Aktgjykimet Që Thellojnë Krizën Politike

Periudha pas zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë u zhvillua pak a shumë si një version lokal i kontestit mes kandidatëve presidencialë Bush dhe Gore në vitin 2000, i cili zgjidh kur Gjykata Supreme e ShBA-ve ia dha presidencën Xhorxh Bushit. Ky rast, që kishte të bënte me numërimin e votave, mbetet kundërthënës edhe sot, por me gjithë kundërthënien që e përcolli së paku ky rast pati një përfundim të qartë politik. 

Kosova nuk e pati këtë fat. Dy vendimet e gjykatës më të lartë të vendit – Gjykatës Kushtetuese, të nxjerra pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, kanë rezultuar me vonesa në formimin e qeverisë dhe me më shumë konfuzion, duke qenë se kanë dhënë interpretime të Kushtetutës që i kanë vënë liderët politikë të Kosovës me shpatulla për muri. 

Vendimet i kanë dhënë avantazh partisë që mban pushtetin në largim – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke përcaktuar se kjo e fundit mban të drejtën e nominimit të kandidatit për kryeministër dhe kandidatit për kryetar të Kuvendit – që është thelbësor për funksionalizimin e kuvendit. 

Problemi qëndron në faktin se PDK-ja ka fituar vetëm 30 për qind të votave në zgjedhjet e fundit dhe duket se nuk gëzon përkrahje politike për të zgjedhur kandidatët e vet në këto poste. Kjo ngase është krijuar një koalicion i partive tjera që mban shumicën në kuvend dhe që pretendon se duhet të mbajë PDK-në jashtë qeverisë. 

Në anën tjetër, përderisa PDK-ja ka mundësi që të mbajë tërë këtë proces të bllokuar, ajo nuk ka mundësi ta shtyjë atë para – përveç nëse arrin që të kthejë nga vetja deputetë apo ndonjë nga partitë tjera, apo nëse arrin marrëveshje me opozitën. Ndërkohë, udhëheqësi i PDK-së, Hashim Thaçi, mbetet në pushtet si kryeministër në largim dhe kësaj situate nuk po i shihet dritë në fund të tunelit, përveç nëse mbahen zgjedhje të reja, në të cilat sipas analistëve PDK-ja ka gjasa të ketë rritje të votave. 

“Me vendimin e dytë po rrezikohet thelbi i demokracisë,” thotë Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës e cila kishte shërbyer si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese për tre vjet, ndërsa më parë ka qenë edhe pjesë e komisionit që ka hartuar Kushtetutën e vendit. “Koncepti kryesor i mandatit përfaqësues të një deputeti në parlament është duke u kërcënuar.”

Mushkolaj thotë se ndihet e brengosur me faktin se shumica si duket nuk i ka marrë në shqyrtim fare qëndrimet e Komisionit të Venedikut, që si organ i Këshillit të Evropës analizon çështje që ndërlidhen me të drejtën kushtetuese, të cilit Kosova i është bashkuar në qershor. “Ekzistojnë raporte të Komisionit të Venedikut që janë tërësisht në kundërthënie me këtë vendim,” shtoi ajo. 

<iframe width=”420″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/eqdSNFzgLPg” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Këtu mund ta dëgjoni intervistën e plotë

Gjyqtari amerikan jep shpjegime për grupin parlamentar

“Prishtina Insight” bisedoi gjerë e gjatë me Mushkolajn dhe John Tunheim, gjyqtarin e një Gjykate të Qarkut në SHBA që gjithashtu ka marrë pjesë në hartimin e kushtetutës, si dhe me disa ekspertë të së drejtës kushtetuese në Kosovë që prononcimet e tyre na i kanë dhënë në kushte anonimiteti. Gazeta gjithashtu ka kërkuar nga këshilltarja ligjore e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, Furtuna Sheremeti, e cila gjithashtu ka punuar në disa raste të trajtuara nga Gjykata Kushtetuese, që të përgatisë një analizë për këtë rast. 

