“Celula” e ISIS në Itali: një familje e madhe italo-shqiptare

Baki Çoku ndodhej në tryezën e syfyrit kur forcat e antiterrorit zbarkuan në shtëpinë e tij në fshatin Gërmenj i Madh i Lushnjes dhe i shtrënguan prangat. 40 vjeçari, emigrant prej fundit të viteve ’90 në Itali ishte kthyer ndoshta për herë të fundit në Shqipëri; policia italiane thotë se ai po planifikonte udhëtimin e tij drejt Sirisë.

Baki Çoku është njëri prej 5 të arrestuarve me urdhër të Prokurorisë së Milanos mëngjesin e së mërkurës për lidhjet e tij me militantët e Shtetit Islamik. Motra e tij, Arta Kacabuni dhe krushqit italianë të konvertuar në myslimanë, Sergio, Assunta dhe Mariana Sergio u arrestuan gjithashtu si pjesë e grupeve terroriste ndërkombëtare.

Familja shqiptare Çoku, rezidente në Grosseto të Italisë dhe ajo italiane Sergio me banim në Inzago të Milanos lidhën krushqi në shtator të vitit 2014. Asokohe, nipi i Baki Çokut, Aldo Kobuzi u martua me Maria Giulia Sergion, e para xhihadiste italiane në luftën e Sirisë.

Në një investigim të publikuar në mars, BIRN zbuloi historinë e martesës së tyre dhe lidhjet familjare me disa prej shqiptarëve që ndodheshin në zonën e luftës në Siri.

Më 21 shtator 2014, çifti italo-shqiptar iu bashkua militantëve të Shtetit Islamik përmes itinerarit Romë-Stamboll-Gaziantep, ndërsa Prokuroria e Milanos nisi një hetim të gjerë për xhihadisten e njohur me nofkën “Lady Jihad”. Hetimi mori emrin e koduar “Martesë”.

Policia italiane tha në një deklaratë për shtyp të mërkurën se kishte arrestuar 5 nga 10 të dyshuarit për lidhjet e tyre me Lady Jihad dhe ISIS. Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për 5 personat që gjenden në Sed Farouk të Sirisë: Maria Giulia, Aldo Kobuzi, nëna e tij, Donika Çoku, motra Serjola dhe një shtetase kanadeze, rezidente në Arabinë Saudite e quajtur Bushra Haik.

Prej më shumë se tetë muajsh, prokuroria e Milanos ka përgjuar komunikimet përmes rrjeteve sociale të Lady Jihad me familjen e saj dhe të bashkëshortit shqiptar, duke zbuluar se pesë të arrestuarit po bëheshin gati t’i bashkoheshin Kalifatit.

“Tre shtetasit italianë dhe dy shqiptarët ishin të vendosur për të shkuar për xhihad në Siri,” thuhet në deklaratën e Policisë italiane.

“E gjithë familja po bëhej gati t’i bashkohej Shtetit Islamik,” shtoi policia.

Në fshatin Gërmenj i Lushnjes, familjarët e Baki Çokut mohojnë lidhjen e tij me terroristët dhe presin lirimin e tij.

“Fliste vazhdimisht me nipin në Siri, por nuk ka lidhje me ta,” tha babai i Baki Çokut.

Familja e madhe e xhihadit

Hetimi i Prokurorisë së Milanos, ndër të parët e këtij lloji në Europë, është drejtuar mbi dy shina: mbajtjen nën kontroll të komunikimeve mes Maria Giulias dhe familjarëve të saj të radikalizuar në Itali dhe zbulimin e rrjetit ndërkombëtar të rekrutuesve.

Të dhënat e Policisë Italiane, të siguruara nga BIRN tregojnë se që pas largimit drejt Sirisë, Maria Giulia është përpjekur të bindë motrën Mariana dhe prindërit e saj që t’i bashkoheshin Shtetit Islamik.

Në komunikimet e saj dallohej qartë gjuha e urrejtjes për “të pafetë” dhe propaganda radikale për të çuar deri në fund rrugën e nisur tashmë nga familjarët e saj. Burri lushnjar, Aldo Kobuzi mbetet sërish një personazh në hije dhe zë një vend të vogël në bisedat e saj me familjarët.

