Tony Blair-Nismëtari i Bombardimeve Kthehet si Këshilltar i Vuçiqit

Tony Blair ka shtuar Serbinë në listën e vendeve nga të cilat paguhet si këshilltar, pavarësisht rolit të tij si nismëtari kryesor i bombardimit të Beogradit në vitin1999.

Blair do të këshillojë kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ishte ministër i informacionit gjatë periudhës së luftës dhe njëkohësisht një nga kritikët më të fortë të politikanit britanik, si dhe një ndër redaktorët e librit me titull “Pordha gej angleze Tony Blair”.

Sipas burimeve zyrtare serbe, tani Vuçiq dhe Blair e gjejnë veten në të njëjtën anë, sipas një kontrate të nënshkruar nga zyra e konsulencës së Blair-it për të ngritur një “njësi statistikore,” të paguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kjo kontratë mund të zemërojë jo vetëm serbët që nuk kanë përtypur rolin e Blair-it në fushatën e bombardimeve kundër ish-Jugosllavisë, por edhe kundërshtarët e zgjerimit të interesave të tij të biznesit në Lindjen e Mesme.

Kritikët thonë se shqetësimet personale, duke përfshirë edhe lidhjet financiare në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, kanë minuar dhe emërimin e tij si i dërguar zyrtar në Lindjen e Mesme për kuartetin – OKB, ShBA, Rusi dhe BE.

Dy zyrtarë të lartë serbë kanë thënë se Abu Dhabi po financon “Tony Blair Associates” në rolin e tij më të fundit si këshilltar i qeverisë së tyre.

Blair dhe ekipi i tij kanë bërë vizita të rregullta në Beograd gjatë muajve të fundit, siç raportojnë burime të qeverisë serbe, duke përfshirë dhe një leksion në fund të janarit nga ish-këshilltari i medias i qeverisë britanike, Alastair Campbell.

Politikanët rivalë serbë thonë se Blair është një zgjedhje e “çuditshme” si këshilltar i Vuçiqit, duke pasur parasysh kritikat e ashpra të së shkuarës.

“Si mund të thuash gjëra të tilla për dikë dhe tani ta paraqesësh atë si një faktor kyç në bërjen më efikase të qeverisë sonë?” ngre pyetjen Borko Stefanoviq, udhëheqës i grupit më të madh opozitar në parlament.

Libri me titull plot nuancë, botuar në vitin 2005, ku Vuçiq është përmendur si një nga redaktorët, është shkruar nga Vojislav Sheshel, një politikan serb i dyshuar si kriminel lufte, kur të dy ishin anëtarë të lartë të Partisë Radikale Serbe.

Vuçiq është përpjekur që atëherë të distancohet nga e kaluara e tij, duke u larguar në 2008 nga radikalët e Tomislav Nikoliqit, presidentit të tanishëm të Serbisë, për të formuar Partinë Progresiste, e cila e ka prezantuar veten si proevropiane.

Njohësit e Ballkanit thonë se ata mund të jenë duke u përpjekur të balancojnë dështimet e tyre në politikën e brendshme me shtysën që kredencialet e Blair-it mund të sjellin në fushatën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ose në përmirësimin që ekipi i tij mund të sjellë në aftësitë e tyre qeverisëse.

Lidhja me Abu Dhabin

Por dhe vetë Blair-i mund të përballet me pasoja politike nga kjo marrëveshje, për shkak të lidhjeve ndërmjet Abu Dhabit, Serbisë dhe një palestinezi kontrovers në azil, Mohammed Dahlan, të cilat kanë të ngjarë ta bëjnë këtë marrëveshje jashtëzakonisht të dyshimtë në syrin e zyrtarëve palestinezë në Bregun Perëndimor.

Si një rival i presidentit Mahmud Abaz, Dahlan nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u bërë udhëheqësi i ardhshëm palestinez.

Ai aktualisht është duke jetuar në Abu Dabi, ku shërben si këshilltar ekonomik dhe i sigurisë i princit të kurorës Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Ai ka luajtur një rol kryesor në negocimin e investimeve të premtuara me vlerë prej miliarda eurosh në Serbi nëpërmjet një sërë marrëveshjesh ndërshtetërore.

Si rezultat, atij, gjashtë anëtarëve të familjes së tij dhe gjashtë mbështetësve të tij politikë, u është dhënë shtetësia serbe gjatë viteve 2013 dhe 2014, siç zbuluan këtë muaj The Guardian dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative.

Dahlan, ish-shefi i sigurimit palestinez me lidhje të ngushta me ShBA, u përzu nga vendi në vitin 2011 nga Lëvizja Fatah, e udhëhequr nga Abbas, i akuzuar për një sërë kundërvajtjesh.

Ai u dënua në mungesë me dy vjet burg në mars të 2014 për kritikat ndaj udhëheqjes së Abbas-it dhe të forcave të sigurisë së Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor.

Një tjetër proces gjyqësor kundër tij pritet të përfundojë në shkurt, këtë herë për akuzat për përvetësim të 22 milionë dollarëve. Dahlan-i nga ana e tij mohon të gjitha akuzat.

Zyrtarët palestinezë janë zemëruar nga refuzimet e Abu Dhabit për të dorëzuar Dahlan-in, si dhe nga mbështetja e supozuar nga ana e tyre e fushatës së tij për të rrëzuar nga pushteti Abbas-in, nëpërmjet derdhjes së parave në kampet e refugjatëve palestinezë dhe Rripin e Gazës për të fituar mbështetësit e tij.