Të njëjtit shprehin brenga lidhur me vendimet e fundit. Ata thonë se vendimet jo që nuk i kanë sqaruar çështjet, por kanë krijuar një situatë edhe më konfuze duke stërzgjatur krizën politike në të mirë të një partie politike, e cila dukej se po largohej nga pushteti me mjete demokratike. 

“Prishtina Insight” ka dashur të intervistojë edhe gjyqtarët aktualë, por ata nuk pranuan të prononcoheshin. “Askush nuk ka të drejtë të diskutojë apo interpretojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në publik. Ato janë të plotfuqishme dhe obligative!” shkruante` zëdhënësi i këtij institucioni Veton Dula përmes postës elektronike. 

Edhe pse vetë vendimet janë të plotfuqishme, duke qenë se vijnë nga gjykata më e lartë në vend dhe duke qenë se madje edhe kritikët më të mëdhenj të saj theksojnë rëndësinë e respektimit të këtyre vendimeve, si duket ato nuk do të zgjidhin krizën politike. 

Tunheim thotë se problemi me aktgjykimet e gjykatës, të cilat ai i karakterizoi si vendime të qëndrueshme juridike, është se të njëjtat duket se nuk përkojnë me frymën e Kushtetutës, e cila ishte hartuar për të siguruar formim dhe funksionim të papenguar dhe sa më të shpejtë të qeverisë. 

“Kur të shqyrtohet Kushtetuta e Kosovës është me rëndësi të mbahet në mend se një nga idetë primare të saj ishte të sigurojë mundësinë e krijimit të një qeverie në çdo moment dhe të përpiqet të evitojë bllokadat e gjata të cilat mund të ndikojnë mbi aftësinë e qeverisë për të vepruar në vend të vendit”, tha Tunheim përmes një interviste të dhënë nga Minesota. 

Përderisa Tunheim tha se nuk pajtohet me interpretimet specifike të formulimeve kushtetuese nga gjykata, siç janë përkufizimi i grupit më të madh parlamentar thjesht si partia apo koalicioni që ka fituar më së shumti ulëse në zgjedhje, vërejtja më e theksuar e tij ka të bëjë me faktin se vendimet nuk duket se do ta bëjnë më të lehtë formimin e qeverisë. 

“Sipas meje kuptimi bukval i fjalëve është sekondar, ndërsa primare është që t’u lejohet grupeve që duan të punojnë së bashku në krijimin e qeverisë, të përpiqen ta arrijnë shumicën,” tha Tunheim. 

“Nëse partia që ka fituar shumicën në zgjedhje mund ta bëjë këtë me partnerët e koalicionit – mrekulli. Kësisoj do duhej funksionuar sistemi”, shtoi ai. “Por, nëse nuk arrijnë, atëherë dikush tjetër duhet ta bëjë këtë, përndryshe ata të parët nuk do të mund të qeverisin.”

Si arritëm deri në këtë stad?  

Problemi aktual është në thelb politik. Në muajin maj, kuvendi u shpërbë për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, pasi që deputetët nuk arritën marrëveshje për disa çështje kyçe siç janë formimi i ushtrisë dhe ulëset e rezervuara për pakicat. 

Zgjedhjet e 8 qershorit sollën një nivel të ri të pjekurisë në demokracinë e re të Kosovës. Keqpërdorimet e mëdha të zgjedhjeve të vitit 2010 nuk u përsëritën, duke u shënuar vetëm disa incidente të izoluara, ndërsa serbët në tërë Kosovën dolën në zgjedhje me përkrahje të udhëheqësve nga Beogradi dhe veriu i vendit. Megjithatë, kjo fushatë nuk solli shumë ide të reja. Partitë më të mëdha dhanë premtime të ngjashme lidhur me zhvillimin ekonomik, krijimin e një numri joreal të vendeve të reja të punës dhe qeverisjen më të mirë. 

