Prishtina Lëkundet nga Protesta Politike

Gjithçka nisi kur mbi kamionetën e “Vetëvendosjes” të improvizuar si binë u ngjit Dardan Molliqaj, sekretari organizativ i kësaj lëvizjeje, gjysmë ore pas nisjes së protestës në orën 12:00.

Ai i dha ultimatum 15 minutësh Policisë së Kosovës për të larguar rrethojat e vendosura që në mengjes disa metra në largësi të oborrit të Qeverisë së Kosovës. 

Tri ditë më herët protesta rezultoi në dëme materiale kur një grup i mbetur i protestuesve thyen xhamat e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kur koha e  ultimatumit të dhënë nga Molliqaj po kalonte, në binë u ngjit Visar Ymeri, kandidati i vetëm për kryetar të ardhshëm të “Vetëvendosjes”. Ai nuk mundi të mbajë fjalim pasi që protestuesit kishin nisur përleshjen me policët. 

Fjalim nuk mundi të mbajë as Albin Kurti që planifikohej t’i drejtohej masës pas deputetit Ymeri. 

Kur ora po shënonte 12 e 45 minuta dhe ultimatumi kishte përfunduar, në Sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës tashmë policët ishin duke u përleshur me protestuesit që kërkonin shkarkimin e Aleksandër Jabllanoviqit, ministër për Komunitete dhe Kthim si dhe kthimin e Trepçës në ndërmarrje publike.

Por, pak minuta më pas, protesta mori përmasa edhe më të mëdha. Policia hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Për të krijuar siguri më të madhe, policia zgjeroi rrethin e barrikadës. Protestuesit u ulën në shesh, para kordonit të policisë.

Kur ora shënonte 13:20 minuta, policia intervenoi sërish.

Policia e Kosovës, rreth orës 13:25 minuta, përmes një komunikate sqaroi veprimet e veta ndaj protestuesve.

Vlerësimet e policisë ishin se revolta e protestuesve erdhi pas fjalimëve nxitëse të organizatorëve. Sipas tyre, hedhja e gjësendeve ndaj zyrtarëve të policisë i ka detyruar ata që të intervenojnë.

Protesta nuk u përqendrua vetëm në shesh. Ajo u zgjerua nëpër të gjitha rrugët anësore që çojnë në qendër të Prishtinës. Kjo krijoi vështirësi për policinë që t’i kontrollojë protestuesit e shpërndarë në ato drejtime.

Më vonë u raportua për të lënduar.

Numri i protestuesve dhe policëve të lënduar që kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente është aq i madh sa drejtori i QKUK-së, Curr Gjocaj, ka dhënë urdhër që për nevoja të të lënduarve të përdoren edhe sallat e Klinikës së Ortopedisë dhe klinikave tjera.

Për ta relativizuar situatën, njësitet speciale të policisë filluan ta rrisin shkallën e reagimit ndaj protestuesve. 

Ata u përgjigjën me topa uji ndaj protestuesve të cilët po qëndronin ende në shesh.

U lënduan edhe shumë protestues, të cilët kanë kërkuar ndihmë, sikurse edhe pjesëtarët e policisë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Gjatë protestës, rreth orës 15:00, u arrestua edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për t’u liruar pak kohë më pas.

Po ashtu, është parë që policia ta ketë kapur edhe Albin Kurtin – deputet i “Vetëvendosjes”, por nuk u raportua se është arrestuar.

“Tre Sheshirat” në Prishtinë ishte pjesa tjetër e kryeqytetit ku protestuesit u përleshën me policinë, rrëth orës 15:40.

Pas një qetësie të brishtë, diku nga ora 16:00, protestuesit sërish nisën të mblidhen në grupe.

Më pas, policia zgjeroi ndjekjen e protestuesve në një perimetër shumë të gjerë.

Protesta rezultoi me 22 të lënduar, dy prej të cilëve rëndë. 

Kurse nga protestuesit policia thotë se ka arrestuar 27 përsona, prej të cilëve 15 thotë se kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, bëri të ditur se nga protesta e sotme deri tash, në QKUK janë trajtuar 73 të lënduar. Sipas Lenjanit 44 prej tyre janë policë, ndërsa 29 janë protestues.

Pushtetarët dënojnë dhunën e protestuesve

Katër orë e gjysmë pas nisjes së përleshjeve, në protestë u shfaqën në konferencë shtypi dy udhëheqësit shtetërorë. 

Isa Mustafa, kryeministër i vendit dhe zëvëndësi i tij Hashim Thaçi dolën para gazetarëve sot në mbrëmje për t’u dhënë një mesazh organizatorëve të protestave: “Nuk do të dorëzohemi”.

I pari i qeverisë, Mustafa, deklaroi se qeveria e konsideron se është “tepër e dëmshme që për qëllime politike të krijohen ndasi ndëretnike në Kosovë”.

 “Protesta nuk duhet të përdoret për ambicie për pushtet, sepse pushteti fitohet me votën e qytetarëve”, tha Mustafa.

Ndërsa zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, tha se protesta e sotme nuk ka pasur objektiv qytetar.

“Protesta është mjet demokratik, por protesta e sotme nuk ka pasur objektiv qytetar, por objektiva politike ditore”, tha Thaçi.

“Ato nuk kanë qenë të udhëhequra nga qytetarët, por nga tri parti opozitare,” shtoi ai.

Kundër protestuesve ka reaguar edhe Atifete Jahjaga, presidente e Republikës së Kosovës. 

Jahjaga ka zgjedhur të reagojë nëpërmjet një deklarate me shkrim. 

 “E konsideroj të papranueshme dhunën ndaj Policisë së Kosovës dhe dëmtimin e pronës publike e private nga protestuesit në protestat e sotme. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme dhe e garantuar me Kushtetutën e vendit, por kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe dhuna e sotme në sheshet e Prishtinës prish rëndë rendin dhe ligjin dhe cenon seriozisht sigurinë e qytetarëve”, tha presidentja Jahjaga.