet t’i kuptojmë ata, duhet të kemi një shqiptar” na tregon se ata duket që kosovarët i konsiderojnë njerëz “të paaftë” të cilët kanë nevojë për kujdes apo kushte të veçanta. 

Kjo vërehet edhe në rezistimin e njerëzve ndaj pasjes së një qasjeje adekuate kritike ndaj Kosovës së pasluftës, për shkak se kritikimi i një vendi do të thotë se ju lehtë mund të bini në kurthin e diskursit të përgjithshëm dhe të së djathtës radikale të Serbisë, sipas së cilit duhet demonizuar çdo gjë që ndërlidhet me Kosovën. 

Sipas tyre, çdo gjë që ndërlidhet me shumicën në Kosovë është e keqe dhe serbët janë viktimat; kësisoj, nëse keni qasje kritike ndaj shumicës kosovare, e vini nga Serbia siç vij unë, atëherë kjo përbën problem. 

Njerëzit gjithmonë arsyetohen duke thënë “lëre pra se ka pasur shumë vuajtje dhe njerëzit janë ndjerë të lënë pas dore, të izoluar, etj.”, prandaj ju duhet “t’i kuptoni” të gjitha gabimet që kosovarët po i bëjnë sot. 

Por, kësisoj ju po ua mohoni njerëzve mundësinë që të japin kritika konstruktive, ndërsa ka gjëra që sjanë duke u bërë si duhet. Në aspekt afatgjatë, kjo mund të gjymtojë shoqërinë Kosovare dhe t’ia pamundësojë Kosovës të qenit një shtet kredibil e stabil. 

Duhet të harrojmë thënien “nuk është momenti i duhur”. “Momenti i duhur” nuk do të vjen kurrë, prandaj është mirë që të veprohet tash më mirë se më vonë.

 

Artikulli është botuar fillimisht në Prishtina Insight më 5 dhjetor 2014.

Kjo storie është shkruar si pjesë e BIG DEAL, projektit të mbikëqyrjes civile i cili vlerëson implementimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë. Ky projekt është duke i zbatuar nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA, me përkrahje të Zyrës Britanike për Punë të Jashtme dhe të Komonueltit dhe Fondi Rockefeller Brothers.