Siç ka ndodhur çdo herë që nga viti 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare të pasluftës, asnjë parti e vetme nuk fitoi shumicën absolute, duke bërë të domosdoshëm formimin e një qeverie të koalicionit. PDK-ja, që është në pushtet që nga viti 2008, kishte fituar rreth 30 për qind të votave, ngjashëm me rezultatet e zgjedhjeve të kaluara në vitin 2007 dhe 2010. Edhe pse PDK-ja fitoi disa ulëse më shumë, duke fituar gjithsej 37 ulëse, ajo pësoi një goditje të rëndë duke qenë se ish-partneri i saj i koalicionit, Aleanca për Kosovën e Re, nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor dhe të hyjë në Kuvend, ndërsa një parti tjetër e re e udhëhequr nga ish-udhëheqës të PDK-së – Nisma e kaloi atë. Njëkohësisht, dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] dhe Lëvizja “Vetëvendosje” [LVV], shënuan rritje modeste. 

Rezultati përfundimtar tregonte se opozita kishte fituar pak më shumë vota, por rritja nuk ishte aq dramatike sa kishin parashikuar disa analistë, të cilët parashihnin lodhje të votuesve të PDK-së. Por, ajo që përfundimisht bëri dallimin ishte lodhja e politikanëve me Thaçin dhe PDK-në e tij, e jo lodhja e votuesve. Në ditët pas zgjedhjeve, u zhvillua një ngjarje e paprecedent- LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma u bashkuan për t’ia mohuar kësisoj Thaçit një mandat të tretë duke e përkrahur ish-kryeministrin Ramush Haradinaj në marrjen e këtij posti sërish. Më pas edhe “Vetëvendosje” dha shenja se mund ta përkrahë Haradinajn me disa kushte të caktuara. Këtë javë “Vetëvendosje” edhe formalisht e nënshkroi marrëveshjen me LAN-in. 

“Askush nuk ka pritur që partitë opozitare të barrikadohen në një bllok opozitar. Kjo gjë nuk është dukur e mundshme”, thotë analisti politik Krenar Gashi. 

Me bllokun opozitar që mban 46 ulëse dhe PDK-në që ka 37 sish, ka shumë mëdyshje lidhur me atë se kë do ta nominojë presidentja Atifete Jahjaga si kandidat për formim të qeverisë. 

Me këtë filloi një debat publik lidhur me atë se çka parashikon Kushtetuta për situata të tilla, duke bërë që i të gjithë njerëzit e vendit të shndërrohen në ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe të flasin për dy paragrafë të Kushtetutës – 84.14 dhe 94.1. 

Neni 84.14 përcakton se Presidenti “emëron kandidatin për Kryeministër… në bazë të propozimit të partisë politike apo koalicionit që mban shumicën e ulëseve në Kuvend”, ndërsa neni 95.1 thotë: “Pas zgjedhjeve, Presidenti… ia propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, të domosdoshme për ta krijuar Qeverinë.”

Pyetja kryesore ishte nëse kjo nënkuptonte se Presidentja duhet ta nominojë Thaçin, partia e së cilit kishte fituar më së shumti ulëse në Kuvend, megjithëse jo shumicën e ulëseve, apo Haradinajn, koalicioni paszgjedhor i së cilit mbante 47 deputetë dhe gëzonte përkrahjen potenciale të 16 deputetëve tjerë nga “Vetëvendosje”. Kishte edhe pretendime se cilido që të nominohej, pala tjetër do ta sfidonte këtë para Gjykatës Kushtetuese. 

Në këtë situatë, edhe pse çështja ishte ende hipotetike, duke qenë se rezultati i zgjedhjeve posa ishte certifikuar dhe parlamenti ende nuk ishte mbledhur, presidentja Jahjaga iu drejtua gjykatës për këshillë. Edhe pse është folur shumë lidhur me atë se si gjykata interpretoi termet “shumicë” dhe “koalicion”, Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese e cila ka shërbyer edhe në Komisionin Hartues të Kushtetutës, tha se Presidentja bëri gabim duke e konsultuar gjykatën. 

“Ne madje nuk i kemi fare dy palë në procedurë; ne kemi vetëm një palë e cila i parashtron pyetje Gjykatës Kushtetuese. Duke ia parashtruar këto pyetje Gjykatës Kushtetuese, Presidentja e Republikës po ia kufizon autorizimet këtij institucioni, [subjektet] tani duhet t’i përmbahen aktgjykimit të nxjerrë,” tha Mushkolaj. 

