Kur Trauma e Dhunimit Trajtohet me Mjaltë

Për një gazetare e cila vite të tëra në Rumani ishte angazhuar në raportimin mbi çështjet sociale si abuzimi me fëmijët, dëgjimi i historive të grave të dhunuara në luftën që shkatërroi Jugosllavinë ishte një arsye më e madhe që ajo të hidhte shikimin drejt kinematografisë që portretizon të vërtetën. 

Dhe historia që e kishte prekur më së shumti kishte ndodhur në Kosovë. Në një fshat të vogël të Gjakovës emrin e të cilit nuk e zbulon as regjisorja për arsye të identitetit të personazhit në dokumentarin e saj të titulluar “Honey and Wounds” në të cilin tregohet historia e disa grave kosovare të cilat gjatë luftës së fundit ishin mbajtur peng nga trupat serbe, duke u torturuar dhe detyruar të jenë dëshmitare në ekzekutimin e burrave të tyre. 

Në shqip titulli i filmit është “Mjaltë dhe Plagë” dhe për regjisoren Stoan ky titull është një metaforë për atë sesi Ballkani gjithmonë është portretizuar nga dashuria dhe gjakderdhja. 

Dokumentari 30 minutash i realizuar vitin e kaluar në Kosovë është një rrëfim mbi gratë të cilat pasi kanë mbetur të veja nga vrasja e burrave të tyre, me ligjet e Kanunit ose duhet të rimartohen apo të punojnë e jetojnë një jetë të pavarur jashtë shtëpive të tyre. 

Për Stoan, realizimi i këtij dokumentari që në DokuFest është pjesë e garës ballkanike të dokumentarëve, ka qenë i vështirë sepse i është dashur shumë punë për t’i bindur gratë që të tregojnë historinë e tyre dhe mënyrën sesi ato po përballen me traumat e asaj çfarë ka ndodhur. 

“Kur kam dëgjuar për këto gra kam menduar se do të jetë e pamundur që t’i bind të flasin. Është dashur t’ua sqaroj se nuk jam gazetare dhe se vetëm dua që të mësoj historinë e tyre”, thotë Stoan. 

Më pas ajo do të binte në kontakt me një organizatë lokale në Kosovë që merret me problemin e grave të torturuara gjatë luftës duke i këshilluar ato sesi mund të nisin shërimin e plagëve që nga oborret e shtëpive të tyre dhe se gjithçka që ju duhet është një kuti druri dhe një bletë mbretëreshë. 

Stoan e cilëson si një eksperiencë fenomenale procesin e njohjes së këtyre grave dhe realizmin e dokumentarit me të cilin ka diplomuar në film. 

“Kam kaluar më shumë se një muaj me këto gra. Kemi folur së bashku, kemi shkuar në vende të ndryshme, edhe në Stamboll ku kemi dalë edhe natën dhe kemi kërcyer dhe kësisoj jam lidhur me to. E kjo më ka ndihmuar që ato gra të kenë besim tek dokumentari im”, thotë Stoan. 

Premiera e këtij dokumentari është dhënë në Londër më herët gjatë këtij viti dhe regjisorja Stoan e pranon se gratë e përfshira në dokumentar ende nuk e kanë parë atë. 

“Por e di se ato janë shumë në rregull me atë çfarë ka dalë në dokumentar”, thotë Stoan. 

Stoan thotë se gjatë periudhës një mujore sa ka qëndruar me këto gra ka dëgjuar historinë e së cilës dhe në dokumentar e ka futur vetëm një histori sepse sipas saj ajo i tregon të gjitha. 

“Mjaltë dhe Plagë” shpërfaq historinë e një gruaje kosovare nga rrethi i Gjakovës e cila gjatë luftës është torturuar dhe ia kanë vrarë bashkëshortin dhe sesi 15 vite pas kësaj historie ajo ka nisur t’i shërojë plagët e në të njëjtën kohë të mbaj familjen duke kultivuar bletarinë. 

Për Stoan, kjo histori ia ka ndryshuar mendimin mbi kufijtë e ekzistencializmit të njeriut përballë traumës por edhe e ka bërë më të fortë që të përballet me problemet e jetës. 

“Prej se e kam xhiruar këtë dokumentar, problemet që dikur më janë dukur shumë të rënda dhe të pazgjidhshme tani janë të lehta. Duke parë fuqinë e këtyre grave sesi po tejkalojnë dhunën sistematike dhe traumën nga vrasjet në familjet e tyre është thjesht inspiruese për të qenë e fortë”, thotë Stoan. 

Dokumentari i saj shfaqet të hënën e 18 gushtit dhe më 23 gusht në Shtëpinë e Kulturës.