Mos Rishikimi i Buxhetit Mund të Sjell Pasoja

Eksperte të fushës së financave thonë se mos rishikimi i buxhetit nga ana e Qeverisë së Kosovës, do të ketë ndikim shumë të madh në funksionimin e segmenteve të caktuar të ekonomisë, pasi që sipas tyre ekzekutivi ka marrë një numër të madh të vendimeve, pa mbulesë financiare.

Zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Fatime Lumi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kjo ministri ka filluar procedurën e rishikimit të buxhetit, gjegjësisht përgatitjen e draft Ligjit mbi Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Buxhetin për vitin 2014.

Por, sipas saj për shkak të mos konstituimit të Kuvendit, rishikimi është në formë drafti në Ministrinë e Financave.

 “Në kuadër të procedurave të përcaktuara ligjore rishikimi si draft miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila pas miratimit e dërgon për aprovim në Kuvendin e Kosovës”, shtoi Lumi.

Kurse, ish- kryetarja e komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj, thotë se qeveria nuk e ka proceduar buxhetin në komisionin e saj për rishikim për shkak të zgjedhjeve, të cilat janë mbajtur me 8 qershor.

“Rishikimi i buxhetit behët nga muaji qershor dhe në fund të muajit procedohet në kuvend, por kësaj radhe në muajin qershor janë mbajtur zgjedhjet”, shtoi Hadergjonaj.

Nga ana tjetër, njohës të çështjeve financiare thonë se mos rishikimi i buxhetit, do të sjell pasoj të mëdha për funksionimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë, si pasoj e vendimeve të ekzekutivit pa mbulesë financiare.

Sipas ekonomistit  Ibrahim Rexhepi ndryshimet kanë ndodhur kryesisht në financimin e pagave dhe të pensioneve për të gjitha kategoritë.

“Besoj se edhe kryeministri, përkatësisht qeveria, në kohen e marrjes se këtyre vendimeve kanë qenë të vetëdijshëm për tejkalimet buxhetore, por kanë pasur bindje se problemin do ta tejkalojnë me rishikimin e buxhetit”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se aktualisht nuk ka problem për ekzekutimin e këtyre pagesave, pasi që siç tha ai ende  nuk është  arritur limiti i lejuar me ligj.

Por, sipas tij në muajt e fundit të vitit do të ketë pamundësi për pagesa, nëse nuk ndodh një rishikim i ngutshëm i buxhetit nga ana e kuvendit që duhet të themelohet.

Edhe analisti, Alban Hashani, thotë se në mungesë të rishikimit buxhetor, qeveria nuk arrin të përmbushë politikën e saj fiskale dhe ndryshimet që kanë ndodhur ndërkohë.

Sipas tij, qeveria e ardhshme do të jetë e shtyrë të operoj me buxhetin të cilin e përfundon mandatin kjo qeveri.

“Ky buxhet, edhe pse është dizajnuar duke përcjell rregullin fiskal, në mungesë të mekanizmave të kontrollit që janë paraparë në kudër të kuvendit nuk është imun ndaj keqpërdorimeve eventuale që rezultojnë si pasoj e mungesës së një mbikëqyrje të kujdesshme”, shtoi Hashani.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës, më 26 nëntor 2013, ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2014.