Në vendimin e vet të datës 1 korrik, Gjykata kishte vendosur se Presidentja sipas Kushtetutës duhet ta nominojë kandidatin e ofruar nga partia që ka fituar më së shumti vota në Kuvend – e kjo është PDK-ja. Vetëm nëse ky kandidat nuk do të arrinte të formonte qeverinë, atëherë Presidentja do të kishte të drejtë diskrecionale lidhur me nominimin e radhës. 

Gjykata gjithashtu tha se koalicionet paszgjedhore nuk gëzojnë ndonjë status juridik. 

Mushkolaj tha se ky aktgjykim në fakt dobësonte autoritetin e Presidentes, duke e tkurrur autoritetin e saj gjatë propozimit të kandidatit për Kryeministër. 

Ndërsa një jurist ndërkombëtar me përvojë të theksuar në çështje kushtetuese në Kosovë ishte shumë më i drejtpërdrejt në kritikën e tij për Presidenten. 

“Ajo është dashur ta formulojë vetë përgjigjen. Kjo çka bëri tregon pamaturi politike”, tha i njëjti. “Nëse do t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese në çdo rast, ju po hiqni dorë nga pushteti që bart funksioni juaj. Me këtë edhe cenohet ndarja e pushteteve”.

Gjyqtari Tunheim nga ShBA tha se ai nuk pajtohet me disa elemente të aktgjykimit të gjykatës, por nuk beson se Presidentja ka zvogëluar fuqinë e saj. “Presidenti përbën një autoritet të rëndësishëm në sigurimin e formimit të qeverisë dhe këtë autoritet duhet ta ushtrojë përgjatë procesit”, tha ai. “Së këndejmi, mua nuk më duket se ka diçka jokonsistente te vendimi i parë.”

Zyra e Presidentes nuk iu përgjigj pyetjes sonë lidhur me arsyet për t’iu drejtuar gjykatës për këshilla. 

Ndërsa ekspertët kanë mendime të ndryshme sa i përket efekteve të vendimit të datës 1 korrik, efektet e këtij vendimi në bllokadën politike aktuale duket se janë më të vogla sesa ato të kundërthënieve që u shfaqën pas pak më shumë se dy javësh nga ajo datë (më 17 korrik) kur parlamenti u mblodh për herë të parë.  

Seanca e parë e parlamentit, e njohur si seancë konstituive, ka për qëllim grumbullimin dhe funksionalizimin e trupit ligjvënës dhe zgjedhjen e kryetarit dhe zëvendëskryetarëve të Kuvendit. Por kjo seancë u përshkua nga kaosi, në të cilin deputetët hynin e dilnin nga salla, konsultoheshin me njëri-tjetrin dhe ziheshin lidhur me atë se si duhej proceduar më tej. 

Kur PDK-ja u përpoq që ta nominojë kandidatin e vet për postin e kryetarit, deputetët nga “Vetëvendosje”, LDK, AAK dhe Nisma e bojkotuan seancën. Në mungesë të tyre, Kuvendi nuk kishte kuorum dhe seanca u pezullua. Më vonë atë ditë, 83 deputetë u grumbulluan prapë në kuvend dhe e zgjodhën kryetarin e LDK-së dhe ish-Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafën, kryetar të Kuvendit. Ose, më mirë thënë, ata menduan se e zgjodhën. 

Deputetët e PDK-së, të cilët insistonin se kjo seancë ishte jolegjitime, u ankuan në Gjykatën Kushtetuese. Më 23 korrik gjykata u pajtua që të trajtojë këtë rast, duke pezulluar veprimtarinë e Kuvendit deri në nxjerrjen e një vendimi. 

Rrëzimi i Mustafës

Më shumë se një muaj më pas, më 26 gusht, gjykata rrëzoi zgjedhjen e Mustafës. Në arsyetimin e vet ajo tha se procedura lidhur me zgjedhjen e kryetarit ka qenë joligjore, pasi që seanca e Kuvendit ka qenë e mbyllur. 