“Ka marrë fund koha kur myslimani mund të qëndrojë në tokën e të pafeve. Ajo ishte koha e injorancës, tani kemi Kalifatin,” i shkruante Maria Giulia motrës së saj përmes Skype.

Hetimet e Prokurorisë së Milanos kanë zbuluar se Maria Giulia qëndronte në Sed Farouk së bashku me vjehrrën Donika dhe kunatën Serjola. Bashkëshorti i saj, Aldo Kobuzi u ishte bashkuar me kohë muxhahedinëve, bënte stërvitje ushtarake në një kamp në territorin iraken dhe ishte i gatshëm të jepte jetën për Shtetin Islamik.

E përditshmja italiane Il Gironale ka botuar disa prej këtyre përgjimeve, në të cilat Maria Giulia shprehet se xhihadistët bëjnë gjithçka për parajsën.

“Muxhahedinët janë të bukur, të fortë, inteligjentë, një mrekulli. Po bëjnë luftën e shenjtë dhe do të nisen drejt Allahut,” thotë ajo në një tjetër bisedë të përgjuar.

Pesë muaj pas largimit të së bijës drejt Sirisë, familjarët e saj nisën përgatitjet për ta ndjekur në këtë rrugë. Policia italiane tha në deklaratën e saj se bashkë me babanë Sergio, mamanë Assunta dhe motrën Mariana do të iknin në Siri edhe Baki Çoku me motrën e tij, Arta.

Në muajin mars, familja Sergio nxjerr në shitje mobiliet dhe pasuri të tjera që zotëronte në Inzagi të Milanos. Në prill, kryefamiljari jep dorëheqjen nga puna dhe e gjithë familja priste ditën e nisjes.

Në qershor, Baki Çoku niset drejt Shqipërisë, në pritje të kësaj dite. Por operacioni i nisur njëkohësisht në Inzago e Grosseto të Italisë dhe në Lushnje të Shqipërisë i preu në mes planet e tyre për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Rregullat për xhihadistët

Njëlloj si Maria Giulia dhe Aldo Kobuzi, edhe familjarët e tjerë do të ndiqnin të njëjtën rrugë për të mbërritur në frontin e luftës. Megjithatë, autoritetet italiane besojnë se njeriu kyç në kontrabandimin e xhihadistëve të rinj është një emir turk.

Në investigimin e saj, gazeta italiane Il Giornale shkruan se Ahmed Abu Alharith është personi kyç i ISIS në Turqi që instruktonte militantët aspirantë se si të mbërrinin në Siri. Bisedat e përgjuara tregojnë se ai komunikonte me militantë të vendeve të ndryshme të Europës apo të vendeve arabe. Ndër to kishte biseda edhe me shumë shqiptarë.

Emiri Abu Alharith dyshohet gjithashtu se ishte njeriu që po orientonte familjarët Sergio dhe Çoku se si të niseshin drejt Sirisë.

“Mos merrni me vete pajisje elektronike dhe as telefona inteligjentë, se diktoheni nga shërbimet sekrete,” thotë Abu Alharith në një nga bisedat.

“Secili duhet të ketë vetëm 1 valixhe me vete,” shton më tej ai.

Prej muajsh, autoritetet italiane ndjekin me shqetësim kërcënimet që vijnë nga militantët e ISIS dhe zhvillojnë hetime aktive për të minimizuar rrezikun terrorist që i kanoset vendit. Për këtë arsye, ata kanë shpeshtuar komunikimet me policinë shqiptare dhe vende të tjera të Ballkanit.

Prokurori Maurizo Romanelli shpjegoi në një konferencë për shtyp në Milano se të arrestuarit ishin të vendosur për të shkuar me çdo kusht në Siri. Megjithatë, ai mohoi dyshimet se ata përbënin rrezik afatshkurtër për Italinë.

“Ata nuk po planifikonin sulme në Itali,” shpjegoi ai.

Marrë nga reporter.al