Referendumi ekspozon ndasitë e thella të grekëve

Stavroula po pret me durim në shi në një radhë – për të marrë vetëm 60 eurot e pensionit të saj.

“Nuk mendoja kurrë se do rroja për të parë çastin kur do më duhej të rrija në radhë në një bankomat për ditën e tretë rresht për të marrë disa para për të blerë ushqim,” tha ajo.

Lindur dhe rritur në Thessaloniki, në veri të Greqisë, mësuesja e dalë në pension ishte një prej shumë grekëve që po nxitojnë për në bankomate çdo ditë që nga fundjava e shkuar, kohë kur negociatat mes qeverisë greke dhe huadhënësve u prishën.

Këshilli i stabilitetit financiar grek më pas vendosi të limitojë tërheqjet në 60 euro dita deri në referendumin e së dielës mbi kushtet e borxhit, të cilin qeveria e Alexis Tsipras i ka nxitur votuesit të mos e pranojnë.

Të dielën, votuesit do të vendosin nëse pranojnë ose refuzojnë kushtet. Një “po” do të nënkuptojë ulje të mëtejshme të pensioneve, reforma më të ashpra ekonomike dhe vite të tjera vështirësish të ardhura nga borxhet.

Një votë “jo” me gjasa do të përshpejtojë daljen e Greqisë nga valuta e vetme dhe do sjellë një të ardhme të pasigurt me një valutë kombëtare të rikthyer por të zhvlerësuar.

Greqia është ndihmuar dy herë në pesë vitet e fundit. Por në të ardhmen për më shumë se 250 miliard dollarë në kredi, kreditorët e huaj kanë kërkuar ulje të ndjeshme të rrogave qeveritare  dhe rritje të taksave. Por, pas më shumë se gjashtë vitesh kursim, shumica e njerëzve këtu thonë se iu është sosur durimi.

Në Thessaloniki të mërkurën, njerëzit u tubuan në mbështetje të një vote “jo”, në sikron me qëndrimin e qeverisë.

George, një mekanik 34-vjeçar, ka jetuar me pensionin e së ëmës për tre vitet e fundit pasi humbi punën prej krizës ekonomike që preku Greqinë në vitin 2009.

Vjeshtën e shkuar, nëna e tij vdiq dhe George u detyrua t’i shtrinte dorën miqve dhe madje zuri radhën në kuzhinat e supës ndërsa kërkonte për një punë.

“Do të votoj “jo” në referendumin e së dielës meqë nuk kam asgjë për të humbur. E vura të gjithë besimin dhe shpresën te Tsipras,” tha ai, duke tundur një tabelë “jo” në duar.

Mbështetësit e “Po-së” do të protestonin në Thessaloniki për një të ardhme brenda eurozonës dhe Bashkimit Europian, të cilën e quajnë “shtëpi”.

“Nëse referendumi nuk del siç duhet, do të largohem nga vendi pasi një votë “jo” përkeqëson varfërinë dhe trazirat sociale,” tha 26-vjeçarja Ioanna, e cila studioi Drejtësi dhe ëndërron të ketë një karrierë si gjykatëse.

Për shumë grekë, referendumi i së dielës nuk është vetëm rreth “po-ve” dhe “jo-ve” të borxhit.

“Ka të bëjë me unitetin e grekëve në një kohë thelbësore për kombin tonë,” tha një i moshuar që priste në një tjetër bankomat.

“Unë dëshmova përçarjen e grekëve në luftën civile dhe mund të them se megjithëse nuk ka armë të përfshira këtë erë, polarizimi në shoqëri është shqetësues,” tha ai, duke iu referuar luftës civile mes komunistëve dhe monarkistëve që shpërtheu pas Luftës së Dytë Botërore.

Pak metra më tutje, dy të rinj po argumentonin nëse Tsipras kishte të drejtë të thërriste një referendum, ose nëse ai thjesht po luante me shpresën se kreditorët ndërkombëtarë nuk do të lejojnë daljen e Greqisë dhe do të zbuste kërkesat e tyre.

Mes shenjave në rritje të ndasive në shoqërinë greke, kreu i Kishës Ortodoske të cilës i përkasin shumica e grekëve, Kryepeshkopi i Athinës dhe të gjithë Greqisë, bëri thirrje për unitet kombëtar dhe i nxiti grekët të shmangin kthimin e vështirësive financiare në përçarje të brendshme.

“Mbi këdo dhe çdokënd, ka një shtet. Ne jemi të gjithë të bashkuar nga dashuria për këtë vend dhe vuajmë për të tashmen dhe të ardhmen e tij. Asgjë nuk na ndan. Kjo është arsyeja përse nuk duhet të lejojmë helmin e përçarjes të na pikojë në shpirt”, tha kryepeshkopi.

Ka një nevojë urgjente për unitet shoqëror, ra dakord kryebashkiaku i Thessalonikit, Yiannis Boutaris, i cili së bashku me kryebashkiakun e Athinës, Giorgos Kaminism, kryesojnë komitetin kombëtar e krijuar së fundmi i cili kundërshtoi Grexitin.

Edhe në luftë virtuale që është ndezur në median sociale gjatë këto ditëve të fundit mes blloqeve të “jo-ve” dhe “po-ve”, thirrjet për unitet po vijnë nga të dyja anët.

Teksa ora afrohet për referendumin e së dielës, Tsipras iu drejtua popullit grek edhe një herë të mërkurën, duke përsëritur thirrjen e tij për një votë “jo” dhe sigurimin e votuesve që referendumi nuk është rreth anëtarësisë së Greqisë në eurozonë. Ai gjithashtu tha se ishte gati të rifillonte negociatat me kreditorët e Greqisë për një marrëveshje të zbatueshme menjëherë pas votimit të së dielës.

Por, çfarë nëse ka keqllogaritje dhe Europa i tregon Greqisë derën për të dalë?

“Le të shpresojmë se të hënën e gjitha kjo të ketë qenë një ëndërr e keqe. Nëse jo, le të shpresojmë se kërkesa për unitet do të prevalojë,” shkroi në Facebook një mik grek që u largua nga vendi disa vite më parë kur kriza do të shpërthente.