Nimar Hamad, këshilltar politik i Abbas-it, tha për BIRN-in nga kompleksi presidencial në Ramallah se përfshirja e Abu Dabit ishte “shumë e zbehtë”. Ai shtoi: “Kjo histori filloi kur princi Mohammed Bin Zayed kërkoi të mos merrej asnjë masë ndëshkuese ndaj Mohammed Dahlan-it.”

Roli diplomatik dhe ndjekja e interesave biznesore

Chris Doyle, drejtor i Këshillit për Mirëkuptim Arabo-Britanik, tha se Blair-i duhet të vendoste mes ndjekjes së interesave të tij të biznesit dhe postit të tij si i dërguari i Kuartetit.

“Nuk ka një ndarje të qartë midis marrëdhëniet diplomatike të Blair-it dhe marrëdhënieve të tij të biznesit në Lindjen e Mesme,” tha ai. “Në rolin e tij si i dërguari për Lindjen e Mesme, marrëdhëniet e tij me Abbas janë vendimtare në ndërtimin e ekonomisë dhe administratës palestineze. [Lidhjet e tij] me Abu Dhabin mund t’i dëmtojë ato.”

Një ministër serb, i cili kërkoi të mbetet anonim, konfirmoi se puna e “Tony Blair Associates”, duke përfshirë edhe leksionin e fundit të Alastair Campbell, ishte e mbuluar nga Abu Dhabi, por tha se natyra e saktë e marrëveshjes ishte një sekret i ruajtur mirë.

“Askush nuk na ka thënë ndonjë hollësi, duke qenë se marrëveshja është diskutuar në rreth shumë të ngushtë”, tha ministri. “Ka pasur disa njerëz që kanë dhënë leksione, por të them të vërtetën, unë nuk shoh ndonjë vlerë në këtë projekt. Ata nuk na kanë thënë ndonjë gjë që ne nuk e dimë.”

Një tjetër burim nga zyra e kryeministrit tha se Abu Dhabi ishte duke paguar faturën për projektin, por tha se ai nuk kishte detaje të mëtejshme. “Unë di vetëm se njerëzit erdhën dhe na thanë se ajo ishte paguar nga Abu Dhabi.”

Blair-i ka tërhequr tashmë vëmendjen për lidhjet e tij të biznesit me Abu Dabin, duke përfshirë dhe një kontratë me vlerë më shumë se 1 milion funte në vit për këshillimin e fondit të pasurisë së sovranit të emiratit, Mubadala.

Kur u pyet nëse Blair-i vazhdon të jetë “ndërmjetësi i ndershëm” i procesit të paqes, Abbas tha për BIRN-in në një intervistë ekskluzive se: “Tony Blair u propozua nga komisioni Kuartet si i dërguari për Lindjen e Mesme dhe ne e pranojmë këtë si vendimin e kuartetit.” Por, ai shtoi se ai e kishte “humbur shpresën” në raundin aktual të negociatave.

Ai është afër princit të kurorës, i cili ndan shqetësimet e Blair-it lidhur me Vëllazërinë Myslimane dhe besohet të jetë dhe pas rolit më të fortë të Emirateve të Bashkuara Arabe në rajon, duke përfshirë fushatën e njëanshme të bombardimeve mbi Libinë Lindore.

Një zëdhënëse e “Tony Blair Associates” refuzoi të konfirmojë apo mohojë nëse Abu Dhabi po financon projektin, por tha se kjo nuk do të ndikojë në punën e Blair-it për Kuartetin në Lindjen e Mesme.

“Ky projekt është negociuar dhe rënë dakord drejtpërdrejt mes Serbisë dhe TBA-së (Tony Blair Associates) në vijim të takimeve mes Tony Blair-it dhe kryeministrit serb dhe nuk ishte pjesë e ndonjë marrëveshjeje më të gjerë,” tha ajo në një deklaratë. “Puna e njësisë statistikore nuk ka ndikim në rolin e Toni Blair-it në Lindjen e Mesme për ekonominë palestineze.”

Zyra e  Blair-it u tha gazetarëve korrikun e kaluar se nuk kishte “asnjë projekt ose kontratë në ose me Serbinë”, pas një vizite të ish-kryeministrit në Beograd.

Zëdhënësja e Blair-it tha se marrëveshja serbe nuk ishte nënshkruar në kohën e mohimit. Ajo nuk pranoi të thotë se kur është rënë dakord lidhja e kontratës.

Blair-i nuk publikon të ardhurat e tij, por Financial Times i vlerëson të ardhurat e tij për vitin 2011 në rreth 20 milion funte.

Ai është paguar deri në 300,000 dollarë për një seancë cikli leksionesh, kanë thënë ndihmësit.
Në të kaluarën ai ka këshilluar vende të ndryshme si Ruandën, Shqipërinë, Mongolinë dhe Kuvajtin. Iniciativa e tij për qeverisjen e Afrikës ka punuar me qeveritë e Sierra Leones, Liberisë, Guineas, Nigerisë, Etiopisë dhe Senegalit në baza jofitimprurëse.

Ai ka ndezur polemika të shumta duke këshilluar sundimtarin autokratik të Kazakistanit se si të menaxhojë pasojat nga një masakër civilësh nga ana e policisë dhe duke këshilluar mbi një projekt gazsjellës të iniciuar nga presidenti i Azerbajxhanit.

Ky artikull është produkt i programit të titulluar ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’, i financuar nga Austrian Development Cooperation (ADC) dhe implementuar nga BIRN Kosovo dhe BIRN Hub. Përmbajtja nuk reflekton qendrimet dhe opinionet e ADC.