Më tej, ajo arriti te përfundimi se përcaktimi në Kushtetutë që “grupi më i madh parlamentar” duhet ta nominojë kryetarin, nënkupton partinë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje. Gjykata reflektoi mbi arsyetimin e dhënë në vendimin e vet të mëhershëm në të cilin thoshte se vetëm koalicionet e krijuara para zgjedhjeve kanë të drejtë trajtimi në këtë procedurë. 

Aktgjykimi në 43 faqe është i vështirë për t’u kuptuar. Pjesa më e madhe e tij përbëhet nga fakte dhe citate të gjata nga kushtetutat e vendeve tjera. Ndërsa interpretimi në aktgjykim i asaj se çka nënkupton grup parlamentar mund të zgjojë kureshtjen e disave, i njëjti nuk ofron alternativë të qartë në rast të moszgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Për më tepër, ai përcakton se të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të paraqiten në sallë me rastin e zgjedhjes së kryetarit. 

“Është për të ardhur keq që një palë e pakënaqur mund të shkaktojë bllokada kushtetuese”, tha juristi ndërkombëtar. 

Kjo përfshin edhe nominimin e Kryeministrit. Ndërkohë, përderisa ky procesi i fundit, i zgjedhjes së Kryeministrit dhe qeverisë, duhet të përfundojë brenda 60 ditësh, përndryshe duhet shpallur zgjedhje të reja, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mund të zgjasë pakufi. 

Për momentin, koalicioni ka bërë me dije se nuk do të heqë dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit. Udhëheqësit e saj janë pajtuar se PDK-ja ka të drejtë të bëjë nominimin e parë, por ata thonë se do ta nominojnë Mustafën menjëherë pasi që PDK-ja të mos arrijë të mbledhë votat e duhura në përpjekjen e parë, e kjo ka gjasa të rezultojë me një episod tjetër në Gjykatën Kushtetuese. 

Enver Hasani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, është duke u vënë në spikamë në tituj të gazetave lidhur me ligjëratën që e ka dhënë në Universitetin e Teksasit para gjashtë muajsh, ku duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me martesën mes homoseksualëve, Hasani ka thënë se shoqëria e Kosovës mund të mos e pranojë një gjë të tillë, por Kushtetuta nuk e ndalon. Kushtetuta “vepron si instrument për ndryshimin e shoqërisë kosovare”, tha ai. 

Me fjalë tjera, Kushtetuta përfaqëson idealin e asaj që Kosova do duhej të ishte. Për Hasanin, siç thekson ai edhe vetë, gjyqtarët që zënë ulëset e gjykatës më të lartë të Kosovës janë “roje të Kushtetutës, që përfshin ndarjen e pushteteve si një nga përbërësit kushtetues të një shoqërie demokratike.”

Në këto dy vendime lidhur me të ardhmen politike të Kosovës ishte vetëm një gjyqtar, Robert Carolan, njëri nga tre gjyqtarët ndërkombëtarë në panelin shtatanëtarësh, që shprehu kundërshtime ndaj mendimit të shumicës. Në mendimin e tij mospajtues për vendimin e dytë, ai thotë: ” Përfundimi dhe arsyetimi i shumicës në këtë rast, është i gabuar për arsye se keqinterpreton gjuhën specifike të Kushtetutës. Po ashtu, i njëjti përpiqet gabimisht të përgjigjet në pyetje që Gjykata Kushtetuese nuk ka autoritet të përgjigjet.”

Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Mushkolaj përkundër faktit se brengoset për vendimin e fundit, tha se ai së paku hap rrugë për një zgjidhje të mundshme, ngase edhe pse formulimet janë të zbehta ato sugjerojnë se deputetët kanë mënyra të ndryshme për ta zgjedhur kryetarin. Edhe pse nuk përkrah vendimet në fjalë, ajo thotë se është me rëndësi që të gjithë në Kosovë t’i respektojnë ato: “Nëse nuk i respektoni këto vendime, gjërat do bëhen edhe më keq. Një gjë e tillë do ta trondiste seriozisht sundimin e ligjit në vend.”

Tekstit i kontribuoi edhe  Valerie Hopkins.